

Më në fund ka festë edhe për Stuttgartin. Ndryshimi në drejtim pati një efekt jo të vogël te Shvabët, që në ndeshjen e parë me në krye trajnerin Huub Stevens arritën të riktheheshin te fitorja pas 3 humbjeve radhazi, dhe e bënë diçka të tillë në mënyrën më bindëse të mundshme.
Stuttgarti ja doli të merrte tre pikë në transfertën e Mage Solar Stadion duke fituar me shifrat e thella 4-1 përballë vendasve të Freiburgut.
Ishin pikërisht miqtë ata që kaluan të parët në avantazh teksa në minutën e 31-të austriaku, Martin Harnik u gjend në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të shtyrë në rrjetë një top të goditur me kokë brenda zone nga qëndërmbrojtësi Rudiger.
Gjithsesi reagimi i Freiburgut ishte i shpejtë, pasi në minutën e 42-të Darida goditi saktë nga distanca duke mposhtur portierin Ulreich për t’i çuar shifrat në 1-1.
Megjithatë Stevens i dha shtysën e duhur Stuttgartit në pushim, dhe kur kishin kaluar vetëm 8 minuta nga starti i pjesës së dytë Shvabët kaluan sërish në avantazh.
Këtë herë ishte ekuadoriani, Carlos Gruezo ai që finalizoi një kundërsulm të shpejtë të miqve.
Werner në minutën e 68-të i çoi shifrat në 1-3 pas një asisti perfekt që mori nga Leitner, ndërsa për të vendosur në kasafortë fitoren e Stuttgartit mendoi Harnik, i cili 6 minuta më vonë sigloi dygolëshin personal në këtë sfidë.
Me këtë fitore, Stuttgarti arriti Freiburgun në tabelën e klasifikimit në kuotën e 12-pikëve duke u ngjitur në vendin e 15-të.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





