


Tiranë, 3 qershor 2015, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani në mbledhjen e dytë të komitetit të Aktorëve të Interesuar, EURALIUS IV me temë “Konsolidimi Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri" ngriti shqetësimin se reforma në drejtësi po bëhet në mënyrë të njëanshme dhe se nuk ka transparencë.
Ai e quan procesin të zvarritur, të vonuar, jo transparent, jo gjithëpërfshirës dhe aspak konsensual në drejtim të realizimit të një reforme kaq të rëndësishme për shqiptarët.
“Me keqardhje kam vërejtur se tryezat e mëpasme nuk kanë qenë ngushtësisht tematike dhe gjerësisht përfshirëse. Ato kanë qenë tryeza formale, ku palët politike, aktorët e drejtësisë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë nuk kanë pasur mundësinë të japin mendimet konkrete, për të vendosur në lidhje me prioritet, në mënyrë që të hartoheshin objektivat përkatëse për çdo prioritet dhe për të vazhduar më tej me zbërthimin e tyre në masa konkrete ligjore dhe nënligjore. Kam konstatuar me keqardhje që reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa përfshirjen e opozitës. Kam bërë thirrje që palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes dialogut politik dhe të orientohen në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila medoemos duhet të jetë konsensuale”, u shpreh Nishani.
Ai shtoi se është vënë në dijeni që me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë është ngritur një Komision i Posaçëm Parlamentar ‘Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë’, me përbërje nga forca të ndryshme politike, që do të zhvillonte veprimtarinë e tij në 6 muaj.
Sipas tij, ky komision asistohet nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë dhe që në mbështetje të Komisionit dhe grupit të ekspertëve është ngritur një Sekretariat, në të cilin sipas kërkesës së Komisionit të Posaçëm edhe Institucioni i Presidentit të Republikës ka dërguar përfaqësuesin e vet, por që nuk rezulton të jetë ftuar ndonjëherë.
Nishani thotë se e ka vlerësuar dhe e vlerëson asistencën e dhënë nga BE-ja në fushën e drejtësisë, përmes projektit EURALIUS IV.
Ai nënvizoi në vijim se ka kërkuar që kjo reformë të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke u konsultuar në mënyrë të vazhdueshme me Komisionin e Venecias, por nga ana tjetër ka kërkuar që medoemos të shmangen fragmentarizmat dhe formalizmat siç rezulton të ketë ndodhur deri më tani.
Presidenti deklaron se vazhdohet me praktika që të miratohen ndryshime ligjore të përshpejtuara pa u konsultuar me Komisionin e Venecias, sikur rasti i ndryshimeve ligjore në lidhje me Gjykatën e Lartë.
Duke vlerësuar së tepërmi kontributin e Misionit EURALIUS IV në bashkë-drejtimin e gjashtë tryezave të organizuara së fundi, President shpreh keqardhje se ndryshe nga sa përcaktua në pikën X të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 96/2014, tryezat nuk janë organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, por Presidenti i Republikës është ftuar të ketë përfaqësinë e tij vetëm në një nga tryezat e fundit të organizuar në datë 18 maj 2015 dhe i është vënë në dispozicion vetëm gjatë tryezës një përmbledhje e pjesës së tretë të materialit të përgatitur nga grupi i ekspertëve “Analiza Kushtetuese mbi Reformën në Drejtësi dhe Analiza Ligjore mbi Reformën e Gjykatës Kushtetuese”. Ai nënvizon më tej se rezulton se edhe aktorët e tjerë të ftuar për të diskutuar në lidhje me produktin e përgatitur nga ekspertët, të mos jenë vënë në dijeni paraprakisht të materialit përfundimtar.
“Mendoj se ka kaluar koha e hedhjes në tavolinë në momentin e fundit dhe se praktika të tilla nuk i shërbejnë një procesi transparent, mbi bazën e të cilit duhet të zhvillohet reforma në drejtësi. Duke e quajtur procesin të zvarritur, të vonuar, jo transparent, jo gjithëpërfshirës dhe aspak konsensual në drejtim të realizimit të një reforme kaq të rëndësishme për shqiptarët, por edhe shumë të kërkuar nga Bashkimi Evropian, vazhdoj të theksoj se në këto rrethana angazhimi i Misionit EURALIUS IV përmes ekspertëve të tij në fazat e mëtejshme të procesit është i domosdoshëm. Përveç kësaj, kërkoj që në vijim për realizimin serioz të reformës në drejtësi të ketë një bashkëpunim real, konstruktiv mes të gjitha palëve të interesuara dhe angazhim të vazhdueshëm të Komisionit të Venecias.”, deklaron Nishani.
Ai thekson faktin se reforma në drejtësi është për Shqipërinë dhe shqiptarët, prandaj duhet të jetë tërësore, të ketë gjithëpërfshirje, transparencë dhe konsensus, dhe është shumë e rëndësishme që të ketë përqasje me modelet më të mira evropiane dhe standardet e Bashkimit Evropian, prandaj nevojitet që Misioni EURALIUS dhe Komisioni i Venecias të marrin një rol të rëndësishëm në fazat e mëtejshme të këtij procesi./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





