
Tiranë, 22 prill 015, NOA.al- Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Bashkia e Tiranës në prezantoi sot planin e masave të përshtatjes së qytetit ndaj ndryshimeve klimatike.
Në fjalën e tij nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo vlerësoi planin e masave arritur pas 16 muaj pune me grupe të posaçme, ndërsa shprehu keqardhjen se Tirana edhe pse ka dy projekte madhore që i paraprijnë përshtatjes së ndryshimeve klimaterike dhe këto janë shembujt konkretë se si një qytet mund të adoptojë politika të cilat kanë lidhje me zhvillimin urban, janë bllokuar nga kryeministri Rama.
“Së pari, me fillimin e zbatimit të projektit të rehabilitimit të lumit të Tiranës, ne kemi arritur të përshtatemi me rrezikun e përmbytjeve i cili është gjithnjë e më i theksuar në dekadën e fundit, për shkak të ndryshimeve klimaterike. Pothuajse një vit po e një vit jo, në dekadëne fundit kanë qenë më shumë se 1 mijë familje të cilat përmbyteshin nga vërshimet e lumit të Tiranës. Sot, projekti është ndërprerë për arsye që nuk kanë lidhje me Bashkinë e Tiranës, pra arsye tërësisht politike por sidoqoftë me më shumë se 60% të volumit të punës së bërë në lumin e Tiranës, pavarësisht rreshjeve të mëdha të këtij viti, për herë të parë ne verifikuam 0 shtëpi, banesa apo prona të cënuara. Kjo është meritë e planifikimit të shëndetshëm në këtë drejtim”, u shpreh Bozdo.
Ai tha më tej se me projektin e bulevardit verior i cili gjithashtu është stopuar për arsye përsëri që nuk kanë lidhje me Bashkinë e Tiranës, janë integruar konceptet projektuese miqësore me klimën, siç janë ripërdorimi i ujrave të shiut, termoizolimi i banesave, shtimi i hijeve, sipërfaqeve ujore dhe diçka tjetër, shtimi me afro 300 mijë metra katrorë i sipërfaqes së gjelbër të Tiranës.
Në këtë linjë Bozdo deklaroi se vetëm aksi verior i bulevardit ka të projektuar 300 mijë metra katrorë sipërfaqe të gjelbër të Tiranës, duke balancuar në një mënyrë apo në një tjetër humbjen drastike, dramatike të sipërfaqeve të gjelbra të Tiranës në 15 vitet e fundit, në afro 90% të saj.
Nga ana e tij eksperti i mjedisit, Jamarbër Malltezi prezantoi studimin e kryer mbi disa zona në kryeqytet, si zonat më tipike të cilat veprojnë faktorët klimatik dhe masat përkatëse për të adaptuar.
Ai theksoi se dy shembuj pozitiv që janë të planifikuar në Tiranë janë projekti i zgjerimit të bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës.
“Do të ishin projekte madhore, të konceptuar sipas standardeve ndërkombëtare, shton gjelbërimin, shton sipërfaqet publike, fut në praktikë konceptet e zhvillimit të qëndrueshëm urban, adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike, korridoreve ajrorë, mbrojtje ndaj përmbytjeve, rrit habitatet për specie, natyrisht rrit korridoret me hijëzime”, tha Malltezi.
Plani i masave përshin përmirësimin e planifikimit urban për të siguruar korridore ajrore, futjen e teknologjive të reja të shtrimit të hapësirave publike me qëllim drenazhimin drejtpërdrejt në tokë të ujërave të shiut për ta shmangur përmbytjet, nxitjen e krijimit të “fasadave të gjelbra” dhe i “tarracave të bardha” për efektin Albedo, ndryshimi i standardeve të gjelbërimit për rritjen e hijëzimit të dendur në sheshe dhe trotuare, përdorimi i ngjyrave të hapura për fasadat e ndërtesave, planifikimi dhe mbështetja e fushatave masive për mbjelljen e pemëve për reduktimin e pluhurit në qytet, etj. Tirana ka hedhur tashmë hapat e para në drejtim të adoptimit me ndryshimet klimatike, sepse me dy projektet strategjike të lumit të Tiranës dhe bulevardit verior ka integruar koncepte projektuese miqësore me klimën.
Zonat e marra në studim dhe plani i masave:
Zona I –Komuna e Parisit, një zonë zonë shumë e dendur, me intensitet shumë të lartë dhe me temperatura të larta të valëve të të nxehtit. Zonë me shumë ndërtesa, rrugë, thuajse aspak gjelbërim, thjesht disa pemë tek –tuk. Pasojat në shëndetin publik janë shumë domethënëse për këtë arsye u mor si zonë studimore.
Mbi bazën e studimit që është bërë janë përcaktuar edhe masat e sugjeruara se ku mund të ndërhyhet. Ndër masat e propozuara kanë të bëjnë kryesisht në shtimin e hapsirave gjelbëruese që mund të përfshijë qoftë rrugët, nivelin horizontal, qoftë fasadat në nivelin vertikal ose në nivelin e tarracave të gjelbëruara.
Një element shumë i rëndësishëm është që gjelbërimi të mos jetë vetëm bar apo lule në nivelin e tokës, por të krijojë hijëzim, mundësisht hijëzimi të jetë i vazhduar, kurora pemësh që të shërbejnë për hijë për të gjithë banorët.
Uji mund të jetë si suprina në të cilat mund të kenë thjesht rubineta. Rikonstruksioni i ndërtesave duhet të ketë parasysh ndryshimet klimatike, veshja e fasadave në ngjyrë të çelët, të bardhë.
Bashkia e Tiranës dhe drejtoria e Planifikimit të Territorit të ketë parasysh këto elemetë në mënyrë që kur të bëhen rikualifikime urbane të mundësojë sa më shumë hapsira publike.
Masa ndërgjegjësuese për banorët dhe autoritetet.
Zona II – Zona pas Pallatit me Shigjeta, ku lumi i Lanës del nga pjesa e rregulluar dhe shkon në një pjesë të parregulluar, pjesë informale, problem për përmbytje. Meandrinat janë një element shumë i rëndësishëm për lumin sepse luajnë një rol në uljen e shpejtësisë së valës goditëse. E rëndësishme ulja e shpejtësisë së lumit dhe zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e pengesave që lumi të qëndrojë më gjatë dhe shpejtësi më të avashtë. Duhet të ketë edhe prita, prita gurore dhe të ketë vegjetacion hidrofil që duron edhe sasitë e mëdha të ujit. Një nga gjetjet e këtij projekti është fakti se Bashkia e Tiranës të mos kemi rrugëzime të lumit kaq të drejtë, por të zgjerojmë sipërfaqe të gjelbërta dhe të shtojmë vegjetacionin, gjë që shërben edhe për ekologjinë. Mënyra e mbrojtjes nga përmbytja është përmes gurëve që krijojnë prita. Përgjatë rrjedhës së lumit mund të kemi barriera anësore, Bregu i lumit do të duhet te jetë i shkallëzuar. Vegjetacioni shumë i rëndësishëm për elementët lumorë.
Zona III-Kryqëzimi te “21 dhjetori”është një zonë me trafik të dendur, nuk ka gjelbërim. Për fat të keq kjo është zona më e ndotur e Tiranës për cilësinë e ajrit dhe trafikun e rënduar, nga qëndrimi i tejzgjatur në trafik, mungesa e gjelbërimit, dhe cilësia e dobët e karburanteve. Është një zonë vulnerabël për sa i përket valëve të të nxehtit.
Masat që mund të ndërmerren në këtë zonë përfshijnë masat mjedisore, përfshirja e filtrave vegjetativë anës rrugës, mbjellja e pemëve të larta me kurorë të vazhduar në mënyrë që të kemi hijëzim të tepërt për të përballuar valët e të nxehtit, çati të gjelbëruara, tarraca me ngjyra të çelëta, fasada duhet te jenë të ventiluara.
Vendosjen e filtrave ekologjikë me shkurre dekorative me gjatësi të lartë. Mbjellja e pemëve me gjatësi të vazhdueshme. Përdorimi i materialeve të bardha qoftë në nivelin 0-0, qoftë në nivelin e tarracave. Krjimi i disa suprinave ujore si dhe fasada me ngjyrë të çelët.
Zona IV-Zona e “Don Boskos”e njohur për përmbytje sa herë që bie shi. Është një zonë e dendur me ndërtime, me rrezik të ujërave sipërfaqësorë që shkaktojnë probleme në transport, kanalizimet të papërshtatshme.
Masat që duhen marrë janë menaxhimi i ujërave, planifikimi urban, përmirësimi i rrjetit inxhinierik nëntokësor, zgjerim të kanalizimeve të ujërave të shiut, ndarjen e sistemit të kanalizimeve, përdorimit të betoneve të drenazhuara që lejojnë kalimin e ujit.
Planifikim më të mirë, ndërgjegjësim më të mirë. Hapsirat publike mund të luajnë një rol shumë të mirë, infrastruktura publike dhe planifikimi i territorit./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





