
Tiranë, 2 qershor 2015, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit italian, Sergio Mattarella me rastin e festës së Republikës Italiane.
Kreu i shtetit krahas urimit vlerëson se ndihma e Italisë për rimëkëmbjen ekonomike pas rënies së komunizmit, si dhe mbështetja e gjithanshme për anëtarësimin në NATO dhe procesin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian, mbeten të pazëvendësueshme.
Mesazhi i urimit:
“I nderuar Zoti President,
Kremtimi Festës së Republikës Italiane, më jep kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe të popullit shqiptar, t’Ju dërgoj Juve dhe popullit mik italian urimet më të ngrohta e më miqësore.
Përfitoj nga rasti që, në këtë ditë të shënuar për vendin dhe popullin tuaj, të shpreh edhe njëherë mirënjohjen në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, për ndihmën e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në dy dekadat e fundit. Ndihma e Italisë për rimëkëmbjen ekonomike pas rënies së komunizmit, si dhe mbështetja e gjithanshme për anëtarësimin në NATO dhe procesin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian, mbeten të pazëvendësueshme.
Gjithashtu, dëshiroj që të theksoj se, falë lidhjeve historike e kulturore të miqësisë, si dhe bashkëpunimit shumëdimensional ekonomik e shoqëror, sot trashëgojmë marrëdhënie të shkëlqyera të një partneriteti strategjik, me të gjitha mundësitë për t’i zhvilluar e thelluar ato më tej.
Duke ju siguruar për ndjenjat e miqësisë së popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”/a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





