Transmetuar më 06-06-2015, 13:12

Krujë, 6 qershor 2015, NOA.al- Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur në një atentat në Thumanë të Krujës.

Gjatë natës së kaluar familjarët janë sulmuar nga disa persona të armatosur, pranë banesës së tyre, duke bërë që të gjejnë vdekjen babë e bir dhe nipi i tyre. Ndërkohë krahas tyre një grua ka mbetur e plagosur.

Nga të dhënat paraprake siç raporton Noa.al, mësohet se viktimat janë Fran Ceku 79 vjeç, Arben Ceku 44 vjeç, babë e bir, si dhe nipi i tyre En0 Rama 18 vjeç.

E plagosura është gruaja e Franit dhe nëna e Arbenit, Luçie Ceku 65 vjeç. Dyshimet e para janë se atentati është bërë nga më shumë se dy persona pasi janë përdorur armë kallashnikov dhe pistoletë.

Hetimet paraprake flasin se ngjarja ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta, çka ka bërë që nga ana e uniformave blu të identifikohen autorët e ngjarjes. Autorët e dyshuar janë Daniel Kora, Pëllumb Kora, Besnik Kora dhe babai i tyre Guri Kora nga Thumana.

Gjatë gjithë natës dhe aktualisht rreth 200 efektivë polici po bëjnë kontrollin e zonës për kapjen e autorëve.

Si ndodhi ngjarja

Krimi i trefishtë në Thumanë të Krujës bëhet edhe më tronditës, me zbulimin e detajeve se si ka ndodhur ngjarja.

Të dyshuarit si vrasës, pjesë e familjes Kora i kanë thirrur të dalin në portën e shtëpisë viktimat e familjes Ceku, duke i ekzekutuar një nga një.

Mësohet se gjithçka ka ndodhur rreth një orë pas konfrontimit fizik që kanë pasur në një nga lokalet e Thumanës me 44-vjeçarin Arben Ceku për sherrin që dy pjesëtarë të familjes Kora kanë pasur me një shofer, mik me 44-vjeçarin, rreth një muaj më parë.

Ata kanë shkuar në banesën e viktimave dhe duke i thirrur nga jashtë, kanë ekzekutuar Arbenin të parin dhe më pas familjarët e tij.

Për sqarimin e rrethanave të ngjarjes në polici janë shoqëruar mbi dhjetë persona, ndërsa po punohet për kapjen e autorëve të krimit.

Mësohet se krimi e ka origjinën rreth një muaj më parë ku dy prej vëllezërve Kora kanë rrahur një shofer, shok me viktimën Arben Ceku.

Viktima Arben Ceku i kthyer disa ditë më parë nga Italia ka takuar në një lokal anëtarët e familjes Kora për të sqaruar ngjarjen, por debati ka degjeneruar në një konflikt fizik, por pas kësaj janë ndarë.

Pas kësaj 44 vjeçari ka shkuar në në shtëpi, ku pak më vonë nuk kanë ngurruar të mbërrijnë autorët e krimit, të cilët i kanë thirrur dhe kanë shkrepur armët mbi të dhe tre familjarët e tjerë./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd