


Tiranë, 2 qershor 2015, NOA.al- Kur më pak se 20 ditë ndajnë nga dita e zgjedhjeve lokale, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Donald Lu, ka zhvilluar një takim me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Qëllimi i takimit ishte njohja e ambasadorit me përgatitjet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën për zgjedhjet vendore, të datës 21 qershor.
Ambasadori Lu përgëzoi KQZ-në për punën e tij, për të zbatuar Kodin Zgjedhor.
Ai theksoi rëndësinë e të gjitha institucioneve zgjedhore, nga KQV-të tek KQZ e deri tek Kolegji Zgjedhor, për të zbatuar ligjin në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.
Ambasadori nënvizoi rolin jetik të KQZ-së, për të ruajtur demokracinë shqiptare dhe bëri një paraqitje të mbështetjes së qeverisë së SHBA për vëzhgimin vendas dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve.
Nga ana e saj kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi pasi e ka falenderuar ambasadorin për mbështetjen që ambasada dhe qeveria amerikane, i kanë dhënë KQZ-së përmes projekteve të ndryshme, në funksion të proceseve zgjedhore në Shqipëri, bëri një panoramë të vendimmarrjes së KQZ-së, projekteve të realizuara dhe punës së bërë deri tani nga Komisioni, në funksion të mirëorganizimit dhe mirëadminstrimit të procesit zgjedhor./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





