
Njoftimi që ishte krejtësisht i papritur bëhet në mes të vorbullës së skandalit të korrupsionit që ka përfshirë Federatën
Sepp Blatter, president i federatës botërore të futbollit, FIFA dha sot papritur dorëheqjen në vorbullën e një skandali korrupsioni.
Blatter u rizgjodh për një mandat të pestë vetëm katër ditë më parë. Ai bëri thirrje për një seancë të jashtëzakonshme të Kongresit të Federatës së Futbollit për të zgjedhur një president të ri dhe tha se do të qëndrojë në detyrë deri atëherë.
Duket se zgjedhja e një presidenti të ri nuk do të bëhet për disa muaj.
Komentatorët që njohin procedurat e organizatës parashikojnë që votimi mund të kryhet në periudhën nga dhjetori i këtij viti deri në mars 2016.
Kreu 79 vjeçar i FIFA-s e deklaroi vendimin në një konferencë shtypi në Zyrih. Megjithëse FIFA ka marrë një goditje të fortë nga publiciteti negativ mes akuzave për korrupsion dhe marrje ryshfetesh nga shumë udhëheqës të saj, Blatter kishte këmbëngulur se ishte i pafajshëm dhe kishte premtuar se do ta spastronte federatën e futbollit nga gjithkush i përfshirë në aktivitetet e paligjshme.
Komentatorët sportivë as nuk e prisnin aspak dorëheqjen e Blatterit sot dhe thuhet se ishin “shtangur” nga kjo kthesë që morën ngjarjet.
FBI-ja amerikane dhe policia zvicerane ndërmorën një sërë aksionesh javën e kaluar ndërsa udhëheqësit kryesorë të FIFA-s mblidheshin në Zvicër, mes akuzave për miliona dollarë ryshfete që ishin paguar për të pasur ndikim në vendimet për vendet ku do të mbaheshin aktivitetet ndërkombëtare të futbollit, përfshirë kampionatet botërore.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





