Transmetuar më 06-06-2015, 10:15

Disa netë më parë, persona të paidentifikuar dhunuan varrin e një futbollisti. Ngjarja e rëndë ndodhi në varrezat komunale të Bagnoli di Sopra në Padova, ku ndodhet varri i Giulio Piva, një ish-fubollist italian.

Në varrin e tij, ishin vendosur bluzat sportive. Por ato pak ditë më parë ishin hequr nga varri dhe ishin vendosur në disa kryqe në varreza, në prag të turneut sportiv dedikuar të rinjve.

Giulio ndërroi jetë në nëntor të vitit 2013, pikërisht në ditën e ditëlindjes së tij të 18-të, për shkaqe natyrale. Ai u godit nga një infarkt, gjatë kohës që ndodhej me shokët në një lokal.

Lajmi i dhunimit të varrit u raportua në disa media vendase, ku thuhet se çdo gjë u pikas nga kujdestari i varrezave.

Sipas policisë, veprimi është bërë nga disa miq të të ndjerit, të cilët kërkonin ta kujtonin në këtë mënyrë. Pikërisht në komunën e Bagnoli di Sopra gjatë ditëve të ardhshme është parashikuar një turne futbolli dedikuar të riut të shuar.

Një familjar i tij në profilin e tij në Facebook, e cilësoi veprimin si “Një veprim i madh dashurie dhe dëshpërimi për shkak se nuk është pranuar ende ikja e Giulio nga disa persona. Fatkeqësisht kush e bëri këtë veprim nuk e mendonte se do i shkaktonte një dhimbje familjes. Familja kërkon respektin maksimal dhe heshtjen e të gjithëve”.

Mësohet se lapidari i mermertë nuk është dëmtuar./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd