

Tiranë, 28 nëntor 2014, NOA.al- Konfindustria i cilëson masat e paketës fiskale të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë si të pamjaftueshme për të mbështetur arritjen e synimeve të parashikuara në ligjin për buxhetin 2015 si rritjen ekonomike prej 3% të PBB, uljen e borxhit publik dhe defiçitit buxhetor.
Administratori i përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, shprehet se pengesë e ndjeshme për arritjen e synimeve të ligjit për buxhetin 2015 paraqesin edhe pengesat ligjore të paarsyetuara për zhvillimin e industrisë së ndërtimit dhe industrisë së riciklimit.
Në vijim Konfindustria shpreh shqetësimin, paraqitur zyrtarisht vendimarrjes politike, se rritja e të ardhurave buxhetore në kushtet e një fshehje fiskale të lartë prej afro 50% të PBB, duhet të mbështetej dhe ishte plotësisht e mundur në mirëadministrimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo në politikën e rritjes së taksave dhe tatimeve, sikurse është parashikuar në tërësi në ligjin për buxhetin 2015.
“Rëndesa në vazhdimësi e barrës fiskale brenda 1 viti me 50% i tatimeve mbi fitimin, dividentin, të ardhurat personale, qiratë, etj., ul fuqinë konkurruese të ekonomisë shqiptare në rajon për investimet e huaja, rrit trysninë për shtim të evazionit fiskal, rrit kostot e prodhimeve vendore, ul fuqinë blerëse të konsumatorëve, nuk mbështet rritjen ekonomike dhe të ardhurat buxhetore te parashikuara. Mbështeten disa prej masave fiskale të parashikuara në paketën shoqëruese të ligjit të buxhetit 2015 si p.sh ulja e rentës minerare dhe naftës për industrinë prodhuese vendore, paketa per bujqësinë me kusht marrjen e masave shoqëruese për formalizimin e saj”, thuhet nga ana e Konfindustria.
Në përfundim shprehet mbështetetja e rritjes së pjesës së rentës minerare për pushtetin vendor, duke e vlerësuar si hapin e nevojshëm për suksesin e reformës administrative./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





