Transmetuar më 23-01-2015, 20:57

Rajoni i Elbasanit si zonë e ndërmjetme folklorike, numëron rreth 37 kostume popullore autentike, me mbi 10 varjante.  Sipas etnologut Thanas Meksi: “Nga burimet etnografike dhe gërmimet arkeologjike, harta kostumologjike e rajonit del e pasur dhe shumë e hershme. Ajo ndahet në disa njësi etnografike, si Malësia e Labinotit, Shmilit, Funarit dhe Krrabës, qyteti i Elbasanit, Malësia e Shpatit si edhe Fusha e Elbasanit, Dumresë dhe Sulovës”.

Dokumenti më i vjetër arkeologjik që ruhet në Muzeun Etnografik të qytetit është basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire. Ajo i përket shekullit të II- III, dhe është gjetur në fshatin Tërbaç të Krrabës, nga disa fshatarë.

Një pjesë e kësaj zone vazhdon të ruajë këtë lloj veshje duke u përdorur në kostumet e grave të Krrabës, Funarit, si edhe Godoleshit. “Elemente të tjera të veshjes popullore të dokumentuara në zbulimet arkeologjike, janë edhe vargonjtë  e mesit, tirqet, kallcet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë së Shmilit, Krrabës dhe në atë të Shpatit”, vijon Meksi.

Më vonë shfaqen opinga, xhoka, bruca, që vazhdojnë të përdoren në veshjet e Elbasanit. Opinga përdoret në të gjithë rajonin, ndërsa xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë, përdoret në Elbasan, në malësinë e Krrabës së Tiranës, si dhe në Peqin. Tipike në Peqin, është veshja me jakuce e burrave të qytetit, të cilën e përdorte edhe Isuf Myzyri (kompozitor, Artist i Popullit).

Në shekujt XVI – XVII, merr hov kostumi popullor i grave.

Në shekujt XVI – XVII me zhvillimin e zejtarisë, një zhvillim të madh mori përpunimi dhe tregtimi i mëndafshit. Ai u përdor për eksport, por edhe si lëndë e parë për përgatitjen e kostumeve popullore të grave të qytetit.

Ndaj kostumi shqiptarçe i grave të qytetit të Elbasanit, i huazuar më vonë nga gratë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Peqinit, u bë kostumi mbizotërues i grave të Shqipërisë së Mesme.

Ai vazhdon të vishet nga gratë e kësaj zone të Shqipërisë dhe është kryesor në garderobën e ansambleve artistike dhe folklorike. Jehonë ky kostum ka bërë edhe në festivalet ndërkombëtare.

Shumllojshëmria e kostumeve popullore në trevën e Elbasanit ka tërhequr interesimin e organizatave ndërkombëtare të Folkut Europian.

Etnologu Thanas Meksi thekson se: “Elbasani është një nga trevat më të pasura etno-folklorike të Shqipërisë. Në Elbasan këndohet e kërcehet me shumë pasion kënga e vallja popullore qytetare dhe në të njëjtën kohë ruhen me shumë fanatizëm e krenari kostumet tradicionale popullore.

Në këtë trevë çdo 11 mijë banorë përfaqësohen me kostumin e tyre popullor. Vetëm në qytetin e Elbasanit këndohen 209 këngë popullore bazuar në krijuesit korifenj të kësaj muzike si, Isuf Myzyri, Leks Vini, Mustafa Bodini etj.

Kënga dhe vallja popullore elbasanase janë një pjesë e asaj pasurie të madhe të trashëgimisë kulturore të kësaj treve, e cila është prezente në çdo familje e që i shoqëron në çdo hap gëzimet  e jetës së tyre”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd