Transmetuar më 02-06-2015, 11:37

Tiranë, 2 qershor 2015, NOA.al- Niset me mision në Afganistan kontigjenti i dytë paqeruajtës.

Në kuadër të misionit të NATO-s “Resolute Support Mision”, është nisur për në Kabul, Afganistan, kontingjenti i dytë paqeruajtës i përbërë nga 30 trupa, efektivë të Batalionit të Parë të Këmbësorisë në Vaun e Dejës.

30 trupat do të qëndrojnë në mision për një periudhë 6 mujore në Kabul dhe do të veprojnë në përbërje dhe varësi të Komandës Rajonale Turke në Kabul.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e pranishme në ceremoninë e organizuar me këtë rast në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, tha se, “Ju, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Batalionit të Parë të Këmbësorisë, po niseni drejt një rajoni të largët, por ku shumë shqiptarë, kolegë tuajt, kanë shkruar historinë e sakrificës, përkushtimit dhe profesionalizmit ushtarak. Që nga viti 2002, ishim ndër të parët që iu bashkuam Koalicionit Ndërkombëtar që u vendos në Afganistan për të luftuar të keqen që vinte nga radikalizmi dhe fundamentalizmi, në kuadër të misionit ISAF” .

Më pas ajo bëri një rezyme të kontributit shumë vjeçar që Forcat e Armatosura Shqiptare kanë dhënë përkrah me aleatët dhe partnerët e NATO-s.

Ministrja nënvizoi se misioni tashmë ndihmon ngritjen e kapaciteteve të sigurisë në Afganistan, duke ndihmuar personelin vendas për më shumë ekspertizë dhe profesionalizëm.

“Ne duhet të mbajmë në këmbë gjithçka kemi ndërtuar në këto vite në Afganistan. Shumë përpjekje janë bërë, shumë jetë njerëzore janë humbur, shumë burime janë harxhuar për të vendosur paqe e siguri në atë vend të largët për nga kilometrat, por të afërt për nga rreziqet që i solli familjes sonë euro-atlantike. Më lejoni të kujtoj me krenari dëshmorin e atdheut, kapiten Feti Vogli, i cili ra si hero në krye të detyrës, duke vënë jetën në shërbim të së mirës së përbashkët. I nderuar qoftë kujtimi i tij!”, deklaroi ministrja Kodheli.

Ajo shprehu mbështejen e qeverisë në rrugën e përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, modernizimin e pajisjeve, si dhe për krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore

“Ju keni kapacitete të plota operacionale, jeni të stërvitur njësoj si në kushtet e luftës dhe çka është më e rëndësishmja ju keni vullnetin për t’i dalë ballë detyrave tuaja”, tha më tej Ministrja e Mbrojtjes.

Në ceremoninë e përcjelljes së Kontigjentit të Dytë Paqeruajtës në Afganistan ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hidyet Bayraktar, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të FA, familjarë dhe të afërm të paqerujtësve etj./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd