Transmetuar më 01-06-2015, 16:34

Edhe pse skuadra e tij nuk do të marrë pjesë në Uefa Champions League sezonin tjetër, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis nuk heq dorë nga objektivi i tij numër 1 për stolin, që është trajneri aktual i Sevillas Unai Emery.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, numri 1 i klubit të kaltër në orët e ardhshme pritet të udhëtojë drejt Madridit me synimin për të bindur teknikun 43-vjeçar të marrë drejtimin e Napolit.

De Laurentis pritet ti vendosë në pjatë një kontratë 3-vjeçare ish trajnerit të Almerias, Valencias dhe Spartakut të Moskës, por që Unai Emery të heqë dorë nga Championsi duhet që më parë presidenti i Napolit ti paraqesë një projekt serioz.

Kontakti i parë mes palëve ka qenë javën e kaluar kur drejtuesit e Napolit biseduan nga afër me menaxherin e trajnerit spanjoll Quillon, që mbron gjithashtu edhe interesat e Rafa Benitez dhe Pepe Reinas.

Por për shkak të finales së Europa League bisedimet mes palëve ngrinë për të vazhduar sërish këtë javë.

Shanset që Emery të pasojë Benitezin duke marrë drejtimin e Napolit janë 50 me 50. De Luarentis beson se me 43-vjeçarin në krye skuadra e tij do të dijë të ringrihet pas një sezoni të dështuar ku nuk arriti të kualifikohej dot as në Uefa Champions League.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd