Transmetuar më 29-11-2014, 18:36

Bayern Munich vazhdon të mos ndalet në Bundesligë. Skuadra e Pep Guardiolës tregoi dhëmbët edhe në sfidën e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit gjerman duke kaluar me rezultatin 1-0 Hertën e Berlinit.

Në transfertën e Olympiastadion, Bayernit i mjaftoi një gol i holandezit Arjen Robben për të marrë tre pikët e radhës.

Ky ishte suksesi i 4-t radhazi për baverezët në Bundesligë, me Bayernin që tashmë e sheh veten në kuotën e 33 pikëve në vendin e parë të klasifikimit, dhe gjithnjë e më pranë titullit të 25-të kampion.

Pa u mbushur ende 2 minuta, Bayerni mund të kishte kaluar në avantazh por Robert Lewandowski nuk e shfrytëzoi siç duhet pasimin e saktë që mori nga Muller duke e dërguar topin jashtë katërkëndëshit të portës.

Gjithsesi kampionët e Gjermanisë zhbllokuan gjithçka në minutën e 27-të. Këtë herë Muller nuk peshkoi më Lewandowskin por holandezin Robben i cili me një goditje nga jashtë zone e dërgoi topin pas shpatullave të portierit Kraft.

Më pas sfida e humbi atë ritmin e fillimit dhe Bayerni më shumë sesa për të shënuar e kishte mendjen të menaxhonte avantazhin.

Baverezët patën dy mundësi të mira në minutat 82 dhe 89 me të njëjtin autor sulmuesin polak Robert Lewandowski, por ish sulmuesi i Dortmundit në asnjë moment nuk e pati saktësinë e duhur në finalizim.

Në Olympiastadion përfundoi 0-1 për Bayernin që vazhdon marshimin drejt titullit kampion.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit