Transmetuar më 28-11-2014, 23:13

Tashmë është zyrtare, Carlos Sainz Jr do të jetë një pilot i skuadrës Toro Rosso, që nga sezoni i ardhshëm i Formula 1, duke pasuar francezin, Jean Eric Vergne.

Ishte vetë skuadra italiane e cila në faqen e saj zyrtare në internet, bëri të ditur se ka firmosur një marrëveshje me pilotin 20-vjeçar Carlos Sainz Junior.

Në komunikatën e Toro Rossos shkruhet se dyshja e pilotëve për vitin 2015 do të përbëhet nga Carlos Sainz Jr dhe Max Verstaapen.

Nuk bëhet e ditur kohëzgjatja e kontratës që i riu spanjoll ka nënshkruar me skuadrën italiane, që në Formula 1 shërben si një filial i austriakeve të Reb Bull për të rritur talentet e këtyre të fundit.

Carlos Sainz Jr, i biri i legjendës spanjolle të Rally-it Carlos Sainz, më herët ka marrë pjesë në disa lloje të ndryshme garash me makina.

Në vitin 2008 ai fitoi titullin Botëror të zonës së Azisë dhe Paqësorit në garat me makinat go-karts.

Në vitin 2012 Sainz Jr garoi në Formula 3, ndërsa gjatë këtij viti piloti 20-vjeçar ka qenë pjesë e skuadrës DAMS, në garat e Formula Renault 3,5.

Menjëherë pas firmës me Toro Rosson, Carlos Sainz Jr dha një deklaratë për mediat gjatë të cilës shfaqi gjithë lumturinë e tij që do të jetë pjesë e Formula 1.

“Unë jam shumë i gëzuar që në 2015-n do të jem pjesë e skuadrës Toro Rosso. Që më herët unë kam qenë pjesë e programit që ka Reb Bulli për të rinjtë, dhe në këtë moment dua të falënderoj Reb Bull që më ka dhënë mundësinë të garoj në një sport madhështor si Formula 1.

Do të punoj fort dhe do të jap më të mirën time për të bërë një paraqitje sa më pozitive në 2015-n, në drejtimin e një makine Toro Rosso.

Mezi po pres momentin për të bërë debutimin tim zyrtar në Formula 1”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit