
Gjykata e Krimeve të Rënda sot vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, duke liruar dy kushërinjtë Aurel e Amarildo Hoxhallari. Ata u arrestuan si porositës të atentatit të 5 janarit ndaj Pajtim Serjanit, mbrëmjen e 5 janarit në rrugën e “Kavajës” në Tiranë.
Nga shkëmbimi i zjarrit, gjeti vdekjen shtetasi Arjanit Sterjo (Artur Baze), i dyshuar si killer me pagesë, ndërsa vetë Serjani dhe polici Roland Meta u plagosën.
Gjithashtu, gjykata vendosi kufizim lëvizjesh në afat të papërcaktuar për dy kushërinjtë Hoxhallari. Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjyqtarja vendosi masën shtrënguese të moslargimit nga territori i Tiranës.
Dy kushërinjtë Hoxhallari akuzuan policinë për arrestimin e tyre. Ata pranuan se e njihnin Artur Bazen, të dyshuarin si vrasës me pagesë, por nuk kanë lidhje me porositjen e vrasjes se Pajtim Serjanit.
Edhe prokurori Ened Nakuçi gjatë fjalës së tij, mësohet se i ka thënë gjykatës, se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme që implikojnë dy kushërinjtë Hoxhallari me ngjarjen e ndodhur në rrugën e Kavajës.
Mbrëmjen e 5 janarit në rrugën e “Kavajës” pranë rrugës “Islam Alla”, sipas policisë, Artur Baze ka qëlluar për të vrarë Pajtim Serjanin icili mbeti i plagosur. Por vete atentatori mbeti i vrare nga efektivi i policisë, Roland Meta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





