


Tiranë, 16 prill 2015, NOA.al – (Botuar 11:10/Përditësuar 17:20) Kërkesa e 14 deputetëve demokratë për ndërprerjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima është rrëzuar më Kuvend.
Me 29 vota pro dhe 69 vota kundër, kjo kërkesë nuk është miratuar.
Partia Demokratike e akuzon deputetin Kokëdhima se në kundërshtim me Kushtetutën ka përfituar të paktën 150 herë fonde publike nga pasuria e qytetarëve, me anë të kompanisë së tij, deri në 6 shkurt të vitit të kaluar.
Berisha: Vendi në eksod, hata e madhe për kombin
Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilësoi si hata të madhe për kombin eksodin e qytetarëve.
Ai tha se sot vendi ndodhet në kohë eksodi, nga Kukësi, Orikumi, Saranda, Vlora dhe Durrësi e pika të tjera çdo ditë mijëra shqiptarë largohen nga Shqipëria.
Po shënohet një rekord, pasi shqiptarët në ¼ e qenies së tyre kombëtare, materies së tyre të përhimtë, në çdo katër shqiptarë, njëri u largua nga Shqipëria.
“Kjo, për një komb ka një efekt vendimtar, megjithatë reformat e ndërmarra, vitaliteti i shqiptarëve bën që vendi me shpejtësi të ngjitet drejt niveleve të reja të të ardhurave dhe aty nga vitit 2008, për herë të parë në histori shqiptarët u renditën në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Për herë të parë në histori varfëria ekstreme u ul në 1.4%, papunësia ra në shifra të larta, por prapë për vendet jashtë BE të pranueshme. Shqipëria arriti të bilancojë balancin e saj tregtar në sajë të remitancave, por kësaj here, këto vite edhe në sajë të investimeve të huaja, të cilat tejkaluan në 1 miliard”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se sot, vendi është një vend i nëmur, është vend eksodesh, pasi s’ka asnjë komb në Europë të jetë i mashtruar siç janë shqiptarët sot.
Sipas tij, shqiptarët ikin sepse një klikë e urryer që i bën ata që çdo orë e çdo ditë të largohen nga vendi sundon sot Shqipërinë dhe se qeveritarët e tyre vjedhin si monstra pasuritë e tyre.
Replika Berisha- Kokëdhima
U zhvillua seanca plenare e radhës në Parlamentin e Shqipërisë, ku u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike, në lidhje me mandatin e deputetit Koço Kokëdhima.
Deputeti Sali Berisha, ka dalë nga ambientet e Parlamentit dhe është shprehur përpara mediave se sipas tij, dyshja Rama-Meta janë duke fshehur dhunuesin e Kushtetutës.
“Aleanca e qelbësirave vendos të mbulojë dhe fshehë me turp dhunimin në 150 raste të Kushtetutës nga sivëllau i Ramës, Koço, duke dhunuar kështu çdo ligj të vendit. Kushtetuta në nenin 70 pika 3 përcakton se deputeti nuk mund të përfitojë nga asnjë pasuri publike të shtetit apo pushtetit vendor. Përcaktohet se deputeti nuk mund të përfitojë nga asnjë burim publik të ardhura përveç rrogës së tij”,- tha Berisha duke cituar Kushtetutën.
Nga ana e tij, deputeti Kokëdhima i është drejtuar z. Berisha nga foltorja e Kuvendit, kur tha se ish kryeministri "ka mobilizuar gjithë familjen për të hedhur baltë kundër tij.
“Saliu me të vetët përpiqen të bëjnë pis figurën ime. Ka mobilizuar edhe familjen e tij, dhëndrin, për të përdorur mjetet e komunikimit për të më bërë mua pis”,- tha Kokëdhima.
Nga ana e tij, z.Berisha e cilësoi socialistin Koço Kokëdhima si dhunues i babëzisë dhe korrupsionit, i cili, sipas Berishës, ka shfrytëzuar kontrata me shtetin dhe pushtetin vendor në 150 raste.
“Rama dhe Meta fshehin para ligjit pasuritë e deputetit të tyre që ka dhunuar Kushtetutën dhe nuk e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, pasi e dinë se kjo gjykatë do t’i heqë 100% mandatin deputetit. Është më e ndershme të ishte Agron Cane, pedofili i Kokëdhimës në atë parlament, pasi ai ka thyer ligjin dhe ka kryer dënimin”,- tha Berisha.
Ish kryeministri deklaroi se nuk mund të rrinte në atë seancë pasi ky akt që po ndodh sot është një ndër historitë më të turpshme në këtë parlament.
“Parlamenti është i mbushur me kriminelë. Ikën Mark Frroku, futet Koço Kokëdhima. Nëse ne përdorim votat e shumicës për të mbrojtur thyerjet e kushtetutës, kjo është ditë e zeze. Shpreh protestën time më të fuqishme. Midis të gjithë betejave, më e vështira është ajo me krimin, por kjo betejë do të bëhet”,- tha ndër të tjera z. Berisha.
Kokëdhima replikon me Ristanin
Kokëdhima iu drejtua z. Ristani duke i thënë se u përdor si bori nga Berisha në këtë senacë kundër tij, ndërsa shtoi se Ristani është nip në fshatin e tij.
“Ristani është nip në fshatin tim. Saliu mund të kishte zgjedhur një bori tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristani se të kam ndjekur me vëmendje në Këshillin e Mandateve. Ishe i dehur në atë komision, ishe bërë dhogë dhe kjo të dënon 3 herë: si nip në fshatin tim, si kushëriri im dhe si deputet i opozitës”, – tha Kokëdhima.
Ai shtoi se z.Ristani ka marrë rrogën si zëvendësministër i Brendshëm, deri në 9 shtator 2013, duke qenë deputet i shpallur nga KQZ që në 2 gusht 2013.
Më tej, deputeti socialist tha se kompania e telefonisë dhe internetit, është një nga punët e tij në këtë vend që e bën të ndihet krenar.
“Është një punë e shkëlqyer e rinisë së Shqipërisë, të cilët kanë shërbyer në këtë kompani, e cila është e para e licencuar në Shqipëri për shërbimet e internetit. Kjo kompani është goditur sistematikisht si të gjitha punët e mia në këtë vend, nga Saliu”, – tha Kokëdhima dhe më pas analizoi tre kushtet e papajtueshëmrisë së mandatit me ligjin.
Si kundërpërgjigje, pas fjalës së tij, deputeti Arben Ristani u shpreh: “Në fshat kishim një rregull: të mos bënim krushqi me Kokëdhimat. Tani që shoh Koçon e kuptoj pse kanë pasur të drejtë”.
Replikat Berisha-Kokëdhima
13:40-Deputeti Sali Berisha është kthyer në Kuvend ku ka folur për rrugën e Arbrit, për inaugurimin e së cilës ka kërkuar që të realizohet nga ata që e nisën këtë projekt. Ai nuk i ka kursyer akuzat ndaj deputetit Koço Kokëdhima, këtë herë nga foltorja e Kuvendit. Berisha i ka kërkuar deputetit socialist të tregojë se kur do të përballet me gjykatën.
Nga ana e tij, si përgjigje ndaj akuzave të Berishës, Kokëdhima ka akuzuar ish kryeministrin se është ai që i ka vjedhur 10 mijë hektarë tokë shqiptarëve për familjarët e tij, të cilët, sipas Kokëdhimës, po përdoren nga z. Berisha.
Berisha: Çdo ditë në Parlament flitet për projektin e qeverisë sime. Kur do të sillni ndonjë projekt tuajin? Dilni dhe punoni. Rruga e Arbrit është segmenti më i shkurtër që bashkon Tiranën me Peshkopinë, Dibrën dhe Shkupin. Shkurton 104 km distancën Shkup-Tiranë. Dua që inaugurimin ta bëjnë ata që e nisën.
Ne nuk votojmë për heqje mandati. Frikacaku nuk mund të shkojë në gjykatë po rri këtu e përdridhet “Saliu kështu e Saliu ashtu”. Mos ki frikë nga gjykatat. Ja ku e ke sivëllaun tënd kryeministër. Ti ke frikë nga hija jote. Shko në Gjykatë. Bëhu burrë dhe po e fitove, ke të drejtë të mbash 24 orë fjalim këtu ku është Saliu.
Kokëdhima: Rruga e Arbrit është një rrugë e nisur përpara 23 qershorit 2013. Është lënë në mes dhe e braktisur, siç kishte braktisur dhe kishte lënë rrugëve shumë punë qeveria e kaluar. Ne e gjetëm procesin e kësaj marrëveshje të hapur dhe dua të kujtoj se marrëveshja që po negocionte qeveria e kaluar ishte me kushte shumë të disfavorshme se marrëveshja që negocioi qeveria jonë.
Parashikohej huaja 8.5+1%. Në këtë studim fizbiliteti koeficioenti i kthimit të investimit ishe 14.5%. Qeveria jonë negocioi një marrëveshje me kushte tërësisht të tjera. Qeveria jonë e zhvilloi këtë negociatë në një kohë që Shqipëria e kishte humbur garancinë evropiane. Qeveria jonë u detyrua të kërkonte rrugë të tjera për të zgjidhur këtë marrëveshje.
Oborri yt i vidhte shqiptarëve miliona dollarë që i transferoje në banka jashtë vendit. I more shtetit shqiptar 10 mijë ha toka për oborrin tënd në Vlorë. Ti je këtu personi që flet për dekriminalizim duke pasur në qafë tërë ato dosje akuzash dhe në përgjegjësi tërë ato vrasje që kreve në 1997 dhe në 21 janar more jetë të pafajshme se je një frikacak dhe na tregon trimëritë e tua ti. Koha jote ka mbaruar dhe kurrë nuk kthehesh më në pushtet. Mbaje mend mirë.
Mos e përdor familjen kundër meje se s’është në nderin tënd. Nga një penxhere më nxjerr dhëndrin e nga një tjetër, anëtarët e tjerë të familjes. Kur ti ishe në pushtet unë bëja biznes dhe kam bërë pasuritë e mia. I gëzoj ato haptas dhe nuk fshihem si ti. Unë përfaqësoj popullin e zonës sime dhe do t’jua jap përgjigjen në zgjedhje ku do fitoj 5me 0. Do ikësh për lesh Sali!
Berisha: Mashtrime ordinere. Kontrata që në momentin kur ka ardhur propozimi ka qenë pa garanci sovrane. Kredi e bankës Kineze pa asnjë garanci sovrane. Nuk ka pas skadim. Ka qenë kredi e butë me të gjithë interesat dhe e detyruar të kompensohet me trafikun e munguar.
Sa i takon diskutimit të frikacakut që në vend të shkojë në Gjykatë fshihet këtu, unë si mjek i kuptoj këto. Kur ka probleme psikologjike nga frika, njeriu nuk di ç’bën.
Sa i takon 10 mijë hektar tokave, çdo metër katror që të gjesh timen apo të familjes time, e ke të falur në çdo skaj të vendit nga Rrogozhina në Konispol. Kjo është shpifje.
Kur do të heqësh dorë nga përdorimi absurd i votës, çka nuk mund të jetë kurrë mbi vendimet e Gjykatës Kushteteuse, nuk mund të jetë kurrë mbi Kushtetutën, per hir tënd ti e poshtëron këtë shumicë, e personalizon këtë shumicë vetëm e vetëm per lidhjet e njëmijëllojta që ke me sivllaun tënd Edi Rama, se lidhjet e tua me të janë nga me mistiket tek më të çuditshmet, tek më të paimagjinueshmet. Thuaj kur do të shkosh në gjykatë. Duam të të shohim në gjykatë për shkelje të Kushtetutës.
Je fatzi për shumë veprime. Nuk harrohen tavanet që ke fituar nga Edi Rama dhe që binin mbi kokat e nxënësve, nuk harrohen dyshimet që ekzistojnë mbi vjedhjet e të madhit Vangjush Mio. Ke shkel Kushtetutën sepse ke marrë pagesa nga fondet publike.
Përmbledhje e punimeve të Kuvendit
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta në seancë plenare për të miratuar disa projektligje të rëndësishme në fushën e infrastrukturës dhe ekonomisë.
Seanca hapi punimet me raportin e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit lidhur me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ku kërkohet ndjekja e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.
Para deputetëve u prezantuan dy raporte për këtë çështje, ku u shprehen qëndrimet e ndryshme të përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve.
Në emër të deputetëve të mazhorancës, znj. Vasilika Hysi lexoi raportin përkatës, duke u shprehur për rrëzimin e kërkesës së opozitës dhe kalimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.
“Opozita në kërkesën e saj pretendon se deputeti Kokëdhima, përmes kompanisë Abissnet, ka kryer transaksione, pasi ka marrë mandatin e deputetit, në 150 raste dhe kjo sipas saj, është antikushtetuese. Ndaj opozita pretendon se për këtë çështje duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese”, tha znj. Hysi.
Por, vijoi ajo, referuar mbrojtjes që bëri në Këshill avokati i z. Kokëdhima, kërkesa e grupit të PD-së nuk ka bazë ligjore e kushtetuese. “Z. Kokëdhima nuk ka lidhur asnjë kontratë pasi është shpallur deputet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe se kontratat e lidhura prej tij datojnë shumë kohë më parë”, tha znj. Hysi.
Në emër të grupit parlamentar të PD-së, deputeti Arben Ristani tha se deputeti Kokëdhima ka realizuar veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit, ndërkohë që kishte marrë mandatin e deputetit. “Bazuar në analizën e dispozitave kushtetuese e ligjore arrijmë në përfundimin se z. Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë, e parashikuar në nenin 70/2 dhe 70/3 të Kushtetutës dhe nenit 28, pika ‘a’ te ligjit ‘për konfliktin e interesave”. 150 transaksione kanë dalë nga buxheti i shtetit për z. Koço Kokëdhima”, u shpreh deputeti Ristani. Ai shprehu qëndrimin e opozitës që kërkesa e grupit të PD-së t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese.
Pas paraqitjes së dy raporteve, e mori fjalën deputeti Koço Kokëdhima, i cili hodhi poshtë akuzat e opozitës, që siç tha ai, synojnë përbaltjen e figurës së tij. “Fushata e opozitës nuk është as e para dhe as e fundit. Shpifjet tuaja kanë për qëllim të përbaltin moralisht dhe politikisht figurën time. Mandati im, theksoi ai, është shpallur më 2 gusht 2013 dhe që nga kjo datë unë kam urdhëruar të gjitha kompanitë ku jam pjesëmarrës që të mos marrin pjesë në asnjë prokurim publik dhe kjo është respektuar plotësisht. Nuk kam marrë nuk kam pasur asnjë mundësi që të ndikoj në shtimin e të ardhurave të mia”, tha në fjalën e tij në parlament, deputeti Kokëdhima.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ku kërkohet ndjekja e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima mori 29 vota pro dhe 68 kundër, duke u rrëzuar.
Më tej, Kuvendi vijon rendin e ditës me diskutimin e projektligjit “Për heqjen nga fondi pyjor dhe kullotësor Kombëtar të sipërfaqes dhe zvogëlimin në vëllim të fondit pyjor Kombëtar në ngastrat e ekonomive pyjore “Gojan – Shkozë”, “Gjegjan – Shkozë”, “Lumi i Zi”, “Lugina e Fanit të Madh”, “Qafëmollë”, “Fang”, “Spaç” dhe “Shkallgjanë”, të cilat preken nga ndërtimi i Hidrocentraleve në Gojan Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fang, që do të ndërtohen nga shoqëria “AYEN AS ENERGY”, sh.a”.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka duke marrë fjalën tha se janë disa koncesione të dhëna si për ndërtimin e hidrocentraleve, minierave e shumë aktivitete të tjera. “Projektligji i paraqitur parashikon heqjen e rreth 600 hektarëve nga fondi pyjor . Me miratimin e këtij projektligji do të kryhet heqja e sipërfaqes pyjore nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Fan. Objektivi është përcaktimi i procedurave që do të ndiqen për heqjen e sipërfaqes pyjore, objekt i ndërtimit, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT”, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe bashkimit të shoqërive “AYEN ENERGJI A.S” dhe “A.S. ENERGY”, sh.p.k., për ndërtimin e hidrocentraleve “Gojan”, “Gjegjan”, “Peshqesh”, “Ura e Fanit” dhe “Fang”. Me këtë projektligj bëhet i mundur përcaktimi i procedurave për verifikimin në terren të sipërfaqes pyjore që ndryshon destinacioni, si rezultat i krijimit të basenit ujëmbledhës të HEC-eve mbi lumin Fan, ndërtimin e godinave dhe zëvendësimin e fondit pyjor publik, si pasojë e tjetërsimit të kategorisë së përdorimit nga pyll në sipërfaqe ujore dhe truall”, tha z. Koka.
Deputeti Sali Berisha deklaroi se qeveria po diskuton ligje të hartuara nga opozita.
Por ky pretendim u hodh poshtë nga deputeti Eduard Shalsi.
“Ligji i energjisë nuk ka qenë i përgatitur nga ju. Është diskutuar nga ju, por është bërë nga kjo qeveri”, u shpreh z. Shalsi.
Deputeti Aldo Bumçi akuzoi mazhorancën se nuk ka bërë asnjë investim në këtë sektor, në këto dy vite qeverisje. “Keni anuluar 16 kontrata koncensionare, dhe nuk kemi bërë asnjë të re. Vetëm në Qafë Mollë janë 250 milionë euro investime. Por ju çfarë keni bërë në këto vite? Keni rritur çmimin e energjisë 30 për qind të fushës së energjisë i furnizon sipërmarrësit privatë. Qeveria e re goditi investimet me energji, duke i quajtur ato investime korruptive”, tha z. Bumçi. Ky projektligj u miratua me 95 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi diskutoi dhe për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve te privatizimit)” dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995”, të ndryshuar, i cili u miratua me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më pas deputetët vijuan me diskutimin e projektligjit “Për caktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/PPP, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit Shqiptar dhe kompanisë Kineze “CHINA STATE CONSTRUCTION COMPANY”.
Ministri i Ekonomisë dhe Turizmit, Arben Ahmetaj theksoi se përpjekjet e qeverise shqiptare janë orientuar, jo vetëm në kuadër të konektivitetit, por edhe kosto e ndërtimit të rrugës do të jetë më e ulët. “Rruga e Arbërit është rruga më fizibile, që konkurron pamundësinë e Korridorit të 8, i cili sot është kthyer në vështirësi për 1 milionë arsye gjeopolitike dhe jo financiare. U takon vendimmarrësve shqiptarë të gjejnë një damar të dytë komunikimi me trevat shqiptare, apo për të lidhur Durrësin me Shkupin apo Sofjen në aspektin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Është një alternativë e drejtpërdrejtë më e lirë e Korridorit të 8”, u shpreh z. Ahmetaj
Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu akuzoi qeverinë se po fsheh huanë e marrë për realizimin e Rrugës së Arbrit. Ai theksoi se për mirëmbajtjen do të paguhen 30 milionë euro në vit. “Ne do e miratojmë projektin, merreni huanë dhe ndërtojeni brenda një viti, por do mbani përgjegjësi një ditë për kreditë e fshehura”, u shpreh z. Shehu.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, u shpreh se procesi për përzgjedhjen e kompanisë ishte transparent dhe se në diskutimin e termave final të kontratës, do vijë përsëri në Parlament për t’u diskutuar.
Haxhinasto tha se në 9 vite opozita e sotme nuk financoi as 50% të rrugës. “Është fatkeqësi kur aparati i mendimit analizës dhe paraqitjes së fakteve është i bazuar mbi mashtrimin, gënjeshtrën, komplotin, dhe asnjëherë në sensin që këtu kemi një vepër kombëtare që i shërben të gjithëve. U tha që kjo rrugë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga kjo qeveri. Një gënjeshtër e pastër. Shihni sa milionë janë hedhur këto dy vjet për këtë rrugë. Thoni që po vonohet projekti. Keni filluar në 2007-n, u bën 9 vjet dhe nuk u financua as 50% e rrugës. Flisni për vonesë, ju nuk keni mbaruar akoma projektin. Të bëj unë për dy vjet atë që ti s’ke bërë për dy mandate,” u shpreh z. Haxhinasto. Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Një tjetër projektligj i diskutuar në seancë plenare ishte dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen shoqërore”.
Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti tha se kjo marrëveshje është në vijim të kujdesit që qeveria ka ndaj qytetarëve të saj, dhe emigrantëve të cilët janë një pjesë tejet e rëndësishme për shoqërinë tonë.
“Koordinimi i skemave te mbrojtjes shoqërore për shtetasit shqiptaret që jetojnë e punojnë jashtë vendit si dhe për punonjësit komunitarë të punësuar në Shqipëri, janë në fokus të programit të qeverisë shqiptare, në zbatim të rekomandimeve të vazhdueshme të Komisionit Evropian, të Raport Progresit e të rekomandimeve të Nën komiteteve. Të nderuar kolegë, ju ftoj që të votojmë me konsensus këtë marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurimeve, e cila do të pasohet edhe me shumë marrëveshje të tjera si me Italinë, Greqinë ku numri i emigrantëve tanë është edhe më i lartë. Është momenti që të lëmë interesat e vogla politike, përballë një të mire sociale për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi znj. Gjylameti.
Deputetja e PD-së, Eleina Qirici shprehu kritika për kujdesin e qeverisë në lidhje me shtresat në nevojë.
“Kjo marrëveshje zbatohet për skemën e sigurimeve shoqërore të shprehur në terma të veçantë, por ç’ndodh me shqiptarët në vendin e tyre? Me pensionet dhe me ndihmën ekonomike? Shtresat në nevojë janë të tilla sepse nuk e sigurojnë dot minimumin jetik dhe presin ndihmën ekonomike. Por qeveria ka ulur ndjeshëm këtë fillim viti pagesat e saj për shtresat në nevojë, ndërkohë që duhet të siguronte një shpërndarje më të mirë të fondeve për këto shtresa që varfëria të mos i mbytë më shumë. Por edhe kjo ndihmë ekonomike kur ju jepet, është tepër e ulët”, tha znj. Qirici.
Projektligji u miratua me 88 vota pro vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi votoi dhe projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2014” me 68 vota pro, 24 kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi miratoi me unanimitet dhe zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore.
Seanca i mbylli punimet në orën 17: 40./a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





