Transmetuar më 29-11-2014, 23:57

Në mediat e Shkupit është publikuar një videomaterial që shikoni në këtë lajm, ku sugjerohet se në një ambient të mbyllur shtypen pasaporta biometrike false.

Materiali i publikuar fillimisht ka mbërritur në redaksinë e javores “Fokus”, ndërsa më pas është shpërndarë edhe nëpër mediat e tjera vendore.

Materiali është dërguar menjëherë për procesim edhe në Prokurorinë e vendit.

Vendi ku po shtypeshin pasaportat dyshohet se është shtëpi private apo apartament.

Një person i panjohur ka xhiruar çdo detaj ku përgatiteshin pasaportat biometrike.

Në tavolina dhe dysheme të lokacionit vërehet një numër i madh i pasaportave të përgatitura, dokumente të tjera, vula dhe firma të MPB-së si dhe materiale tjera biometrike.

Ndërsa gjitha këto përgatiteshin me makinerinë speciale për pasaporta. Mediat kanë raportuar se këto pasaportat dyshohet se janë përgatitur para zgjedhjeve.

Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme (MPB) reagoi sot mbi këtë skandal. Ministrja, Gordana Jankullovska, e quan shkrimin një vepër të opozitës. Zonja Jankullovska u tha mjeteve të informimit se organet e rendit nuk janë përfshirë në përpunimin e paligjshëm të pasaportave dhe aq më pak në skandale që kanë të bëjnë me votues të paligjshëm.

Jankullovska tha se as Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka njoftuar ndonjëherë lidhur me ndonjë përpjekje për keqpërdorimin e dokumenteve të identifikimit.

Analistët politikë në Shkup thonë se nëse pohimet e shtypit dalin të vërteta, atëherë do të dëmtohej rëndë imazhi i vendit dhe kjo do të ndikonte në procesin e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit