




Opozita denoncoi sot atë që e cilësoi presion për shkak të detyrës ndaj një gazetari lokal në Mat, të cilit i është djegur makina.
Në fotot e mëposhtme shikoni pamjet e automjetit të dëmtuar.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm kur është djegur makina e gazetarit dhe operatorit të Tv Mat Enver Doçi.
Gazetari Doçi vlerësohet nga opozita se ka ndjekur dhe pasqyruar me realizëm e profesionalizëm fushatën e kandidatit të Partisë Demokratike Nezir Rizvani.
Gazetari Doçi reagoi duke thënë se akti i sotëm është në vazhdën e presioneve dhe kërcënimeve për shkak të detyrës që ai kryen nga përfaqësues të maxhorancës.
Opozita duke folur mbi këtë incident, tha se dy ditë më parë në drejtim të policisë kriminale të drejtorisë së policisë Mat emërohet jo rastësisht bashkëshorti i njërës prej kandidatëve të Edi Ramës në këtë rreth.
Demokrati Kreshnik Çollaku tha sot se “braktisja që po u bëjnë qytetarët çdo ditë ka vënë në panik të madh dyshen Rama – Meta të cilët po përdorin çdo formë që nga joshja me thasët me miell e deri tek presioni i bandave dhe policia e pushtetit”.
Policia nuk ka një version zyrtar mbi shkaqet e djegies së kësaj makine. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





