

Goditja me kokë ndaj Thiago Motta në koridorin e dhomave të zhveshjes të stadiumit Parc des Princess, pas takimit PSG-Bastia të 16 gushtit të kaluar, i kushton shtrenjtë Brandaos.
Sulmuesi që u skualifikua për 6 muaj nga drejtësia sportive, u dënua me një muaj burg në procesin gjyqësor të drejtësisë penale.
Një dënim që nuk mund të shndërrohet në lirim me kusht edhe pse Brandaos i mbetet mundësia që të përfitojë ndonjë ulje në Apel.
Drejtësia penale vendosi që për çështjen në fjalë të ndërmarrë një ndëshkim shembullor. Prokurori në fakt kishte kërkuar 8 muaj burg, por që mund të shndërroheshin në dënim me kusht si dhe 15 mijë Euro gjobë.
Gjykata vendosi që braziliani të paguajë 20 mijë Euro gjobë, 5 mijë më tepër, por duke e dënuar me një muaj burgim duke hequr mundësinë e lirimit me kusht, kështu që Brandaos me shumë mundësi do t’i duhet të qëndrojë 30 ditë pas hekurave.
Ndaj Brandaos rëndoi edhe akuza e sulmit të paramenduar, që i shkaktoi një frakturë në hundë Thiago Mottas, citon Supersport.
Për gjykatësin ky ishte një gjest i papranueshëm në kontekstin e luftës ndaj dhunës, aq më tepër kur kryhet nga një futbollist.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





