

Persona të armatosur dhe me uniformë policie, kanë hyrë në banesën e një qytetari në lagjen “Isa Boletini”, në Vlorë duke u identifikuar si punonjës të Policisë së Shtetit.
Ngjarja ka ndodhur sot, rreth orës 04:00 të mëngjesit, në familjen e Dule B., në qytetin jugor bregdetar.
Por rezistenca e familjarëve ndaj grabitësve, ka bërë që “policët” të reagojnë dhunshëm.
Ata kanë goditur me qytën e automatikut vajzën e familjes, rreth 22 vjeçe. Më pas kanë qëlluar me armë zjarri brenda banesës dhe janë larguar pa marrë asgjë.
Kryefamiljari Dule B. tregon tmerrin e përjetuar teksa i qëlluan të bijën, por nuk fsheh as habinë që përveç terrorit të ushtruar, grabitësit nuk u kishin kërkuar asgjë materiale apo para.
“U tremba kur qëlluan vajzën me qytë. Autorët na hodhën djegës në sy, nuk shikonim. Është e çuditshme që agresorët nuk na kërkuan asgjë”, – tha ai.
Policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ajo tha se agresorët që u futën në banesë kanë patur bashkëpunëtorë të tjerë, që i prisnin jashtë banesës dhe i kanë ndihmuar të largohen.
Policia tha se janë siguruar edhe gjurmët e gishtërinjve të dy agresorëve në ambientet hyrëse të shtëpisë, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse janë identifikuar apo jo ata. Pas mesitës së të dielës, gjashtë persona janë shoqëruar në policinë e Vlorës në përpjekje për të zbardhur autorët e krimit.
Ngjarja vjen pak ditë pas të njëjtit skenar në Kallmet i Madh në Lezhë. Atje policët e rremë rrëmbyen miliona lekë pasi mbyllën në një dhomë familjen.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





