
Librazhd, 5 shkurt 2015, NOA.al – Dy persona janë ndaluar ditën e djeshme në qytetin e Librazhdit, pasi kanë mashtruar 3 banorë të fshatit dardhe në këtë qytet, duke u marrë certifikatat e pronësisë.
Burime nga policia e Elbasanit bëjnë me dije se të ndaluarit janë 52-vjeçari Kujtim Kaca, me profesion noter ne qytetin e Librazhdit si dhe 72-vjeçari Ismail Leka, banues në Durrës, me detyrë administrator e pronar i hidrocentralit “Egnatia”në fshatin Dardhë Librazhd.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës dhe në kushtet e mirëbesimit, kanë mashtruar V.B, 60 vjeç, O.B, 30 vjeç dhe I.Zh, 18 vjeç, duke u marrë certifikatat e pronësisë, për pasuritë e tyre në fshatin Dardhë Librazhd.
Dy të ndaluarit kanë pasur pretendimin se këto certifikata administratori i hidrocentralit i duheshin për caktimin e kufizimeve për ndërtimin e hidrocentralit dhe do ia kthente sërish.
Policia bën me dije se po punohet për dokumentimin e plotë të veprave penale. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mashtrimi dhe shpërdorim detyre”. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





