

Lushnje, 28 nëntor 2014, NOA.al- Ish-drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lushnje është arrestuar nga policia ditën e sotme.
Kjo pasi Prokuroria e Lushnjes ka nxjerrë urdhër-ndalimi për Dine Aliaj, ish-drejtor i OSHEE, filiali Lushnje, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Nga verifikimet e kryera nga ana e Prokurorisë Lushnje, në bazë të materialit referues të Task-Forcës për energjinë elektrike, ka dyshime se Aliaj, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si drejtues i filialit të OSHEE, ka vjedhur energjinë elektrike, e cila furnizonte shtëpinë dhe një lokal të madh në pronësi të tij.
Nga verifikimet e sahatëve për këto dy ambiente, të regjistruar në emër të Dine Aliaj, rezulton se vulat e aparatëve nuk janë të matrikuluar, gjë që krijon mundësinë për abuzime.
Dyshimet e prokurorisë së Lushnjes mbështeten gjithashtu në vlerat e faturave të energjisë elektrike të shtëpisë dhe lokalit të këtij shtetasi.
Rezulton se, prej kohës kur Dine Aliaj është emëruar drejtor i filialit të OSHEE në Lushnje, faturat e energjisë elektrike për shtëpinë dhe lokalin e tij, i cili ka një sipërfaqe të madhe, shënojnë ulje të ndjeshme në vlerë leku.
Madje, ka fatura të muajve të ndryshëm, në të cilat vlera që duhet të paguante ky shtetas për lokalin, në të cilin kishte hapësirë për organizime festimesh, ishte 200 lekë të reja.
Po ashtu, disa muaj të tjerë, po për lokalin, shifrat e faturave arrinin në vlerën 2 mijë deri në 3 mijë lekë të reja, ndërkohë që janë krijuar dyshime të arsyeshme se shuma e konsumuar nga ky ambient privat, lokal, është shumë herë më e lartë./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





