


Tiranë, 6 qershor 2015, NOA.al- Partia Demokratike thotë se pas më shumë se dy javësh denoncime nga Partia Demokratike në lidhje me skandalin e përfitimit të miliardave me receta false, më në fund prokuroria hodhi një hap dhe arrestoi Drejtorin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, Pjerin Xhuvani.
Deputetja Albana Vokshi duke folur sot nga selia blu, publikoi një fotografi dhe tha se i arrestuari është miku i Ilir Metës, kryetar i LSI-së për Elbasanin.
Sipas saj, kjo dëshmon se LSI, është një forcë politike, me mision të vetëm korrupsionin, vjedhjen dhe abuzimin.
Vokshi deklaroi se skandali i vjedhjes së miliarda lekëve me receta fiktive ka nxjerrë në pah një mekanizëm kriminal, të mirëstrukturuar kokat e të cilit janë në krye të qeverisë dhe se falsifikimi i recetave llogaritet të ketë futur në xhepat e mafias së ilaçeve, më shumë se 7 miliardë lekë.
Zullumi ishte aq i madh, tha deputetja demokrate, sa edhe pse raporti i kontrollit u mbajt i fshehur për më shumë se një muaj në Kryeministri, nga personi kyç i Edi Ramës që mbulon korrupsionin dhe abuzimet, sërish gjurmët ngelën dhe prokuroria arriti të arrestojë një pjesë fare te vogël të zinxhirit.
Ajo shtoi më tej se Partia Demokratike vlerëson punën e prokurorisë deri tani në lidhje me këtë skandal, por shtoi se kjo do të ishte një punë e paplotë, nëse nuk vihen para përgjegjësisë kumbarët e vërtetë të këtij rrjeti mafioz.
“Kjo është një tango kriminale që kërkon dy vetë që të luhet. I arrestuari i LSI-së nuk ka kërcyer i vetëm në këtë skenë korruptive. 7 miliardë lekë të vjedhura, të futur në xhepat e qeveritarëve me receta fiktive, ndërkohë që qytetarët, pacientët, të pamundurit e të afërmit e tyre po torturohen nëpër spitale nga mungesa e ilaçeve, dhe nga çmimi i tyre stratosferik. Gishti është drejtuar nga Ministri i Shëndetësisë, i cili bëri të pamundurën për ta mbrojtur këtë skemë të turpshme të vjedhjes me receta false”, u shpreh Vokshi.
Ajo deklaroi në vijim se Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është sot i akuzuari kryesor për përpjekje për manipulim dhe fshehje të provave dhe se ai gënjeu sërish kur tha që çmimet e barnave janë ulur.
Vokshi nënvizoi se mbi 30 % e listës së barnave të rimbursueshme kanë çmim shumë më të lartë. Por edhe ato barna çmimi i të cilave është ulur jo me negociim por me dhunë, sot nuk gjenden në treg.
Ligjvënësja demokrate deklaroi se në treg sot mungojnë më shumë se 20 barna një pjesë e të cilave përdoren edhe për kurimin e sëmundjeve të rënda si kanceri dhe se sot jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë është në rrezik.
Ajo deklaroi se ky është një krim i padëgjuar më parë, për të cilin duhet vënë sa më shpejt drejtësi deri në fund./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





