
Në përditësim të vazhdueshëm
20:30- Kumanovë, dorëzohet grupi i armatosur, ende 12 të tjerë refuzojnë
Mediat maqedonase bëjnë të ditur se është dorëzuar grupi i armatosur në Kumanovë, pas ndërmjetësimit të OSBE-së.
Mësohet se 22 ushtarë të UÇK janë dorëzuar pas orëve të tëra luftimesh ndërkohë 12 të tjerë refuzojnë dorëzimin.
Luftimet në “Lagjen e Trimave” nisën në orët e para të mëngjesit duke lënë pasoja tronditëse.
Ndërkohë jozyrtarisht flitet për dhjetë viktima e të plagosur pas përleshjeve me policinë. Sipas mediave, janë vrarë të paktën 4 oficerë policie dhe disa civilë, mes të cilëve edhe një vajzë 8 vjeç.
Gjatë situatës së luftës në lagjen me shumicë shqiptare, janë djegur edhe banesa e shkolla.
Zaev: Gruevski dhe Ahmeti të japin llogari për ngjarjet në Kumanovë
Kryetari i LSDM-së opozitare në Maqedoni, Zoran Zaev i kërkon qeverisë të sqarojë atë që po ndodh në Kumanovë. Zaev thotë se edhe partneri shqiptar i qeverisë, Ali Ahmeti i BDI-së, duhet të jetë në krah të Gruevskit dhe të sqarojë se kush janë grupet kriminale terrorsite, nga cili shtet fqinj vijnë dhe kush i organizon për të destabilizuar Maqedoninë. Sipas liderit opozitar, mes viktimave ka shqiptarë e maqedonas, ndaj duhet të flasin Gruevski e Ahmeti.
OSBE bën thirrje për vetëpërmbajtje
Përfaqësia e OSBE-së në Shkup ka reaguar në lidhje me ngjarjet më të fundit në qytetin e Kumanovës. “Besojmë se siguria e civilëve është me një rëndësi të veçantë në këto momente. Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse dhe u kërkojmë të gjithë qytetarëve dhe partive në Maqedoni që të ruajnë qetësinë. Parësore në këto orë është shmangja e përshkallëzimit të situatës, që mund të çojë në rritje të mëtejshme të luftës”- thuhet në deklaratën e OSBE-së.
Në Kumanovë situata vazhdon të jetë e tensionuar pas të shtënave me armë që terrorizuan qytetin orët e fundit. Dyshimet janë se të paktën dhjetë persona kanë gjetur vdekjen në këtë ngjarje, kurse zyrtarisht flitet për pesë të vrarë.
Jozyrtarisht bëhet e ditur se janë vrarë të paktën 4 oficerë policie dhe disa civilë, mes të cilëve edhe një vajzë 8-vjeçare. Ndërkohë, spekulohet se mes viktimave është edhe Fadil Fejzullai nga Kumanova, ish-pjesëtar i UÇK-së, në shtëpinë e të cilit dyshohet se po qëndronte grupi i armatosur. Zyrtarisht autoritetet maqedonase thonë se policia ndërhyri në Kumanovë pas informacioneve se “një grup i armatosur terrorist që kishte hyrë nga një vend në Kumanovë, po bëhej gati të kryente sulme terroriste”.
Por banorët e Kumanovës thonë se nuk kanë asnjë informacion se cilët mund të jenë personat e armatosur që përmendin zyrtarët maqedonas.
Zëdhënësi i Ministrisë Brendshme maqedonase, Ivo Kotevski tha se operacioni policor vazhdon dhe shtoi se kjo ndërhyrje ka hasur në rezistencë të fortë.
Pak pas mesditës janë rikthyer të shtënat me armë zjarri në lagjen e banuar nga shqiptarët, në qytetin e Kumanovës në Maqedoni. Forca të shumta policore janë shtuar në Kumanovë, me një urdhër të ministres së Brendshme maqedonase, Jankullovska.
Në atë që po cilësohet si “lagjja e trimave” në Kumanovë, është bërë rrethimi i zonës si dhe është evakuuar një pjesë e banorëve.
Në këtë situatë, banorët kanë informuar misionin vëzhgues të OSBE-së duke kërkuar që të ndërmarrin masa të menjëhershme për normalizimin e situatës dhe gjetjen e një zgjidhje, për të evituar shtrirjen e incidenteve.
“Apelojmë që të na ndihmoni dhe të normalizoni situatën. Kjo është e padurueshme, tmerr i vërtetë dhe trishtim i madh. Kërkojmë që ju si OSBE të ndërhyni dhe të qetësoni situatën, sepse kemi humbur shpresat tek partitë politike”, thotë E.Iseni nga Kumanova.
Ndihmë kërkohet edhe nga misionet e tjera ndërkombëtare europerëndimore, që të ndërhyjnë në qetësimin e situatës dhe gjetjen e një zgjidhje për të mos përjetuar dëme të mëdha dhe shkatërrim të kësaj lagje shqiptare dhe evitimin e mundësisë së shpërthimit të incidenteve dhe inskenimeve të mundshme të tjera.
Një pjesë e banorëve të rrugëve të mësipërme të kësaj lagjeje nuk janë evakuuar dhe kanë vendosur të qëndrojnë pranë shtëpive të tyre.
Banorët kërkojnë që sa më shpejt të vijnë edhe ndihma, për shkak se shumica e popullatës janë pa ushqime.
Përfaqësuesit e OSBE-së vendosën të realizojmë një takim me përfaqësuesit e qeverisë maqedonase për të parandaluar këtë dhunë ndaj popullatës civile.
Qytetarët e revoltuar kërkuan nga OSBE që të ndihmojnë në ndërprerjen e këtij represioni ndaj popullatës shqiptare, përndryshe siç thanë ata, do të marrin masa tjera për t’i mbrojtur pragjet e shtëpive të tyre.
Reagon Presidenti Nishani: Të vlerësohen me kujdes marrëdhëniet ndëretnike
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani reagon lidhur me ngjarjet në Kumanovë duke thënë se po ndjek me shqetësim të madh situatën dhe ndikimin e tyre në stabilitetin e vendit fqinj dhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
Kreu i Shtetit shpreh ngushëllimet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas, që kanë humbur të dashurit e tyre në këto akte dhune, duke i dënuar ato me forcë. Presidenti Nishani i bën thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe ruajtjen e qetësisë si dhe thekson se, ushtrimi i dhunës nuk ndihmon qetësimin e situatës dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Presidenti i Republikës thekson gjithashtu se, të gjitha palët duhet të vlerësojnë me shumë kujdes marrëdhëniet ndëretnike dhe, në respekt të Marrëveshjes së Ohrit, të ndërmarrin hapat dhe veprimet e duhura për qetësimin e situatës, sqarimin e saj dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë.
Përleshjet me të vrarë në Kumanovë, UÇK merr përsipër sulmin
Serbia, trupa shtesë në kufi me Maqedoninë
PD: Autoritetet maqedonase të garantojnë jetën e popullatës
PDIU: Qeveria shqiptare dhe e Kosovës të vendosin para përgjegjësisë qeverinë maqedonase
Majko: Shqiptarët po paguajnë me çmim të lartë “sallatën maqedonase”
Situata në Maqedoni, MPJ e Shqipërisë: Dënojmë dhunën, thirrje për qetësi
Viktima në Kumanovë, BDI: Qytetarët të mos bien pre e provokimeve
Koment: Çfarë po ndodh në Kumanovë, skenarë ogurzi?!
Nga Naser Pajaziti / INA
Kumanova sot u zgjua që në orët e para të mëngjesit nga krisma armësh të fuqishme, helikopterë dhe një situatë e tmerrshme me tymnajë e frikë.
Kumanovarët sot në mëngjes nuk kishin pritur këtë ngjarje, e cila po rikthen vitin 2001.
Fëmijët nën lotë, gra e pleq të tmerruar nga krismat dhe lufta e vërtetë që ka përfshirë qytetin, sidomos lagjen e njohur “Lagja e Trimave”.
Por çfarë në të vërtetë po ndodhë ky skenarë ogurzi.
Banorët akoma nuk e kanë të qartë të vërtetën, përveç shushurimave se ka grupe të atilla apo të këtilla dhe që policia po gjuan në drejtim të tyre.
Shtëpitë janë mbyllur dhe të gjithë janë strukur duke pritur ndalimin e këtij skenari ogurzi.
Mjaft më me skenare të këtilla që gjithmonë kanë pasur si cak këtë zonë dhe këtë pjesë më të varfëruar dhe dëmtuar të shqiptarëve.
Pse Kumanova të pësojë nga këto grupe të armatosura dhe nga kjo tymnaje trishtuese.
Dikush duhet të jap llogari, kushdo qoftë ai. Janë banorët e mjerë që po paguajnë faturën e terrorit, trishtimit dhe dëmeve të pësuara.
A ishte sot i nevojshëm një skenarë i tillë, që më shumë do t`i shërbejë si alibi pushtetit aktual, për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike.
Krerët e partive politike shqiptare janë më përgjegjësit që sollën këtë të keqe.
Të gjithë kanë përgjegjësi sepse falë tyre sot Kumanova dhe shqiptarët këtu po përjetojnë një skenarë ogurzi dhe tmerrin e terrorit.
Pikërisht Ali Ahmeti sot ka përgjegjësinë më të madhe, të jap llogari, të sqarojë dhe të parandalojë këtë skenarë dhe lojë të djallit.
Funksionarët e tij që sot kanë planifikuar fundjavën dhe piknikët duhet të jenë në Kumanovë dhe bashkë me atë edhe përfaqësuesit e partive të tjera dhe sektori joqeveritar, për të parandaluar të keqen që po zihet.
A jeni në Qeveri dhe a thatë se nuk do ikim.
Atëherë shtrëngoni prapanicën dhe ejani këtu, sepse thirreshit në rolin e zjarrfikësve. Mos luani lojën e strucit, por dilni dhe merrni përgjegjësinë.
Apelet janë të ndryshme për qetësi nga banorët dhe të mos bien pre e ndonjë provokimi apo situate të padëshirueshme.
Kush është ky dreq skenarë që ka mbushur me gëzhoja plumbash rrugët e lagjeve shqiptare të Kumanovës.
Faktorët politik dhe institucional në vend duhet sa më shpejt të përkujdesen për Kumanovën. Ndërkohë, mesazhet e tilla i dedikohen edhe faktorëve ndërkombëtarë, që nuk duhet të rrinë duarkryq në këtë tmerr të vërtetë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





