Transmetuar më 05-06-2015, 10:51

Elbasan, 5 qershor 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se mungesa e vendeve të punës dhe rritja e çmimit të energjisë i ka çuar qytetarët në kufijtë e mbijetesës.

Gjatë një takimi të ditës së djeshme me banorët e Elbasanit, i njohur me shqetësimet e tyre për çmimet e larta të ushqimeve, kreu i PD deklaroi se një nga zgjidhjet që propozojn të djathtët është të hiqet TVSH-në për miellin, bukën, sheqerin, vajin, orizin, në mënyrë që për këto mallra, çmimi të bëhet 20% më pak se sa ai i tregut sot.

Basha premtoi në nivel lokal uljen e taksave për biznesin e vogël, në nivel qendror uljen e çmimit të energjisë me 25%, uljen e çmimit të naftës, ardhjen në ndihmë të biznesit, në veçanti biznesit të vogël dhe të krijohen vende pune, sepse siç tha ai, shkaku i rënies së fuqisë blerëse është rënia e punësimit.

Në vijim kryedemokrati u ndal dhe në Qafë- Drizë të Librazhdit, ku siç u shpreh Basha, qeveria për të mashtruar qytetarët ka vënë një tabelë për rikonstruksionin e rrugës Librazhd- Orenj.

“Shikoni mbrapa çfarë thotë: Rikonstruksion i rrugës Librazhd- Orenj- Loti  i Parë. Unë do ta përgëzoja dhe do ta uroja qeverinë e Edi Ramës në qoftë se do të ishte vërtetë kështu, por kjo është një gënjeshtër. Nuk ka as fonde, as prokurim për këtë rrugë. Projekti është bërë nga ne. E kanë gjetur të gatshëm, por as nuk e kanë financuar, as nuk e kanë prokuruar. Vijnë në kohë zgjedhjesh për t’i hedhur hi syve të banorëve. Pse e bëjnë këtë? Sepse s’kanë mbajtur asnjë premtim. Rrugëdalja është të ndalim me votë gënjeshtrën dhe mashtrimin që erdhi me votë para dy vitesh”, u shpreh Basha.

Në kuadër të takimeve elektorale lideri i opozitës u takua dhe me banorë të Qukësit në Prrenjas.

Basha kërkoi votat e qytetarëve, për të ndalur përkeqësimin e ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe për t’i hapur  rrugën zhvillimit, mirëqenies dhe punësimit.

“Laku është shtrënguar në fytin e çdo familje shqiptare. Shqiptarët paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq, por dyshja Rama-Meta thotë jemi në drejtimin e duhur. A është drejtimi i duhur, dyfishimi i listave të ushqimeve? Ne duam pra me votën tuaj në 21 qershor të ndalim përkeqësimin e ekonomisë, të ndalim përkeqësimin e papunësisë, të ndalim varfërimin e shqiptarëve dhe bashkërisht të hapim rrugën për punë dhe dinjitet për gjithë banorët e Qukësit, Prrenjasit, e të gjithë Shqipërisë”, tha më tej ai./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd