Transmetuar më 01-06-2015, 11:29

Tiranë, 1 qershor 2015, NOA.al- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një bashkëbisedim me të rinjtë në qytetin e Vorës, nga ku u zotua për modelin më të mirë të shërbimit dhe punësimit.

Meta tha se Vora ka një të ardhme të shkëlqyer dhe se po zgjohen energjitë e fjetura sidomos te të rinjtë dhe të rejat.

Lideri i LSI-së u shpreh se ora e ndryshimit po troket edhe për Vorën dhe se përmes votës më 21 qershor, populli do t’i thotë po alternativës së majtë.

“Më akuzojnë mua pse vij në Vorë, pse shkon Ilir Meta në Vorë?!. Po çfarë faji kam unë që të gjitha rrugët kalojnë nga Vora?! Çfarë faji kam unë që ata të tjerët përtojmë të ndalen në Vorë kur ikin për në Shkodër, kur ikin për në Durrës, kur ikin për në plazh apo kur ikin në aeroport? Unë nuk përtoj të ndalem. Pas 21 qershorit do të vij dy herë në ditë në Vorë. Dhe do vij që të zbatojmë planin dhe programin tonë sepse do ta bëjmë Bashkinë e re të Vorës modelin më të mirë për shërbimin dhe për punësimin në nivel kombëtar”, u shpreh Meta.

Meta tha më tej se programi i kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” Luan Sallaku mbështetet fort në punësimin e rinjve si dhe në hapjen e shkollave të formimit profesional në mënyrë që të rinjtë dhe të rejat të arsimohen në profile profesionale të caktuara.

“Ne kemi një program. Programi ynë ka shumë çështje po ku çështja kryesore është punësimi dhe ne garantojmë që brenda dy viteve ne do të realizojmë punësimin e çdo banori të Vorës që do të punojë. E para do të kemi një prioritet të veçantë në bashki dhe do të kemi një fond për nxitjen e punësimit dhe për formimin profesional. Së dyti me të gjithë bizneset që janë aktualisht në territorin e bashkisë së re të madhe të Vorës, do të bisedojmë në mënyrë të qartë që për çdo vend të ri pune që ata do të hapin, do të gëzojnë mbështetje nga ana e bashkisë dhe nga ana e qeverisë. Së dyti për çdo investim të ri që do të bëhet në Vorë nuk do t’i kërkojë njeri lekë atij biznesi të huaj apo shqiptar që do të vijë të bëjë këtu ndërtimin. Por një kusht do ta ketë? Që në radhë të parë do të marrë nga Vora, nga Domja, nga Bërxhulli dhe nga Preza njerëzit në punë”, tha Meta.

Lideri i LSI-së theksoi gjithashtu se bashkia e re do të ketë një departament të veçantë për bujqësinë si një prioritet për Bashkinë e re të Vorës.

Në mbylljet ë fjalës së tij Ilir Meta deklaroi se Bashkia e re e Vorës i ka të gjitha potencialet për t’u shndërruar në një bashki në standardet europiane pasi i ka të gjitha asetet natyrore për të qenë e tillë.

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku, tha se kontrata me të rinjtë e Vorës është nënshkruar dhe se do të garantohet punësimi për të gjithë ata. “Kontrata me rininë fillon këtu në Vorë, kontratën me rininë fillon në komunë e Prezës, kontrata me rininë fillon në komunë e Bërxullit, kontrata me rininë fillonë sot këtu në Vorë si mbështetëse kryesore dhe si lokomotivë e të gjithë energjive potenciale që ju keni. Ne kemi një plan të detajuar për rininë e Vorës ku në radhë të parë është objektivi në punësimin e të rinjve të Vorës, në punësimin e të rinjve të Bërxullit, në punësimin e të rinjve të Prezës dhe këto sëbashku janë pjesë e ndarjes së re administrative territoriale të bashkisë së re të Vorës. Me hapjen e shkollës profesionale, me hapjen e vendeve të reja të punës, në bashkëpunim me biznesin privat, ne kemi hapësira të mëdha dhe potenciale për të pasur një punësim sa më eficent për rininë e Vorës. Jemi këtu për t’ju dhënë fjalën dhe për të lidhur kontratën me ju, që jemi bashkëpunëtorë të denjë në këto zgjedhje të 21 qershorit, pasi ju jeni energjia më potenciale, më pozitive për fitoren e këtyre zgjedhjeve”, tha Sallaku.

Ndërsa Zëvendësministria e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj theksoi në fjalën e saj se të rinjtë do të jenë prioritet për kryetarin e ri të Bashkisë së madhe të Vorës  Luan Sallaku./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd