Transmetuar më 03-06-2015, 14:03

Lushnje, 3 qershor 2015, NOA.al- Gjykata e Lushnjes ka dënuar me 9 vite burg ish-drejtoreshën arsimore të Lushnjes, Liza Tabaku, e akuzuar për marrje parash për emërimin e mësuesve.

Tabaku akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në rrethanat rënduese më shumë se një herë, duke shpërdoruar funksionin publik.

Gjykata ka dënuar edhe djalin e saj, shtetasin Xhonluko Tabaku, me 3 vjet burg, i akuzuar për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  në rrethana rënduese më shumë se një herë.

Ndërsa mësuesi Rigert Zeneli është dënuar me një vit burg, po për akuzën e “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata ka dhënë vendimin pak ditë më parë, ndërkohë që hetimi dhe gjykimi për këta persona është zhvilluar nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Procedura është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, pasi të pandehurit pranuan aktet në gjendjen që ishin në dosjen hetimore të Prokurorisë së Lushnjes.

Të dënuarit akuzohen në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzohet se merrin para nga mësues të ndryshëm në zonën e Lushnjes, në këmbim të emërimit, transferimit apo moslëvizjes nga vendi i punës./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd