Transmetuar më 03-06-2015, 10:40

Durrës, 3 qershor 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim me banorë të Ishmit në Durrës, nga ku kërkoi që në 21 qershor edhe të majtët të bashkohen, për ta ndalur të keqen dhe për t’i kthyer njerëzve shpresën.

Ai tha se qytetarët, vuajnë sot një degradim të madh të shëndetësisë, edhe pse u premtua se do të ishte falas.

Kryedemokrati shtoi më tej se pashpirtësia e kësaj qeverie arrin deri aty, sa vjedhin edhe lekët e kompensimit të ilaçeve për sëmundjet e rënda, i falin miliona euro CEZ-it, ndërsa shtyjnë drejt vetëvrasjes qytetarë për 30 mijë lekë të vjetra.

Sipas tij qeveria ka rritur taksat dhe çmimet dhe sot mungojnë 100 milionë dollarë nga arka e shtetit.

“Skandal pas skandali, 5 milionë dollarë nga fondi i kompensimit për insulinën dhe sëmundjet e rënda, ku janë? Ku janë zhdukur? Ku janë 100 milionë dollarë që duhet të ishin sot në arkën e shtetit me taksat e rritura, me akcizat e rritura, ku janë? Prandaj ka kërcitur kërbaçi mbi kokat e shqiptarëve, prandaj rrëmohet deri në qindarkën e fundit në xhepat tuaj, se i fali, ose ndau, 600 milionë euro me CEZ-in. Do të japë llogari më 21 qershor, do të japë llogari në Ishëm, do të japë llogari në Durrës, do të japë llogari në Tiranë, do të japë llogari në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Basha.

Ai shtoi më tej se papunësia, varfëria, taksat e larta, çmimet e larta dhe mungesa e mbështetjes për bujqësinë janë shqetësimet me të cilat përballet sot çdo qytetar.

Kryetari i Partinë Demokratike  tha se nga keqqeverisja vuan çdo qytetar por mbi të gjithë më të zhgënjyer janë votuesit e majtë te cilët shpresuan tek premtimet e mëdha të dy viteve më parë.

“E di që keni shpresuar në ato 300 mijë vende pune që s’u hapën kurrë. E di që keni votuar për uljen e çmimit të energjisë dhe tani iu kërcasin sytë, kur shikoni faturat e rritura të energjisë. E di që keni besuar se do të merrni me të vërtetë subvencione, se do e paguanit naftën më lirë, se ilaçet do i keni falas dhe sot nuk dini nga t’ia mbani sepse të gjitha kushtojnë më shumë, por ju keni më pak lekë në xhep. Ndaj, në 21 qershor le të bashkojmë të gjithë votën, të ndalim të keqen, t’i hapim rrugë të mirës, për Ishmin, me punë dhe dinjitet!”, deklaroi më tej lideri i opozitës./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd