Transmetuar më 02-06-2015, 11:22

Lezhë, 2 qershor 2015, NOA.al- Kandidati i majtë për Lezhën Viktor Tushaj ka nisur takimet në qytet, duke u ndalur në lagjen “Besëlidhja”.

Tushaj, vlerësoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për realizimin e atyre projekteve madhore të cilat po japin efektet e tyre në rritjen e standardit të jetës së qytetarëve lezhjanë.

“Në harkun e këtyre viteve kemi ditur të ndërtojmë ato modele, kemi ditur që të vendosim gurë të rëndësishëm në themelin e zhvillimit për të ecur përpara. Përpiqem që ta transformoj qytetin duke u ardhur në ndihmë nevojave dhe shqetësimeve për ta shfrytëzuar së bashku qytetin. Unë sot vij përpara jush pa dyshim që të shpalos dhe platformën elektorale për katër vitet e ardhshme në krye të bashkisë së madhe. Unë vij me avantazhin e asaj eksperience që kam në krye të baskisë, në njohjen e gjithë problematikave që ka bashkia e qytetit. Vij me avantazhin e gjithë eksperiencave që kam në ndërtimin e projekteve dhe në realizimin e disa projekteve të cilat sot na bëjnë krenarë si qytetarë të Lezhës”, deklaroi Tushaj.

Kandidati i së majtës tha se një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe qendrës së qytetit.

“Rruga e kalasë së qytetit jam i bindur se ka bërë krenar çdo qytetar lezhjan sepse e kemi bashkuar tashmë me vizitorët, por dhe me qytetarët një nga asetet më të rëndësishme, me kalanë e qytetit. Kemi ndërtuar edhe infrastrukturën e tjetër që ishte e pamenduar si rruga dytësore e spitalit që është nevojë e të gjithëve. Ajo që mua sot më bën akoma më krenar është qendra e qytetit të Lezhës, qendra e qytetit e cila besoj jo vetëm ka bërë krenar edhe Kryeministrin, por na ka bërë krenar të gjithë ne që jemi partnerë të realizimit të këtij projekti. Shëtitorja e Bregut të Drinit, një shëtitore për të cilën besoj se të gjithë qytetarët e kanë ëndërruar të cilën vizitorët turistë, por edhe qytetarët ndjehen krenarë për një shëtitore të Bregut të Drinit që do të jetë modeli më i mirë që do të na udhëheqë në të ardhmen që ta realizojë në të gjithë gjatësinë e lumit Drin. Unë jam i bindur se të gjitha këto nuk janë gjithçka që kanë nevojë qytetarët”, u shpreh ai.

Tushaj nënvizoi se ndarja e re territoriale do t’i japë një impuls të ri zhvillimit ekonomik duke rritur potencialet e Lezhës.

“Unë jam i bindur se shumë e shumë gjëra të tjera duhen për qytetarët, reforma administrative territoriale do t’i japë një autoritet tjetër Bashkisë së Lezhës. Do t’i japë një autoritet tjetër për shkak të numrit të banorëve janë 120 mijë banorë, janë 460 kilometra katrorë, janë resurse që i bashkohen resursit që ka qyteti. Do t’i shtohet resursi i bujqësisë, do t’i shtohet një vijë prej 29 kilometra bregdete, do t’i shtohen dy laguna dhe të gjitha së bashku këto resurse me kapitale të mrekullueshme njerëzore, do ta kthejmë bashkinë e Lezhës në një bashki pilot dhe do t’i garantojë kësaj bashkie zhvillimin ekonomik”, tha Tushaj.

Deputeti i zonës Gjovalin Kadeli e ka cilësuar votën për kandidatin Tushaj, si alternativën më të mirë për qeverisjen e pushtetit vendor.

“Viktorin e kemi në mesin tonë për shumë e shumë arsye, por arsyeja kryesore është se Viktori është njeriu që po fillon dhe po transformon Lezhën në drejtimin e duhur për shkak të një numri të madh deputetësh që Viktori mbështetet prej tyre. Mbështetet jo vetëm sot gjatë fushatës, por do të mbështetet edhe nesër në organizimin e projekteve të tij për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka si znj. Mimi Kodheli, si znj. Monika Kryemadhi, nga unë apo z. Arben Ndoka në qeverinë aktuale”, tha Kadeli.

Edhe deputeti i PS-së Arben Ndoka vlerësoi kandidaturën e Tushaj, duke thënë se atij nuk i mungon kurajo për të paraqitur projekte, gjë të cilën e ka bërë deri tani dhe në realizimin dhe marrjen e projekteve do të ketë si garanci të gjithë deputetët që e mbështesin në çdo hap për fitoren e tij”./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd