




Tiranë, 1 mars 2015, NOA.al – Përfaqësuesit e Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës kanë dalë sot në një deklaratë për mediat, ku kanë bërë me dije qëndrimin e tyre solidar me kolegët që nisën ditën e shtunë grevën e urisë, e cila u përfundua nga ndërhyrja e policisë ditën e sotme.
Përfaqësuesja e këtij këshilli bëri me dije se studentët do të bojkotojnë mësimin e do të braktisin provimet deri në plotësimin e kërkesave të kolegëve të tyre, të ardhur nga universitetet private.
Studentët që ishin në grevë kërkojnë takim me Presidentin Bujar Nishani dhe kundërshtojnë tarifat e larta të shkollës, të vendosura për t’u paguar nga ata.
Përfaqësuesja e Këshillit studentor të Universitetit të Tiranës shprehu tronditjen e këtij këshilli në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme.
“Sot në mëngjes kemi parë aktin kriminal dhe çnjerëzor të Policisë së Shtetit, e cila hyri në mënyrë të befasishme, gjatë natës kur studentët po flinin, në ambientet e tyre për të mbyllur para kohe grevën e urisë”,- tha përfaqësuesja.
Ajo shtoi se studentët përfunduan në spitale dhe rajonet e policisë, me plagë në trup, pasi mbi ta janë ushtruar trajtime çnjerëzore në komisariatet e policisë.
Duke e cilësuar grevën e urisë si të drejtën e çdo njeriu, përfaqësuesja e Këshillit studentor të Universitetit të Tiranës deklaroi se qeveria i përdhosi të drejtat e studentëve, pasi sipas saj, u ndërpreu studimet dhe i detyroi këta studentë të paguajnë disa fish më shumë në universitetet publike.
Deklarata e plotë nga Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës
“Ne Këshilli Studentor i Universitetit te Tiranës dhe perfaqesues te këshillave studentore të Universiteteve te tjera jemi këtu sepse jemi shume te tronditur me ngjarjen e mbremshme.
Jemi njohur ne ditet e meparshme me kerkesat e studenteve qe detyroje nje perfaqesi te ketyre te fundit te hyjne ne aktin me te forte te protestes, greven e urise. Sot ne mengjes, si te gjithe qytetaret e ketij vendi kemi pare aktin kriminal dhe cnjerezor te policies se shtetit, qe ne pabesi, nderkohe qe grevistet ishin ne gjum, I kane nxjerre nga greva e urise studentet duke perdorur dhunen dhe presionin psikologjik per te arritur qellimin e tyre, mbylljen e parakohshme te greves se urise.
Së pari duam te denojme ne emer te te gjithe studenteve te ketij vendi ate qe ka ndodhur ne oret e para te mengjesit. Greva e urise, forma e vetme qe ju kish mbetur studenteve per te detyruar qeverine te plotesoje kerkesat e tyre te ligjshme, u perdhos sot ne oret e para te mengjesit. Studentet perfunduan ne spitale dhe rajone te policies deri ne mesdite me plage ne trup dhe policia bllokoj deren e ambjenteve te infermjerise qe ata te mos mund te rikthehen ne greve. Greva e urise si forme proteste perben te drejte themelore te cdo njeriut, dhe askush nuk mund te preke te drejtat themelore te studenteve. Ata gjithashtu jane torturuar dhe I jane nenshtruar trajtimit cnjerzor e poshterues ne ambientet e komisariateve. Qeveria qe duhet te jete e para per te garantuar te drejtat e tyre themelore eshte e para qe I perdhos ato, duke nderprere me dhune greven dhe duke trajtuar ne menyre cnjerzore te rinjte nga uniformat blu.
Po per nje te drejte themelore keta studente u detyruan te hynin ne greve urie. E drejta per arsim ju perdhos studenteve prej qeverise disa here, kur pasi ju nderpreu studimet I detyron qe ata te paguajne disafish ne universitetet publike te vendit, disa fish me shume se gjithe te tjeret.
Universitetet publike dhe karta e bolonjes kane nje praktike te qarte, qe per transferimet ngaprivati ne universitetet publike, studentet nuk duhet te paguajne asnje cent me shume se te tjeret. Kjo ka qene praktika e universiteteve publike dhe me heret. Eshte e pakuptimte pse per keta student dhe vetem vitin e fundit duhet te aplikoheshin tarifa disa fish me te larta dhe rreth 10 here me te larta se tarifat mesatare te universiteteve publike.
Ne emer te keshilave studentore dhe te perfaqesuesve te studenteve ne senate akademike te Universiteteve publike deklarojme mbeshtetjen e plote per kerkesat e studenteve te urise dhe duam tju komunikojme mediave se studentet do te bojkotojne ne ditet ne vijim mesimin dhe do te braktisin provimet deri sa qeveria te plotesoje kerkesat e tyre te drejta.
Jemi me studentet e greves se urise. Do te jemi me ta cdo dite deri ne plotesimin e kerkesave te tyre”.
Tahiri: PD mbron shkelësit
Ministria e Brendshme reagoi pas akuzave të deputetit demokrat Edi Paloka lidhur me akuzën e këtij të fundit se po dhunohen qytetarë të pafajshëm.
Përmes një deklarate, ministria e Saimir Tahirit i cilësoi baltë mbi punën e policisë, akuzat e PD-së, duke shtuar se selia blu vijon të mbrojë personat që shkelin ligjin.
Lidhur me rastin e denoncimit të një qytetari i cili deklaroi se është dhunuar nga policia, Ministria e Brendshme e cilësoi këtë si një “teatër” të opozitës që sipas saj këtë e bën me njerëz të manipuluar.
Reagimet e opozitës
“Ministrja Nikolla konfirmon se është pjesë e dhunës ndaj studentëve”
Reagim i Partisë Demokratike ndaj qëndrimit të Ministrisë së Arsimit
“Ministria e Arsimit konfirmoi sot se është pjesë e dhunës së ushtruar mbrëmë ndaj studentëve grevistë.
Ndërsa opinioni publik priste që Ministria e Arsimit, të tregonte solidaritet me të rinjtë që kërkojnë të drejtën e tyre për arsim, siç do të bënte në fakt çdo ministri e arsimit në botë, qëndrimi i saj është krejt i kundërt, është në favor të rrahjes e poshtërimit brutal të studentëve.
Ministria e Arsimit mbajti një qëndrim racist, duke i stigmatizuar studentët grevistë, duke i ndarë ata në qytetarë të dorës së dytë, që nuk paskan të drejta si gjithë të tjerët.
Partia Demokratike e konsideron të turpshëm këtë qëndrim, aq më tepër kur studentët po protestojnë pikërisht për një të drejtë që u është mohuar nga Ministria e Arsimit.
Vetë ministrja e arsimit, Lindita Nikolla, vjen nga radhët e studentëve të universiteteve private, dhe është e neveritshme se si ajo sot, mban qëndrim fyes, tallës e poshtërues ndaj studentëve që kanë të njëjtin status si ajo në të shkuarën e saj.”
“Dhuna ndaj studentëve, fillimi i fundit për këtë qeveri”
Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
“Tirana, Shqipëria, nuk është më e njëjta që prej mesnatës së djeshme, më saktë prej orëve të errëta të mëngjesit. Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur.
Edi Rama ka hedhur në erë çdo garanci për bashkëjetesë demokratike, duke mbyllur me dhunë një grevë studentësh, duke shoqëruar me dhunë në komisariat grevistët e duke i dhunuar në qeli.
Edi Rama ka vendosur pra të mos lejojë protestën, mendimin ndryshe, kundërshtimin e qeverisë së tij. Ka vendosur me dhunë të ndalojë vlerën më themelore në demokraci, oksigjenin e saj, që është e drejta për t’u organizuar, për të shprehur kundërshtimin me qeverinë, për të kërkuar drejtësi.
Grevistët, studentët, nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike.
Janë të rinj që kërkojnë të arsimohen, që kërkojnë të mos diskriminohen nga qeveria.
Këtyre studentëve u është mohuar një e drejtë fondamentale kushtetuese, e fituar me sakrifica të mëdha që më rënien e komunizmit, pasi qeveria ka vendosur një taksë të rëndë, të papërballueshme ekonomikisht nga ata dhe familjet e tyre. Qeveria u ka mbyllur dyert e shkollës.
Prej një viti këta studentë kërkojnë të drejtën e tyre, por janë trajtuar me përbuzje e janë shpërfillur e poshtëruar sistematikisht. Dhe në fund, vendosën të bëjnë grevë urie, sepse zëri i tyre, kërkesa e tyre u refuzua. Ata u refuzuan si qënie humane nga qeveria, por jo rrallë nga shoqëria, e nga media. Të gjithë jemi pak fajtorë para kauzës së tyre të paqortueshme.
Çfarë duan ata? Duan të studiojnë, ta vendosin vetë të ardhmen e tyre. Duan të ndjekin ëndrrën e tyre, duan të diplomohen, të marrin një profesion, të ecin në rrugën e dijes.
Edi Rama jo vetëm i ndalon, por mbrëmë, në orë 2 e 30 pas mesnate, në errësirën e hajnave e cubave, shfaqet para tyre i dhunshëm, u heq dhe të drejtën për të protestuar, të drejtën për ta kërkuar drejtësinë e mohuar.
A mundet Edi Rama t’u mbyllë gojën mijëra studentëve shqiptare që në një sipërmarrje tërësisht korruptive i ka lënë pa të drejtën e arsimimit. Nuk janë vetëm studentët e Tiranës, por janë dhe të Peshkopisë në protestë që këtë muaj u ndërpritet e drejta e studimit dhe transferohen në Durrës, janë dhe studentët e Elbasanit, Vlorës e Gjirokastrës që nuk paguajnë dot tarifat e dyfishuara.
Për interesat e tij për pushtet, Edi Rama ka bërë grevën e urisë më të kontestuar në historinë e vendit, duke bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e duke penguar integrimin europian të vendit dhe heqjen e vizave për shqiptarët. Sot, përsëri për interesat e tij, ndalon me dhunë, kamzhikë e kallashnikovë, një grevë të drejtë studentësh.
Mbrëmë ishte nata e thyerjes së xhamave në Tiranë. Skalionet e policisë të armatosur rëndë, që kanë harruar ligjin dhe udhëhiqen vetëm nga porositë politike,
thyen dritaret e dyert e godinës,
u futën me dhunë në atë ambient ku studentët po mbanin gjallë të drejtën e fundit që u kishte mbetur,
i morën zvarrë duke i lidhur duart me fasheta të mprehta plastike,
i përplasën duke i kapur nga flokët, djem e vajza,
I futën në makina private me targa falso,
i goditën dhe në komisariat në qeli, i kërcënuan, i poshtëruan, e çuan deri në fund porosinë e kryeministrin për frikësimi dhe terrorizimin për së gjalli.
Të paktën 12 prej tyre u vizituan nga deputetët tanë në Spitalin Ushtarak ku po mjekohen. Një pjesë janë dërguar në spitalin civil, shenjat e plagëve i kanë akoma të freskëta.
Ndërkohë gjatë natës, në konspiracion të plotë dhe sipas mësimeve të shkollës së vjetër të Sigurimit të Shtetit, ish-sigurimsat e kthyer në polici nuk jepnin asnjë informacion se ku gjendeshin të rinjtë. Edhe pas kërkesave të vazhdueshme të të afërmve të tyre dhe përfaqësuesve të tyre, ishte e pamundur për të marrë të dhëna.
Deri afër mesditës, studentët nuk e dinin se ku i kishin shokët e tyre, pasi policia u ka marrë mbrëmë edhe telefonat, për të hequr çdo mundësi filmimi apo dokumentimi të aksionit të turpshëm të këtij regjimi gangsterësh.
Partia Demokratike e konsideron këtë akt, një sulm banditesk të paligjshëm.
Partia Demokratike, fajëson e bën direkt përgjegjës Edi Ramën për konfliktin civil që e ka nisur prej ditës së parë si kryeministër, e që mbrëmë shënoi një kulm tjetër.
Unë angazhohem sot para jush, para opinionit publik, në emrin tim, në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës, në emër të standardeve demokratike europiane, më emër te ligjit demokratik se do të bëjmë drejtësi; secili prej dhunuesve me uniformë shtetërore, nga zbatuesit në errësirën e hajnave e cubave, e deri tek urdhëruesit, ministri e shefi i tij do të përgjigjen deri në fund për dhunimin e poshtërimin që u kanë bërë të rinjve.
Përsëris kërkesën time drejtuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës ndaj studenteve.
Ne jemi e do të jemi në krah të tyre, derisa kauza e tyre e drejtë të triumfojë.
Demokracia nuk do të ndalet me urdhër të askujt, aq më pak të Edi Ramës.
I kujtoj atij sot, se në historinë 25 vjeçare të vendit nuk ka pasur njeri në këtë vend, sado i sëmurë në papërgjegjshmërinë e tij, që t’ia dilte t’u mbyllte gojën studentëve. Me aktin e djeshëm, ai jo vetëm që ka minuar themelet e bashkëjetesës demokratike por vetë legjitimitetin e tij si kryeministër, me guximin për të bërë me studentët atë që nuk guxoi Ramiz Alia, ka vulosur fatin e tij më keq së të Ramiz Alisë.
Revolta ka pushtuar çdo qytetar, këtë revoltë nuk ka dhunë që ta ndalë. Largimi i kësaj qeverie nga pushteti, është zgjidhja e vetme për vendin dhe qytetarët.”
Berisha: Rama, terror policor
Deklaratë reaguese e ish kryeministrit Sali Berisha
“Rama me dhune dhe terror policor nderpret greven e urise te studenteve qe po veteflijoheshin per barazine para ligjit!
Te dashur miq, sot rreth ores 2:30 te mengjesit, me urdher direkt te neo-bllokmenit Edvin Kristaq Rama, forcat speciale te policise se partise kane nderhyre ne mjediset ku ishin ngujuar rreth 50 studente ne greve urie, te vendosur per veteflijim per kerkesen e tyre te barazise se tyre para ligjit. Nderpreja me dhune e greves se urise te studenteve te universiteteve private, qe pas mbylljes arbitrare te shkollave te tyre kerkonin qe qeveria te mbaje premtimin per t’i regjistruar ata ne universitetet publike duke aplikuar tarifa te njejta me te studenteve te ketyre universiteteve, eshte nje akt enverist, anti-kushtetues dhe anti-demokratik.
Mohimi i te drejtes se protestes paqesore, grevave ne teresi dhe greves se urise ne vecanti, eshte tipar kryesor i shteteve policore dhe perben nje goditje shume te rende per forcat demokratike, te drejtat e tyre per te kundershtuar me mjete paqesore arbitraritetin e qeverise.
Ftoj studentet dhe qytetaret te solidarizohen me grevistet e dhunuar nga fallangat e krimit ne policine e partise, dhe me greva dhe protesta te mbeshtesin kerkesen e tyre te drejte te barazise para ligjit!”
/a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





