Transmetuar më 05-05-2015, 13:51

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka pezulluar shefin e antikrimit të policisë së Kukësit, të përfshirë në ngjarjen e një dite më parë, gjatë një proteste të shoqërisë civile në Kukës.

“Pavarësisht se protesta e disa qytetarëve në Kukës ishte e paligjshme dhe e dhunshme, punonjësi i Policisë së Shtetit është pezulluar deri në hetimin e plotë të ligjshmërisë së veprimeve dhe zbatimit të procedurave të parashikuara”, bën të ditur Tahiri.

Ministri i Punëve të Brendshme shprehet se pjesëmarrja me armë në një tubim është e paligjshme, “ashtu siç është tërësisht e papranueshme sjellja e punonjësve të policisë që tejkalojnë ligjin për t’i bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo”.

Ministri shprehet se do të bëhet hetimi i plotë i këtij rasti, si dhe do të rishikohen aktet dhe procedurat për zbatim në rastet e tubimeve dhe masave policore.

Policia e Kukësit informon se nga analiza e bërë për veprimet në zbatim të procedurave standarde për parandalimin e bllokimit të rrugës nga ana e punonjësve të policisë ka rezultuar se nuk janë përmbushur me korrektesë procedurat standarde nga punonjës të veçantë të policisë.

Për këtë Drejtori i Policisë së Qarkut ka vendosur pezullimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Kukësit Komisar Albion Xhitoni, si dhe të ndihmëspecialistit po në këtë seksion Inspektor Shkëlzen Neza.

Protesta për kamatat e OSHEE, shefi i krimeve i hakërrehet protestuesve me pistoletë

Këta banorë të Kukësit kishin lajmëruar organizimin e një proteste paqësore, por policia u kishte zënë pritë për të mos dalë në rrugë.

Dhjetëra banorë të Kukësit që dolën me pankarta për të kërkuar faljen e kamatëvonesave të energjisë nuk u lejuan të bllokonin rrugën. Në krye të uniformave të rendit, Shefi i Krimeve të Policisë në Kukës, Albion Xhitoni që ka nxjerrë pistoletën, ka bërë mbushjen e saj dhe ua ka drejtuar protestuesve, madje edhe duke i ofenduar.

Me këto veprime në gjaknxehtësi e sipër, jashtë çdo rregulloreje ai vuri seriozisht në rrezik jetën e protestuesve.

Ndërhyrja e policisë synonte kapjen e organizatorit të protestës, Nderim Lushi i cili është tërhequr zvarrë për në makinën e policisë, ku është qëlluar me shqelma dhe grushte.

Është përsëri Shefi i Krimeve të qytetit që qëllon me grushte Nderim Lushin, edhe në prani të kamerave kur ai ishte i pafuqishëm për të reaguar.

Megjithatë ligji për përdorimin e armëve të zjarrit specifikon situatën, kur punonjësi i policisë mund të përdorë armën.

Disa te pranishem e cilesuan si menaxhim skandaloz të protestës në Kukës dhe e konsideruan te papranueshëm kërcënimin me armë të personave në tubim.

Policia tha se ndërhyri për të shpërndarë protestën pasi bllokimi i rrugës ishte i paligjshëm, pasi organizatoret e protestës nuk kishin marrë leje për zhvillimin e saj.

Dyshimet janë se sjellja e dhunshme e policisë ka vijuar edhe në ambientet e komisariatit ku disa prej protestuesve, sipas Tv Klan, janë dhunuar. 

22:00 – Policia e Shtetit flet zyrtarisht për ngjarjen

“Më datë 04.05.2015 nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës janë marrë masa për mbarëvajtjen e aktivitet politik të subjektit Partia Demokratike, në prezantimin e kandidatit për kryetar Bashkie që do zhvillohej në qytetin e Kukësit, në ora 10-00.

Nga ana e Policisë së Shtetit janë marrë masat për dislokimin e shërbimeve për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti në qytetin e Kukësit në vendin e quajtur “Gjashtëkatëshi”.

Gjithashtu nga shërbimet e komisariatit Kukës, janë marrë masat për mbikëqyrjen policore të qytetarit Nderim Lushi përfaqësues i Shoqërisë Civile, Kukës, i cili me 01.05.2015 kishte kërkuar leje për të zhvilluar një protestë në rrugën e Kombit, me qëllim përmirësimin e kushteve social-ekonomike.

Kjo leje i është refuzuar këtij qytetari me argumentin se policia ishte e angazhuar për krijimin e kushteve normale për mbarëvajtjen e aktivitetit politik të subjektit Partia Demokratike dhe gjithashtu ky refuzim është bërë duke u nisur edhe nga thelbi i kërkesës që bëhej nga qytetari Nderim Lushi mbi bllokimin e Rrugës së Kombit.

Njëkohësisht nga informacionet policore ky individ kishte tendenca për të nxitur qytetarët që thërriste në tubim në akte dhune ndaj pronës publike dhe private.

Megjithëse kjo kërkesë i është refuzuar qytetarit Nderim Lushi, ai përsëri ka konsumuar veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme “, në sheshin para Prefekturës “ Hasan Prishtina “ në qytetin e Kukësit, ndërkohë që në vendin e quajtur “6 katëshi “po zhvillohej aktiviteti politik i Partisë Demokratike.

Në vijim nga shërbimet policore të DPQ Kukës, në zbatim të planit të masave për parandalimin e aktivitetit të paligjshëm që po kërkonte të organizonte Nderim Lushi, janë marrë masa duke dislokuar shërbime policore, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Drinit te Zi”, në Kukës.

Pikërisht në këtë vend rreth orës 12 :00, nga qytetarë të cilët kishin qenë pjesëmarrës në tubimin që kishte zhvilluar në mënyrë të paligjshme Nderim Lushi para Prefektrurës Kukës, është bërë bllokimi i rrugës hyrëse në Kukës afër Urës së Drinit të Zi.

Ndërkohë që nga forcat policore është bëre ndërhyrja për lirimin e aksit rrugor dhe shoqërimin e organizatorëve të këtij tubimi të paligjshëm, qytetarët e tubuar kanë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë me mjete dhe sende të forta (gurë ,drunj etj) megjithëse ju është bërë thirrje nga policia se veprimet ishin të paligjshme.

Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga perosnat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma.

Në vijim të veprimeve policore nga ana jonë është negociuar me përfaqësues të personave pjesëmarrës në këtë tubim, të cilët kanë ndërprerë tubimin dhe si rezultat qytetarët janë shpërndarë, duke sjellë në normalitet situatën e krijuar.

Ndaj organizatorit Nderim Lushi është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme“ dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” parashikuar nga nenet 223 dhe 262 të Kodit Penal.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga Punonjësit e Policisë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm.

Policia e Kukësit, njoftim për pezullimin e dy zyrtarëve

Më datë 04.05.2015  rreth ores 11:00 si rezultat i thirrjes dhe nxitjes së kryer nga shtetasi Nderim Lushi është organizuar një tubim i paligjshëm i cili ka filluar në sheshin para prefekturës në Kukës dhe pas rreth 45 minutash është zhvendosur drejt vendit të quajtur “Ura e Drinit të Zi “ dhe konkretisht me objekt bllokimin e aksit hyrës në qytetin e Kukësit.

Shtetasi Nderim Lushi ka depozituar një kërkesë pranë Komisariatit të Policisë Kukës, ne datë 01.05.2015 nëpërmjet së cilës ka kërkuar që të lejohej një tubim me objekt bllokimin e Rrugës së Kombit, kërkesë kjo që në themel e paligjshme, e cila pas shqyrtimit të saj nisur nga paligjshmëria i është kthyer përgjigje negative, duke e njohur të interesuarin dhe duke e nënshkruar se kishte marrë dijeni.

Lidhur me tubimin e paligjshëm të organizuar nga shtetasi Nderim Lushi, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut janë analizuar veprimet e kundraligjshme të shtetasit Nderim Lushi i cili është nxitës dhe organizator i këtij tubimi të paligjshem nga ku ka rezultuar se ai ishte tërësisht në shkelje të nenenve 223, 262 dhe 293 te Kodit Penal dhe për këto arsye ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë. Njëkohësisht po punohet për sqarimin e rrethanave të hetimit dhe identifikimin e personave të tjerë të cilët kanë kryer veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të policisë.

Gjithashtu nga analiza e bërë për veprimet në zbatim të procedurave standarde për parandalimin e bllokimit të rrugës nga ana e punonjësve të policisë ( vepër penale kjo e parashikuar nga neneni 293 i Kodit Penal) ka rezultuar se nuk janë përmbushur me korrektesë procedurat standarde nga punonjës të veçantë të policisë.

Për këtë Drejtori i Policisë së Qarkut ka vendosur pezullimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Kukësit Komisar Albion Xhitoni, si dhe të ndihmëspecialistit po në këtë seksion Inspektor Shkelzen Neza.

Për hetimin e plotë dhe nxjerrjen e pergjegjësive, Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit  ka filluar hetimin disiplinor për këtë rast, vendimet si rezultat i hetimit  mediave do t’ju behen të ditura nga Drejtoria e Standarteve në përfundim të hetimeve.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës është e motivuar dhe shpreh garancinë, për zbatimin e ligjit ruajtjen e rendit e qetësisë publike, si dhe vënien  para përgjegjësisë ligjore këdo që tenton të shkelë  ligjin.

Reagon ish kryeministri Berisha

“Kjo video tregon keqtrajtimin ç’njerëzor te protestuesve paqësorë ne Kukës vetëm se kërkonin heqjen e kamatëvonesave për energjinë. Ne grupin e policeve shihet dhe nje bandit me uniforme portokalli, civil me revole ne dore, qe iu asiston policeve duke i kërcënuar me revole dhe goditur ata edhe brenda ne makinën e Policisë. Hakmarrje primitive e Ramës ndaj protestuesve paqësorë për braktisjen qe i bënë kuksianeët dje takimit elektoral të Ramës”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd