

Nga Edison Kurani / Independent Balkan News Agency
Në festimet e 70 vjetorit të çlirimit, kryeministri shqiptar shpalli hapje totale të dosjeve të diktaturës komuniste. Kjo ishte hera e parë që një zyrtar i lartë shteti lajmëron hapjen e të gjitha dosjeve në këto 24 vjet pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Deri tani janë bërë disa përpjekje për hapje dosjesh por ato kanë qenë të cunguara, të manipuluara politikisht dhe të keqpërdorura.
Por tani duket se do të jetë ndryshe. Rama flet për hapje të të gjitha dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, shërbimi sekret famëkeq që rekrutonte me gjithfarë mënyrash qindra mijë shqiptarë që me ose pa para bëheshin spiunë të regjimit duke spiunuar deri familjen, kolegët dhe miqtë e tyre.
“Ne do t’i hapim të gjitha këto ‘varre’ të kujtesës. Këto që janë në formë dosjesh, për t’i dhënë mundësi vajzave dhe djemve të gjeneratës tjetër që të kuptojnë se nga vijnë prindërit, nga vijnë gjyshërit, nga vjen vendi i tyre. Që të nxjerrin vetë ata, jo nëpërmjet imponimeve të historisë së shkruar nga politikanët apo të politikanëve që i japin të drejtën vetes të bëjnë edhe histori, por nëpërmjet raportit të drejtpërdrejtë me dëshmitë e së shkuarës, një perceptim sa më realist, por edhe sa më nxitës për imagjinatën e tyre krijuese. Në mënyrë që të jenë njerëz të lirë dhe që të mos lejojnë askënd që t’i luftojë rehatinë personale të të menduarit”, – argumenton z.Rama, planin për hapjen e dosjeve.
Kryeministri vlerëson se “ruajtja me fanatizëm e misterit të dosjeve të të shkuarës, dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura, është në fakt vazhdimësia e të njëjtës shkollë, e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin, pavarësisht kostos dhe pavarësisht tonelatave të propagandës gënjeshtare që derdhet përditë mbi të tjerët”. Ndaj ai premton: “Ne jemi këtu për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën, jo për të rishkruar historinë, por për ta ekspozuar të shkuarën në gjitha format që e disponojmë, si një mundësi për t’i vendosur përpara syve të gjeneratave të reja, në radhë të parë, por edhe të gjithë të tjerëve, dëshmitë e saj, skutat e saj, imazhet e saj, dokumentet e saj”.
Gjithsesi, z..Rama nuk dha shpjegime se si do të procedohet me hapjen e këtyre dosjeve.
A duhet të hapen dosjet?
Dilema e madhe sot, është, nëse duhet të hapen dosjet ashtu si në Gjermani, ku kushdo mund të shkojë dhe të shohë dosjen e vet apo të një personi tjetër?
Nëse në Gjermani kjo ka funksionuar, shumë njerëz në Shqipëri janë skeptikë se mund të kalojë pa probleme.
Disa thonë se hapja e dosjeve do të trazonte shumë jo vetëm politikën por në tërësi shoqërinë shqiptare. Shumë njerëz gjatë periudhës së komunizmit, në mënyrë vullnetare, të detyruar ose jo, apo të përfshirë nga rrethanat e një sistemi diktatorial, i kanë shërbyer organeve si Sigurimi i Shtetit duke dhënë e shkëmbyer informacione nga më të ndryshmet për njerëz të ndryshëm deri edhe për rrethe të ngushta familjare e shoqërore.
Përvoja në Shqipëri është e hidhur këto dy dekada e gjysmë. Shumë ngjarje të dhimbshme kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin, për konflikte nga më banalet, kryesisht sherre familjare, për pronën, kufijtë e pronave, e të tjera arsye banale që vijnë kryesisht nga natyra mesdhetare gjaknxehtë dhe e rrëmbyer e shumë shqiptarëve kur përballen me të tilla incidente apo “arsye”.
Por ç’do të ndodhte nëse dosjet hapen për të gjithë? A e kemi ne pjekurinë gjermane që të mos i sulemi pushkës, fjala vjen, kur të shohim se ishte shoku më i mirë që spiunoi për babanë që thoshte se nuk kemi bukë të hamë, duke i prishur të ardhmen të birit që donte të studionte e duke sjellë kështu një reaksion zinxhir të prishjes së një familjeje?
E vërteta është se ndër spiunllëqet e sigurimsave, pjesa më e madhe ishin pikërisht kaq ordinere. Sepse mjaftonte një ankesë e vogël kundër regjimit që të bëheshe objekt i “nxirjes së jetës” sapo ky informacion mësohej nga Sigurimi.
Presidenti: Tjetër lustracioni dhe tjetër hapja e dosjeve
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, thotë se hapja e dosjeve do të qetësojë shumë shpirtra: “Detajet e dosjeve duhet të dalin. Duhet të qetësohen shpirtrat”.
Nishani thotë se nuk mund të trembet askush për hakmarrje nëse hapen dosjet pasi përvoja flet ndryshe: “Ne kemi mjaft raste që viktimat e atij regjimi kanë njohur xhelatët dhe nuk ka pasur asnjë rast të hakmarrjes”.
Presidenti vlerëson se hapja e dosjeve është një gjë dhe ligji i lustracionit një tjetër. Nishani shkon edhe më larg kur thotë se duhet të verifikohen pasuritë dhe asetet e përdorura nga disa persona në kohën e komunizmit.
Ismail Kadare: Tragjedia ndodh kur nuk hapen dosjet
Në debatin e nisur për dosjet, përfshihet edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Ai është për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. “Kam qenë jam dhe do të jem gjithmonë për hapjen totalisht të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ky ka qenë dhe është qëndrimi im”, – thotë z.Kadare.
Disa herë kandidat për President por asnjëherë nuk e ka pranuar këtë post, Kadare thotë se askush nuk ka pse të trembet se nëse hapen dosjet, Shqipëria ka për të kaluar një tragjedi kombëtare: “Nuk mund të ndodhë një tragjedi kombëtare nga një pastrim i ndërgjegjes. Tërë vendet e botës e kanë kryer këtë proces të detyrueshëm, i cili është i dhimbshëm. Por mund të them se ata nuk kanë pësuar një tragjedi, asnjëri prej tyre. E filloi Gjermania, Çekia, Polonia me shumë vështirësi Rusia. Askund nuk mund të thuhet se ka ndodhur ndonjë tragjedi. Përkundrazi, tragjedia ndodh kur nuk hapen. Jemi ne që jemi ndërkaq në tragjedi. Në mbyllje të kësaj të fshehte”.
Paralelisht me Ramën vjen drafti i shoqërisë civile
Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut në bashkëpunim me ish të përndjekurit dhe me ish-studentët e “Dhjetorit të ‘90”, dorëzuan këto ditë në Parlament, projektligjin e lustracionit dhe hapjes së dosjeve. Ky draft është i bazuar në modelin gjerman të hapjes së dosjeve të ish-Stasit. Drafi i është propozuar 6 vite më parë edhe qeverisë së mëparshme.
Në fakt, një ligj për lustracionin ka ekzistuar në vite. Por Elsa Ballauri nga GSHDNJ thotë se ‘ligji i lustracionit nuk ka funksionuar pasi është bërë nga politika, ndërsa në këtë rast ai është bërë nga shoqëria civile’. “Politika ka bërë që ligji të funksionojë për interesat e veta dhe kjo është arsyeja që ligji nuk ecën përpara dhe nuk funksionon”, thotë Ballauri.
Ajo shpjegon mënyrën sesi dosjet do të bëhen të aksesueshme për shqiptarët. “Dosjet kanë një procedurë të caktuar, ato bëhen të aksesueshme për çdo qytetar shqiptar, i cili kërkon të shikojë vetëm dosjen e tij. Me një kërkesë të veçantë drejtuar autoriteteve, çdo njeri mund të kërkojë të shoh dosjen e tij, nëse ai ka një të tillë, por nuk ka mundësi që të kërkojë hapjen e një dosje të një të afërmi të tij. Kjo është një çështje e individit kundrejt kërkesës për autoritetin”.
Për njerëzit e politikës, drafti që Ballauri ka prezantuar, sugjeron hapje publike të dosjeve. “Dosjet e këtyre personave hapen dhe bëhen publike edhe në rast se ata nuk duan që kjo të bëhet”.
Ballauri sqaron se ligji i dosjeve as nuk dënon, as penalizon dhe as çon në burg njerëz apo ndërpret mandate kushtetuese. Ajo pohon se me ligjin e kaluar u krijua ky perceptim që ajo thotë se është i gabuar.
Kurse drafti aktual i trajton çështjet nga ana morale për të gjithë të përfshirët në ish-Sigurimin e Shtetit. I vetmi ndëshkim që do të ndërmerret, ka të bëjë me ndërprerjen e karrierës të të gjithë atyre që kanë kontribuar në sigurimin e shtetit në kohën e diktaturës, të cilët vijojnë të jenë funksionarë të shtetit, qoftë dhe deputetë.
Klosi: Dosjet le të hapen por kryesoret janë zhdukur
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, thotë se pjesa më e madhe e dosjeve të Sigurimit të Shtetit janë djegur. "Dosjet le të hapen, por pjesa kryesore e tyre janë eliminuar”, pohon ai.
Klosi ështyë kundër hapjes totale të dosjeve. “Duhet të hapen dosjet, ajo pjesë që ka të bëjë me diktaturën, por jo të tëra. Sepse ka shumë gjëra të shtetit që nuk duhet të dalin në publik”, thotë Klosi.
Zhiti: Jo vetëm spiunët por edhe ata që ndihmuan regjimin
Shkrimtari disident Visar Zhiti, publicist i njohur dhe ish i burgosur politik, thotë se hapja e dosjeve është e rëndësishme. Ish ministri i Kulturës sugjeron se “çështja është të dalë lista e bashkëpunëtorëve”.
“Kush bëhet njeri publik, mirë është ta njohim se cili është. Nëse ne kërkojmë të dalë lista e atyre që bashkëpunuan me Sigurimin e Shtetit dhe vetëm kaq, atëherë jemi shumë të mangët në këtë pjesë. Ata që bënë spiunin ngelen gjithmonë në hije dhe të pacenuar. Unë kërkoj që krahas listës së bashkëpunëtorëve të shtetit, të vihen dhe emrat e atyre që kanë ndihmuar regjimin komunist”, sugjeron Visar Zhiti.
Meta: Dosjet të hapen pa cenuar sigurinë kombëtare
Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta në pohon se çështja e hapjes së dosjeve është një proces që ka një histori shumë të gjatë sa ajo e tranzicionit. Kurse sugjeron se duhet të ruhet siguria kombëtare dhe Kushtetuta.
“U bënë 24 vjet që ky proces hapet dhe rihapet në mënyra të ndryshme apo të njëanshme. Unë jam dakord për një hapje, për transparencë, pa asnjë diskutim, duke mos cenuar parimet kushtetuese të cilat njëkohësisht janë shumë të rëndësishme, pasi dimë problemet që kanë ndodhur në të kaluarën me ligjin për lustracionin. Kështu që çdo hapje do të ishte pozitive për t’i shërbyer transparencës në raport me opinionin publik për të gjitha ato rastet kur nuk cenohet siguria kombëtare”, thotë z. Meta.
Halimi: Hipokrizi e Ramës, 5 vjet më parë e bllokoi ligjin
Deputeti demokrat Eduard Halimi është skeptik në nismën e Edi Ramës për hapjen e dosjeve. Ish ministri i Drejtësisë kujton faktin se kur Rama isht enë opozitë, drafti për dosjet u bllokua. “Edi Rama eshte hipokrit. Ai bashke me 35 deputetet e tij bllokoi ligjin para 5 vjetësh dhe sot thote se do hapen dosjet”, – thotë Halimi. Në fakt gjykata Kushtetuese atëherë hodhi poshtë draftin për dosjet, pas kërkesës së socialistëve.
Halimi thotë se plani Rama është një shoë strategjik: “Rama dhe mediat e tij kerkojne te na terheqin ne nje debat për hapjen e dosjeve, per t’i ikur përgjegjësisë së rrënimit te ekonomise dhe korrupsionit galopant te kesaj qeverie”.
Mesila Doda: Duhet dekomunistizim
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, thotë se hapja e dosjeve duhet të shoqërohet me “dekomunistizim”: “Të hapen dosjet e komunizmit dhe njerëzit të mësojnë të vërtetën për njerëzit që voton apo ata që janë të emëruar në poste të larta. Kurse Parlamenti i Shqipërisë të konstituojë një komision hetimor për të zbardhur krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit komunist dhe së bashku të gjitha krahët e politikës të dënojnë krimet e komunizmit dhe të heqin gjithë ofiqet dhe nderet për ish-diktatorin.
Shpresoj që kjo platformë e dekomunistizimit të mbështetet nga gjithë të rinjtë dhe intelektualët që nuk dëshirojnë që vendi i tyre të mbetet peng i së kaluarës.
Ne kemi nevojë për të vërteta, Shqipëria ka nevojë për të zbardhur historinë e saj dhe të reflektojë për gabimet dhe tragjeditë e së kaluarës", thotë Mesila Doda.
Erjon Braçe: Berisha të ketë frikë
Deputeti socialist, Erjon Braçe, përqendrohet tek ish kryeministri Sali Berisha kur thotë se “dosjet do hapen, madje edhe per dëshmitarët”.
Berisha para se të vihej në krye të Partisë Demokratike ka qenë sekretar partie në diktaturën komuniste dhe mjek i udhëheqjes komuniste. Këto fakte, Braçe i përmend me zell dhe shton: “Unë e kuptoj Sali Berishen. Ai do të mbulohet, tani qe eshte me afer se kurrë procesi i hapjes se dosjeve te ish Sigurimit”.
Vetë Berisha nuk ka folur për planin “Rama’ që të hapen të gjitha dosjet.
Ambasadori i Gjermanisë: Shqiptarët ta zgjidhin vetë
Gjermania u tregua e vendosur kur hapi dosjet. Ambasadori i Gjermanisë, Helmut Hoffmann, thotë se hapja e dosjeve është një proces i vështirë, por i rëndësishëm. Ai thekson se nga përvoja gjermane ka rezultuar një proces i suksesshëm. “Si i huaj nuk mund të them bëni këtë apo atë, por mund të them që ne e kemi kaluar një përvojë të tillë”, – thotë z.Hoffmann.
“Ne në Gjermani jemi përballur me disa situata të ngjashme të vështira. Si me periudhën e regjimit katastrofik nazist, dhe më pas me regjimin e Republikës Demokratike gjermane, duke hapur dosjet e shërbimit sekret “Stasi”. Në të dyja rastet ne hapëm dosjet dhe kur u hapën ato të periudhës komuniste të Gjermanisë Lindore, pati shumë njerëz që u shokuan, pasi mësuan se shumë nga miqtë e tyre të ngushtë ishin spiunë ose bashkëpunëtorë të regjimit. Por pavarësisht se ishte një eksperiencë pak e hidhur, është një hap i shëndetshëm. Pra mund të them që në fund ishte diçka shumë pozitive për ne. Dhe besoj se edhe te ju do të jetë diçka që do t’i shërbejë shoqërisë, por ky është një debat që shqiptarët duhet ta zgjidhin me njëri-tjetrin”, thotë ambasadori Hoffmann. /ibna/
Si i kanë hapur dosjet vendet ish-komuniste?
BULLGARIA
Në dhjetor 2006, parlamenti i Bullgarisë kaloi një ligj për të hapur arkivat e shërbimeve të saj sekrete dhe për të zbardhur të vërtetën mbi shërbimin që quhej “Darzhavna Sigurnost”, një prej shërbimeve më famëkeqe sekrete të Luftës së Ftohtë. Sipas ligjit, publiku lejohet që të shohë dosjet. Por disa dosje mbeten sekrete për publikun, për arsye të “sigurisë kombëtare".
REPUBLIKA ÇEKE
Në vitin 2003, Republika Çeke botoi listën e personave që kanë bashkëpunuar me policinë sekrete të kohës së komunizmit, “StB”.
Ishin emrat e rreth 160 mijë personave të pretenduar si bashkëpunëtorë, bërë publikë nga ish-disidenti Petr Cibulka.
SLLOVAKIA
Ky vend hapi mijëra dosje sekrete të policisë sekrete të kohës së komunizmit “StB” në nëntor të vitit 2004. Këto dosje përmbanin emrat e më shumë se 21 mijë vetëve, ku përfshihen informatorë dhe disidentë të pretenduar, datojnë në mesin e viteve ‘50.
GJERMANIA
Pas ribashkimit, Gjermania kaloi një ligj në vitin 1991 për hapjen e arkivave të policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, “Stasi”. Çdo shtetas ka të drejtën të inspektojë dosjet personale dhe të gjejë se deri në çfarë mase “Stasi” ka ndikuar në jetën e tij. Deri tani, më shumë se dy milionë njerëz i kanë inspektuar dosjet e tyre.
HUNGARIA
Në vitin 2003 një ligj u mundësoi qytetarëve hungarezë që të shikonin dosjet e tyre të hartuara nga policia sekrete e kohës së komunizmit, për t’u krijuar kështu mundësi viktimave që të shikonin se kush i kishte spiunuar. Vetëm informacionet që vlerësohet se prekin sigurinë kombëtare mbeten sekrete.
POLONIA
Në nëntor 2006, presidenti Lech Kaczynski firmosi një ligj të ri për hapjen e dosjeve të policisë sekrete që përmbanin informacione për diplomatë aktualë, ministra qeverie dhe anëtarë të parlamentit. Përpara këtij ligji, vetëm historianët dhe gazetarët kishin mundësi t’i shihin këto dosje, të cilat mbahen në Institutin Kombëtar të Përkujtimit (IPN) të ngritur në 1998 për të përndjekur krimet naziste dhe komuniste në Poloni. Dosjet janë bërë publike, por personat që tregohen se kanë bashkëpunuar kanë të drejtë të apelojnë në gjykata për të pastruar emrat e tyre.
RUMANIA
Në vitin 1999, qeveria ngriti një komision të posaçëm, Këshilli për Studimin e Arkivave të Sigurimit (CNSAS) për të studiuar miliona dokumente të policisë sekrete, “Securitate”. Në bazë të ligjit, CNSAS-s i kërkohet që të kërkojë mes dokumenteve për shenja bashkëpunëtorësh në mesin e politikanëve dhe figurave të larta publike. Në vitin 2005, të gjitha arkivat e “Securitate”-s, u hapën për publikun, me përjashtim të atyre të kanë të bëjnë me çështje të sigurisë kombëtare. Mijëra vetë kanë mundur të zbulojnë nëse të afërmit apo fqinjët e tyre kanë qenë apo jo spiunë.
ISH-BASHKIMI SOVJETIK
Në ish-Bashkimin Sovjetik, me përjashtim të republikave balltike, tendenca ka qenë për t’i mbajtur të mbyllura këto arkiva të policisë sekrete sovjetike, KGB. Ish-oficerë të lartë të KGB-së janë në krye të politikës apo biznesit në Rusi. Nga vendet ballktike, Letonia votoi në mars 2007, për hapjen e arkivave që mbanin emrat e agjentëve të ish-KGB-së. Parlamenti i Lituanisë votoi në tetor 2006 për hapjen e arkivave specialë të qeverisë ku mbahen dosjet e KGB-së, që këto dosje të jenë të hapura pa kufizime për publikun.
ISH-JUGOSLLAVIA
Në vitin 2001, shtetasit serbë u lejuan për herë të parë që të shikonin dosjet sekrete të UDBA-s. Por shoqatat për të drejtat e njeriut kundërshtuan ndaj faktit se pasuesit e UDBA-s mund të ruanin kontrollin e dosjeve. Ata gjithashtu ishin dyshues se shumë dosje mund të jenë shkatërruar në ditët dhe javët që pasuan rrëzimin e Sllobodan Millosheviçit. Pjesa më e madhe e publikut në Serbi dhe Kroaci është e interesuar lidhur me dosjet e policisë sekrete në vitet pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Në nëntor 2001, Kroacia hapi dosjet e policisë sekrete të mbajtura nga qeveria e presidentit, Franjo Tudjman.
Në prill të vitit 2003, një faqe interneti e paautorizuar afishoi informacione për 1.5 milion individë në Slloveni, të marrë nga arkivat e UDBA-s. Qeveria u përpoq që të bllokonte hyrjen në këtë faqe.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





