


Tiranë, 1 qershor 2015, NOA.al- Kandidati demokrat për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorët e zonës së Kinostudios.
Gjatë takimit me ta Kosova u ndal në projektin e tij për të sjellë ujë të rrjedhshëm 24 orë në ditë në çdo familje në Tiranë. Po ashtu, kandidati për kryebashkiak u foli qytetarëve edhe për planet e tij për strehimin dhe arsimin.
“Po bëjmë të gjithë përllogaritjet që Tirana ka mundësi të ketë furnizim 24 orë me ujë. Dhe të gjithë këto fuçira, depozita që nganjëherë bëhen dhe mollë sherri midis komshijve, të hiqen më në fund nga qyteti ynë. Do ta sjellim ujin pa qënë nevoja ta japim më koncesion se nuk duam të na ndodhë siç ka ndodhur me energjinë elektrike. Menaxhimi është plotësisht i mundshëm nga Bashkia e ardhshme e Tiranës. Në çdo objektiv të jemi të saktë, me fillime, me mbarime afatesh , me objektiva, me standarde dhe çdo gjë do të jetë e mirëkalkuluar në mënyrë që çdo gjë të bëhet realitet”, tha Kosova.
Lidhur me banesat për të pastrehët, ai u shpreh se janë rreth 7000-8000 apartamente që kanë ngecur dhe që nuk shiten më në Tiranë.
“Ideja ime është kjo, që në qoftë se një firmë ndërtuese ka 60 hyrje dhe i ka shitur 45 ose 50 dhe i kanë ngelur 10 dhe nuk po ecin më, unë do të kërkoj një çmim në kosto, në mënyrë që Bashkia të bëhet ndërmjetëse për ti marrë dhe për t’ia dhënë atyre që kanë nevojë. E para. E dyta, kur një qytetar merr një apartament me qera, ne duam të bëjmë një lloj kontrate me ndërtuesin, që personi që ka ndenjur me qera për disa vite aty, e gjithë qeraja t’i quhet dhe ti zbritet nga çmimi i shtëpisë. Ne po bëjmë të gjitha tratativat sesi t’i ofrojmë, si ta rregullojmë tregun, si ta menaxhojmë tregun, nevojat e ndërtuesve me bllokimin e punës, me bllokimin e blerjeve dhe nevojat e qytetarëve për ta hapur një derë dhe për të gëzuar jetën aty”, shprehet Kosova.
Sa i takon rrugëve ai deklaroi se nuk ka rrugë socialiste, rrugë demokratike, nuk ka unazë socialiste, unazë demokratike, nuk ka bulevard socialist, bulevard demokratik, por se ka bulevarde, rrugë, trotuare, pemë, lulishte, shkolla për të gjithë banorët e Tiranës dhe këtë e cilësoi sekretin e tij./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





