





NOA Intervistë/ “Idetë e mia janë që Onufri të jetë kombëtar, për të promovuar artistët shqiparë dhe në një masë më të gjerë, jo të kufizohet në 10 artistë, por të jetë një mundësi shprehje nga të gjithë”
Me një eksperiencë të shkëlqyer ndërkombëtare, e veçanërisht në Itali, Artan Shabani do të linte për pak kohë axhendën e tij artistike për t’u fokusuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, me shpresën për të sjellë një frymë tjetër. Por, si gjithmonë ndryshimet inovative, nuk janë dhe aq të këndshme: ai po sjell një linjë ndryshe muzeale, artistë të njohur përmes retrospektivës, por edhe një këndvështrim ndryshe për Onufrin, konkursin ndërkombëtar, i cili u debatua së fundmi për shkak se Ministria e Kulturës e hoqi nga axhenda kulturore, ndërsa siç premton Shabani pritet që ky event të rikthehet, por me një tjetër koncept…!
Intervistoi: Olsi Kolami/NOA.al
Ka nisur sezoni i ri artistik në Galerinë Kombëtare të Arteve, cilat janë kriteret e zgjedhjes së artistëve që janë në këtë kalendar?
Çdo institucion muzeal siç jemi ne dhe Kosova, ka një bord artistik, të cilit i prezantohen kërkesat që bëjnë artistët, kuratorët dhe bashkëpunëtorët, të cilët mund të jenë qendra muzeale, fondacione apo skena e artit të pavarur. Të gjitha protokollohen dhe bordi i merr në shqyrtim në një mbledhje e cila mbahet enkas për të selektuar ato, sipas politikës së Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila zgjedh ato që vlerësohem më të favorshme, më të mirat për vitin. Ne mundohemi të japim më të mirën e mundshme për publikun shqiptar duke manifestuar ekspozitat nga më të rëndësishmet, më të dobishmet, artistët e njohur e të panjohur, artin emergjent dhe atë historik, artistët kombëtarë dhe ata ndërkombëtarë. Duke i pasur të gjitha këto, me një sy të qartë dhe me një mendje të hapur, selektojmë më të mirën.
Ka gjithmonë disa filtra ky selektim?
Sigurisht, pasi jo çdo kush mund të jetë në një institucion si Galeria Kombëtare e Arteve, dhe kjo ndodh në të gjithë botën, sepse axhenda hartohet në bazë të përzgjedhjeve, ndryshe humbet edhe prestigji i vetë artistit që vjen në këtë institucion. Pra, një muzem, apo qoftë edhe një galeri, sepse sot diferencën e bën kualiteti, ajo që prezanton. Këtu ka shumë kërkesa, por ne nuk mund t’i kënaqim të gjithë artistët. GKA nuk është për të gjithë, dikujt do t’i dhembë, sepse nuk mund të bëjmë çdo javë një ekspozitë, ndryshe humbet serioziteti i institucionit.
Gjithsesi çdokush do të donte të kishte në CV një ekspozitë në GKA?
Padyshim që po, sepse çdo artist do të jetë tek MoMA në New York apo qendra Pompidou në Paris, Muzeumi Ludwig apo Bienalen e Venecias, por kudo ka përzgjedhje, siç janë Adrian Paci dhe Adi Hila, dy artistë shumë të mirë, pra ka një selektim, ka një kurator, ka një koncept dhe në bazë të saj zgjidhet artisti më i mirë me punën që është enkas për atë temë.
A ka ndonjë emër apo ekspozitë që do do të spikasë sivjet?
Të jem i sinqertë, Galeria Kombëtare e fillon me këmbën e mbarë me një artist të rëndësishëm, një artist gjerman që është Sigmar Polke, themelues i Pop Art-it gjermn, i cili ka luajtur me ironinë e tij intelektuale dhe artistike, ka luajtur me realizmin-socialist, pop art-in amerikan, vetë sistemin, pasi jetoi në epokën e quajtur ‘Bumi Ekonomik”. E më pas do të vazhdojmë me Sali Shijakun, Maks Velo, Lek Tasi, fotografë të njohur si Niko Xhufka. Posteri shqiptar vjen për herë të parë, për të cilën nuk është bërë asnjë ekspozitë e plotë, sepse kemi pasur në këto 60 vite piktorë filmash dhe nuk janë bërë asnjëherë bashkë. Po ashtu pritet edhe një retrospektive e 30-40 skulptorëve shqiptarë, ashtu si në Dhjetor kurova me Zana Varvaricën vizatimin shqiptar me 150 vepra, do të bëjmë bashkë edhe skulptorët.
Sali Shijaku është pjesë e kalendarit dhe shumë e presin të shohin vepra të fondit, dikur të zhdukura, a janë kthyer ato?
Po vepra e Sali Shijakut është në GKA. Sigurisht ai ka mbi 4 mijë vepra në gjithë krijimtarinë e tij, por ne do të sjellin në këtë Retrospektivë punët më të mira. Sali Shijaku do të vijë me periudha të ndryshme të krijimtarisë që nga koha kur ishte student. Vepra të Sali Shijakut që kanë qenë në institucionet e shtetërore tashmë janë mbledhur.
Ekspozita “100 vjet vizatim” ishte një premtim i mbajtur nga ju, ç’impresione patët dhe a do të ketë një pavion më vetë kjo gjini?
Vizatimi pa dashje ishte diskriminuar edhe nga vetë artistët, sepse mbahej si diçka jo shumë e rëndësishme. Vizatimi meriton të ekspozohet me të njëjtën krenari e dinjitet që ekspozohet një vepër në vaj apo skulpturë në bronz, sepse pa vizatim nuk ka piktor apo skulptor. Me këtë ekspozitë janë surprizuar edhe vetë artistët që i kishin harruar prej dekadash dhe nuk ishin në dijeni që këto punë ekzistonin ende. Disa artistë si: Maks Velo, Adi Hila apo Sali Shijaku, janë emocionuar teksa shihnin me lot në sy punën e tyre. Pra, ishte një ekspozitë e cila u vlerësua shumë nga artistët dhe familjarët e tyre, po ashtu edhe nga koleksionistët dhe më erdhi keq, ky mbetet pengu im, që nuk pata kohë ta mbaja në GKA edhe një muaj. Por, kjo do të rikuperohet me linjën e re muzeale, sepse kjo pjesë që është restauruar do të ketë vizatimin si pjesë të saj me një pavijon.
Jeni shprehur se krijoni pavionin e skulpturës, kur do të shohim këtë koleksion?
Kam kërkuar që ky pavion të vijë në formën e një parku skulpturash, ashtu siç e kanë shumë vende të tjera. Një park, ku në pjesën ebarit të ekspozohen skulpturat dhe të jenë të ndriçuara gjatë natës. Por të gjitha këto nuk bëhen me shkopin magjik, pasi duhen fonde që projekti të realizohet. Do të doja që GKA të kishte një frymëmarrje më të madhe në aspektin financiar…
Ju e kishit menduar kur erdhët në Shqipëri një pavarësi financiare të GKA-së?
Besoj se gjërat duan kohën e tyre dhe entuziazmi nuk është me skadencë. Shqipëria ka probleme si çdo vend i botës dhe ndër to është edhe arti, klima ku bëhet art, sistemi i munguar i artit, po ashtu edhe tregu, sepse artistët nuk jetojnë me ajër, kanë nevojë ta shesin veprën. Ndërtimi i galerive private gjithashtu duhet favorizuar,. P.sh., kush hap një galeri të ketë taksa të moderuara. Kjo mund të nxisë kompanitë apo bizneset të blejnë vepra për institucionet, sepse prezanton edhe nivelin kulturor.
Ç’po ndodh me konkursin “Onufri”?
Nuk mund të them, as që do të jetë dhe as që nuk do të jetë. Shumë shpejt do të mblidhet një tryezë në Ministrinë e Kulturës, pasi Onufri është një nismë e MK, e cila zhvillohet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Unë organizova edicionin e 20-të dhe ishte kënaqësi. Brenda këtij muaji do të ketë një deklaratë nga Ministria e Kulturës sesi do të vazhdojë Onufri.
Ju keni një ide sesi duhet të rikonceptohet Onufri?
Idetë e mia janë që Onufri të jetë kombëtar, për të promovuar artistët shqiptarë dhe në një masë më të gjerë, jo të kufizohet në 10 artistë, por të jetë një mundësi shprehje nga të gjithë.
Nuk kemi as Bienalen, as Onufrin: mendoni se kjo largon interesin për të parë Tiranë, si një vend tërheqës në aspektin artistik?
Jo aspak, sepse Tirana është një qytet që njihet si skenë e artit. Tirana njihet nga Edi Rama, nga Anri Sala, Adrian Paci apo Helidon Gjergji. Tirana njihet për ekspozitat në GKA por edhe ato nëpër rrethe. Të mos harrojmë se këtu kanë ardhur artistë si Pipilotti Ris apo Tomás Saraceno. Pra, Tirana ka një konsideratë si destinacion arti, i vlerësuar edhe nga revista prestigjioze Artforum me një ekspozitë të Helidon Gjergjit dhe kjo është mënyrë që e bën Tiranën të njohur.
Keni premtuar rikthimin e veprave të fondit të GKA si po ecën ky proces?
Një numër i konsiderueshëm i veprave konsiderohen ende të humbura. U kthyen 140 piktura dhe mbeten mbi 100 të tjera të zhdukura, apo të themi të vjedhura, sepse të humbura është një term elegant. Të mos bëhemi hipokritë, sepse realisht këto vepra janë zhdukur dhe mbetet detyrë e prokurorisë të zbulojë se ku gjenden. Këto janë fondi i kombit shqiptar, por të zhdukura. Kur humbet një vepër në një institucion, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
A keni në plan që veprat shqiptare të ekspozohen jashtë?
Kosova do të mirë presë një ekspozitë e cila do të kurohet enkas për Galerinë Kombëtare të Prishtinës dhe do vijë për publikun në Dhjetor?
Po vizita e fundit në Kuvajt, ç’qëllim kishte, do të udhëtojnë aty veprat shqiptare?
Isha me një ftesë për të prezantuar artistët shqiptarë. Në të njëjtin fokus do të jetë edhe Stambolli e Kina, duke bërë të njohur artistët shqiptarë përtej Shqipërisë. Në Kuvajt prezantuam në Muzeun Modern të Artit një ekspozitë me 5 artistë shqiptare. Ishte një eksperiencë e cila do të konkretizohet në të ardhmen me projekte të tjera në zonën e Abu Dabit, Riadit, Omanit e Katarit, e deri Ningbo të Shangait. Këto janë disa nga vendet ku unë po shoh mundësinë e prezantimit të artit shqiptar, pa harruar edhe vendet e njohura si: Budapesti, Torino, Milano, Paris, Londër, Keln dhe Dusledorf.
Pas dy vitesh në drejtim të GKA, sa ju privuar posti i drejtorit të GKA si artist?
Ndihem i privuar 99 për qind, sepse nuk pikturoj më. Nuk kam kohë për pikturën. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





