
Në disa faqe interneti është publikuar këto ditë një informacion ku pretendohet se “Çalik Holding po u shet ALBtelecom-in grekëve”.
Operatori fiks më i madh i Shqipërisë, ALBtelecom doli sot me një deklaratë zyrtare për shtyp ku informon publikun se informacioni i shpërndarë nuk paraqet të vërtetën.
“ALBtelecom, me performancën e lartë dhe në mënyrë konstante vijon të rritet duke ofruar shërbimet më të mira për qytetarët e Shqipërisë”, – thuhet në qëndrimin zyrtar të ALBtelecom.
Kompania, evidenton edhe faktin se kohët e fundit bëri lançimin e shërbimit më të ri IPTV (ALBtv) dhe se ka marrë dy licenca për ofrimin e shërbimeve 4G, duke vijuar fuqishëm investimet e planifikuara në këtë drejtim.
“Siç duket qartë, ashtu siç nuk ekziston asnjë vendim lidhur me shitjen e ALBtelecom, kompania jonë po vijon strategjinë e zgjerimit dhe rritjes në Shqipëri dhe vende të tjerë të Ballkanit”, – njofton ALBtelecom duke theksuar se e bën këtë deklaratë me qëllim mirë-informimin e publikut shqiptar dhe atij rajonal. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





