Transmetuar më 02-06-2015, 18:09

Gazeta më e madhe austriake “Der Shtandard” sheh një skenar të ngjashëm me atë të Maqedonisë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Rama për çështjen e kufirit detar në konferencën me kryeministrin Vuçiç dhe më pas reagimit të Ministrisë së Jashtme greke, gazeta austriake thotë se qeveria shqiptare është e shqetësuar për një bllokim të mundshëm nga Greqia të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Arsyetimi që mund të ngrihet nga Athina zyrtare mund të jetë i njëjtë me rastin e Maqedonisë që akuzohet për pretendime territoriale ndaj Greqisë.

Nëse do të ndodhë, shkak për bllokimin e Shqipërisë mund të jetë çështja e kufirit detar dhe kërkimet greke për naftë në detin Jon, për të cilat të dyja vendet ndajnë qëndrime të ndryshme. Gazeta kujton se Greqia jo pa hezitim i hapi dritën jeshile Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Athina mund të pranojë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, vetëm kur kufijtë detarë të jenë qartësuar.

Një qëndrim të tillë e kishte artikuluar më parë edhe ish – ministri i Jashtëm grek, Venizelos. Sipas “Der Shtandard” mes dy vendeve ka dhe çështje të tjera që mbeten të pazgjidhura dhe që mbajnë në llogore të ndryshme palët. Këtu përmenden ngritja e varrezave për të rënët grekë të Luftës së Dytë Botërore në jug të Shqipërisë, kërkesat e çamëve për njohje të pronave dhe shtetësisë, si dhe ligji grek i luftës që nuk është abroguar ende nga parlamenti grek.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd