
Tiranë, 1 qershor 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama thotë se në katër vitet e ardhshme do të bëhet për Tiranën më shumë se sa në kohën kur ishte ai kryebashkiak.
Gjatë prezantimit të projektit për parkun olimpik dhe kopshtin zooloogjik ai tha se kombinimi i këtyre projekteve bashkë me parkun e Tiranës do të kthejë një hapësirë të madhe për qytetarët, në mënyrë që të ketë një zonë të madhe të gjelbër e cila do ti japë qytetit më shumë oksigjen dhe optimizëm.
“Në këtë zonë ka një konflikt të madh të komunitetit që është kthyer në një konflikt të gjithë qytetarëve me idenë e ndërtimit të disa ngrehinave gjigante. Katër vjet më parë kryetari i sotëm i bashkisë doli dhe premtoi se do bënte këtë që po bëjmë ne sot, se do e kthente në hapësirë të gjelbër dhe sportive. Jo vetëm që nuk e bëri, por pasi u betua që asnjëherë nuk do të jepte leje për ato ngrehinat që kanë çelur aty një gropë më të madhe se e Hajdin Sejdisë, e vetmja gjë që bëri është që i bëri gropën kësaj zone. Ne po punojmë që ta bëjmë Tiranën çdo ditë e më të jetueshme dhe se historia e shkëlqimit të Tiranës nuk ishte rezultat i një personi, por ishte rezultat i një historie që lidhet me një të vërtetë krejt tjetër, me të vëretetën se kush ja lë pushteti demokratëve në dorë merr veten më qafë dhe kush ua lë socialistëve ka në këmbim vetëm zhvillim harmonoik urban dhe social”, u shpreh Rama.
Ai tha më tej se katër vitet e ardhshme do jenë prova e fortë e faktit se socialistët dhe progresistët me kryebashkiakët dhe qeverinë që është e orientuar nga një vizion zhvillimi për komunitetin do bëjë më tepër për Tiranën se sa kur ishte vetë ai kryetar bashkie.
Sipas tij me Erion Veliaj do bëhet për Tiranën shumë më tepër në çdo komunitet dhe drejtim, përfshirë dhe sportin dhe hapësirat për fëmijët.
Lidhur me sportin ai tha se është lënë tërësisht në harresë për vite të tëra dhe i ka munguar për një kohë të gjatë jetës komunitare dhe në shkollë.
Kreu i qeverisë shtoi se po të mos ishte kombëtarja e futbollit dhe Federata Shqiptare e Futbollit, që edhe për shkak të fuqisë më të madhe financiare që ka në raport me kategoritë e tjera, do dukej se në Shqipëri nuk do kishte sport fare.
“Do ketë vend më në fund për federatat e shumësportshit, basketboll, volejboll, që kanë 25 vjet që mbijetojnë në skuta të mbetura që nga koha e vjetër dhe s’kanë asnjë zyrë dinjitoze dhe jo më pastaj hapësira që të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe të përfaqësohen me dinjitet në sytë e të tjerëve. Në parkun olimpik të gjitha federatat do kenë hapësirën e tyre dhe nivel të ri administrativ. Do ketë hapësirë dinjitoze për kampionët e peshëngritjes dhe mundjes të cilët kanë arritur në vite rezultate të jashtëzakonshme por që në shekullin e 21 stërviten më keq se kampionë të tjerë të së kaluarës që sot janë pikë referimi për më të rinjtë”, tha më tej Rama.
Ai vijoi duke nënvizuar se në 18 muaj janë bërë investime për sportin aq sa nuk janë bërë në 20 vjet të marra së bashku.
Rama deklaroi po ndërtohet një stadium i ri në Shkodër dhe më tej po bashkëpunohet për të vazhduar më tej për të realizuar stadiumin e madh kombëtar të Tiranës.
Kreu i qeverisë shprehu vendosmërinë për të shtuar numrin e terreneve sportive komunitare në të gjithë vendin./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





