
Tiranë, 4 qershor 2015, NOA.al- Kryeminsitri Edi Rama thotë se viteve të fundit ekonomia e gjelbër ka në fokus rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe një potencial të jashtëzakonshëm punësimi.
Gjatë prezantimit të projektit të shkollave “Efiçenca e energjisë” paraditen e sotme, ai tha se mini klasat e gjelbra do jenë një projekt i ri.
Kryeministri nënvizoi se 1000 klasat e gjelbra do të kontribuojnë në mënyrë të jashtëzakonshme për të rritur cilësinë e edukimit, të jetës së fëmijëve dhe familjes me krijimin e shkollës si qendër komunitare.
“E kemi nisur këtë proces me mjetet tona modeste dhe me rezultate absolutisht inkurajuese dhe për faktin se ky është i vetmi drejtim i duhur. Ne jemi dëshmitarë të një historie të vështirë por shumë domethënëse për shkak të gabimeve të rënda që janë bërë dhe që vendeve të varfra në fund të ditës u kushtojnë më shumë se vendeve të pasura. Ky projekt qeë tanimë është në rrugën e kalimit nga një draft në një projekt ekzekutiv do të jetë rasti ynë ideal për të bërë një kapërcim historik në këtë drejtim duke krijuar një standard bazë dhe të paevitueshëm për të gjitha investimet që do vinë në vijim”, u shpreh Rama.
Ai shtoi më tej se Ministria e Arsimit e nisi punën me vetëdije të gjelbër, nga pastrimi i territorit të shkollave nga mejhanet, kinkaleritë dhe plehrat, ku sot është një situatë të stabilizuar, në çdo shkollë dhe ku nuk ka më shfaqje dramatike.
Sipas kreut të qeverisë edhe puna që po bëhet me rritjen e kapaciteteve njerëzore të shkollës shkon në këtë drejtim ashtu si projekti i madh i ministrisë për të mësuar mësuesit dhe trajnuar drejtorët e shkollave, duke shtuar se në këtë drejtim përmasa e gjelbër është e patjetërsueshme.
Rama shtoi se në Europën e bashkuar është aftësia projektuese që bën diferencën./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





