
Mesazh reagues i Frrokut: Në makinën time, asnjë i kërkuar
Deputeti Mark Frroku ka strehuar në makinën e tij një person të shumëkërkuar nga policia si i dyshuar si organizator i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Publikimin e ka bërë sot tv informativ, ABC News i cili njoftoi se ka siguruar dokumentet top-sekret ku vërtetohet se Bardhok Planaj, person i shpallur në kërkim i dyshuar si kreu i trafikut të drogës gjatë aksionit të njohur si operacioni i “Vilunit”, i ka shpëtuar arrestit të policisë mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2014, pasi rezultoi i fshehur në makinën e deputetit Mark Frroku.
Në këtë procesverbal, duket qartë se grupi i operacioneve special në policin e shtetit me autorizim të prokurorisë së krimeve të rënda po vëzhgonte prej kohësh të dyshuarin Planaj.
Sipas raportit të dorëzuar nga agjentët e vëzhgimit, thuhet se Planaj gjatë gjithë ditës së 1 tetorit 2014 ishte në vëzhgim, ku përshkruhen me detaje lëvizjet e tij, makinat që ka ndërruar si dhe lokalet qe ka frekuentuar.
Vetëm në darkë, referuar këtij procesverbali i dyshuari me makinën e deputetit është afruar në lokalin “Antika” te Shallvaret me makinën e deputetit Mark Frroku.
Rreth orës 1 pas mesnate të datës 2 tetor, makina e deputeti Frroku është nisur në drejtim të Laprakës, ku policia, nga frika e largimit të personit të shpallur në kërkim, organizoi një postbllok në Kamëz, pranë Bulevardit Blu.
Në momentin që makina afrohet, policia e ndalon atë, por nuk mundet të hapë dyert që ishin të bllokuara nga brenda.
“…Rreth dy minuta automjeti ka qëndruar pa lëvizur dhe dyert janë konstatuar nga ana jonë të mbyllura, Më pas nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40-45 vjeç i veshur me kostum ngjyrë blu e errët është prezantuar si deputet i parlamentit të Shqipërisë me emrin Mark Frroku, pas kontaktit vizual i njohur nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër te tjera se: Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të parlamentit pasi unë jam deputet, automjeti është në pronësinë time”, shkruhet në procesverbalin e policisë, të nënshkruar nga nëntë persona, të cilët më pas e kanë lënë të lirë makinën bashkë me pasagjerët e saj.
Nga ana e policisë i është bërë e ditur deputetit Frroku se personi që ndodhet në makinë duhet të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë, por pas kundërshtisë së deputetit Frroku, agjentët e vëzhgimit kanë komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pemën duke e vënë në dijeni për kundërshtimin e deputetit Frroku.
I gjithë ky debat ka zgjatur për më shumë se 20 minuta dhe më pas agjentët janë larguar duke lënën të lirë Bardhok Planajn, i cili që prej asaj dite rezulton në kërkim në pikat e kalimit kufitar.
Policia e ka mbajtur të fshehur këtë ngjarje dhe vetë deputeti Frroku në deklaratat e tij në media ka mohuar të jetë ndaluar ndonjëherë nga policia. Referuar hetimeve të prokurorisë për Krime të Rënda, për operacionin e Vilunit janë arrestuar 7 persona dhe është bllokuar një skaf me rreth 800 kg hashash nga policia malazeze pas njoftimit nga pala shqiptare.
Ky skandal vë në pikëpyetje tashmë gjithë hetimin e prokurorisë shqiptare mbi akuzat e Tom Doshit.
A mund të thotë Mark Frroku të vërtetën në dëshminë e tij kur ai vetë figuron në dosjet e policisë si një person që ka strehuar një të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge?
Pse nuk e ka thirrur prokuroria Frrokun të pyetet për këtë rast?
A mund të jetë përdorur ky rast si mjet presioni ndaj deputetit të mazhorancës? Të gjitha këto pyetje shtrohen sot pas zbulimit të këtij skandali, për të cilin nuk ka guxuar të flasë as ministri i Brendshëm dhe as kryeministri.
Të gjithë e kanë ditur dhe e kanë mbajtur të fshehur për një arsye të caktuar. Duke shtuar dyshimet se ngjarje të tjera mund të shpërthejnë njëra pas tjetrës, në të cilat kufiri mes shtetit dhe krimit është vështirë të ndahet.
Mesazhi reagues i Frrokut: Në makinën time, asnjë i kërkuar
Deputeti demokristian Mark Frroku ka reaguar me një mesazh në emisionin “Opinion” lidhur me shkresën sekrete të policisë sipas së cilës ai ka penguar arrestimin e Bardhok Planajt, gjatë ndalimit nga forcat e rendit të automjetit të tij tetorin e kaluar në Laprakë.
Në raport thuhet se Pllanaj i shpallur në kërkim kërkuar për trafik droge gjatë operacionit “Vilun” në veri të vendit, ndodhej në makinën e deputetit në momentin e ndalimit.
Frroku ka pranuar se është ndaluar nga policia, por sipas tij në makinën e tij nuk ka pasur asnjë të kërkuar nga policia dhe se gjithçka po bëhet për motive politike.
Në mesazhin e tij ai thotë se: “Unë Mark Frroku jam një qytetar që në çdo moment i jam nënshtruar ligjeve të këtij vendi. Policia ka bërë detyrën duke bërë ndalimin, por deklaroj me përgjegjësi të plotë se në mjetin tim nuk ka pasur asnjë person të kërkuar nga policia. Këto gjëra bëhen për motive politike. Unë nuk kam ndërmend të bëj akt vetëvrasjeje si personi që u thirr sot në Opinion, por të vazhdoj aktivitetin si qytetar, politikan dhe i zgjedhur”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





