


Tiranë, 5 qershor 2015, NOA.al- Erion Veliaj, kandidati i majtë për bashkinë e Turanës, deklaroi se fjala kryebashkiak nuk do të jetë sinonim i atij që jep leje ndërtimi.
Kështu tha pretendenti për kryebashkiak, gjatë një takimi me biznesmenë për çështjet e ekonomisë dhe punësimit në kryeqytet.
Ai pohoi se ka edhe qindra punë të tjera me të cilat kryetari i bashkisë duhet të merret çdo ditë.
Sipas tij, aktualisht në Tiranë ka mbi ndërtim dhe mijëra apartamente të pashitura. Veliaj tha se një nga shqetësimet kryesore të biznesit është fakti se në katër vitet e fundit bashkia e Tiranës nuk e ka marrë seriozisht në mënyrën se si paraqet ankesat dhe shqetësimet, me mënyrën se si bëhen propozimet.
Në këtë takim ai u shpreh se puna në Bashkinë e re të Tiranës do të bazohet në tre shtylla kryesore, në marrëdhënien serioze me biznesin, në trajtimin me paanësi të tyre dhe në një model të qartë zhvillimi për qytetin, pa ndërtime të reja.
“Në katër vitet e shkuara Tirana nuk ka pasur model të qartë për zhvillimin. Këtu përfshihet jo vetëm zhvillimi ekonomik, por edhe zhvillimin urban, sigurisht edhe zhvillimi social. Edhe plani urbanistik që u miratua nga kryetari aktual i Bashkisë nuk ishte një plan për zhvillimin e Tiranës, ishte një plan klientelist për leje ndërtimi dhe për troje pallatesh në Tiranë. Në konceptin tonë modern, plani i zhvillimit nuk mund të jetë vetëm një plan për të përcaktuar lejet e ndërtimit. Ndaj dhe do të ndërtojmë një model të qartë për zhvillimin e Tiranës, një model që do të gërshetojë zhvillimin ekonomik me atë urban duke orientuar zhvillimin e qytetit drejt periferisë. Pra, për të inkurajuar më shumë investime aty ku ato janë më të pakta dhe mundësitë janë më të mëdha”, u shpreh sot Veliaj në takimin me biznesmenët.
Gjatë fjalës së tij ai shtoi se në Tiranë janë identifikuar 871 rrugë të amortizuara, se do të rikonceptohet transporti publik./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





