
Tiranë, 3 qershor 2015, NOA.al- Këshilli Kombëtar të Restaurimeve miraton kërkesën për rikonstruksionin e objektit ish-Hotel Dajti, duke u cilësuar si Monument Kulture i Kategorisë II.
Në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Kulturës dy ditë më parë, u shqyrtua projekti “Rikonstruksioni dhe ndërtimi i objektit ish-Hotel Dajti Tiranë-Projekti i Zbatimit”, me porositës Bankën e Shqipërisë.
Këshilli Kombëtar i Restaurimit pezulloi kështu punimet në fasadën e ish-hotel “Dajtit”, i blerë pesë vjet më parë nga Banka e Shqipërisë.
Arsyeja është dalja nga projekti fillestar, i realizuar në fund të viteve ‘30 nga arkitekti italian, Gherardo Bosio.
Godina rezulton objekt i kategorisë së dytë, ndaj fjalën e fundit e ka Këshilli Kombëtar i Territorit.
Pas disa orësh diskutimi, të alternativave dhe të hapësirave ligjore, KKR thellësisht e shqetësuar për gjendjen e degraduar të godinës së ish-Hotel Dajtit, me synimin për të shpëtuar objektin nga degradimi i mëtejshëm, mbështetur në kompetencat dhe detyrimet ligjore të saj, vendosi:
– Të miratojë restaurimin e objektit “Ish-Hotel Dajti”, si Monument Kulture i Kategorisë II, duke ruajtur të pandryshuar pamjet e tij të jashtme dhe duke respektuar rifiniturat, volumetrinë ekzistuese dhe të gjitha dëshmitë historike të tij.
– Të mos miratojë të gjitha shtesat e tjera të propozuara nga projekti brenda perimetrit të territorit të objektit./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





