



Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot shqetësimin e tij, në lidhje me mitmarrjen në sistemin e arsimit. Referuar ngjarjes së Lushnjës, ku drejtoresha Rajonale e Arsimit u arrestua për mitmarrje, Kryeministri tha se ky nuk është një rast i veçuar por maja e një ajsbergu.
“Jam i shqetësuar për faktin që vazhdon të ketë një shprehje të përgjithshme shqetësimi për mitmarrjen në sistemin e arsimit. Ngjarja e rëndë e Lushnjës, nuk është një aksident i veçuar, por maja e një ajsbergu që do e bëjmë copë-copë, pa kursyer askënd. Duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do të kurorëzohet në muajin dhjetor, asnjë drejtor rajonal arsimor, nuk do ketë më në dorë që të bëjë emërime apo çemërime mësuesish. Asnjë drejtor nuk do ketë në dorë fatin e asnjë njeriu”, – tha Rama në një aktivitet sot në Tiranë ku në takim me arsimtarë, ai shpërndau certifikata vlerësimi për shkollat që kanë dalë me rezultatet më të mira në vend.
Vlerësimi i shkollave më të mira publike e private sipas raportit të Maturës Shtetërore ka qenë pika kryesore në takimin e zhvilluar sot në qendrën e Kulturës, pranë Kishës Ortodokse, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Arsimit Lindita Nikolla.
Z.Rama është ndalur në emërimet e arsimtarëve: “Kjo është e patolerueshme dhe me këtë do ndahemi pas një muaji, duke u bashkuar me të gjithë ata që kanë se çfarë t’i japin arsimit shqiptar dhe që kanë nevojë vetëm për një rrugë, atë të konkurrencës së ndershme. Kjo do përcaktohet nga metoda e re e prezantuar nga ministrja e Arsimit. Nuk do kursejmë asgjë dhe askënd, madje as pushtetin tonë. Do e konsumojmë pushtetin në funksion të së mirës ”.
Ndërkaq ai bëri me dije se reforma në arsim do të vazhdojë, efektet e të cilave do të ndihen pas disa kohësh. “Sistemi arsimor është një situatë që është shumë larg ëndrrave, shpresave dhe ambicieve tona, por besoj se ministria e Arsimit është e vendosur në rolin e saj, për të reformuar sistemin. Reformat i japin efektet e tyre në kohë dhe jo menjëherë, njësoj si në operacionet e thella në trupin e njeriut, për të shkulur sëmundjet e rënda. Rezultatet e para të maturës shtetërore, të bazuar tek transparenca dhe meritokracia, e kemi para syve dhe kjo shihet qartë duke bërë krahasime me të shkuarën e djeshme. Matura shtetërore na hap një kapitull të ri. Procesi i modernizimit është përgjigjja reale ndaj korrupsionit dhe klientelizmit që bën që të bjerë poshtë çdo program, sa do i shkruar mirë. Ndryshimi i sistemit është përgjigjja ndaj korrupsionit”,- u shpreh Kryeministri.
Z.Rama foli edhe për mësuesit që janë jashtë profilit, të cilët do të shkarkohen brenda muajit dhjetor. Bëhet fjalë për 2 278 të tillë, të cilët do të zëvendësohen me mësues të profilit. Punësimi i tyre do të bazohet tek rezultatet e testit, që pritet të zhvillohet shumë shpejt.
Sipas Ramës, testet do të jenë të sekretuara në mënyrë që Komisioni i Vlerësimit nuk do të dijë se për kë bëhet fjalë, por do vlerësojë testet që do të ketë përpara. Në provime do të futen edhe mësuesit që janë brenda profilit, por që nuk kanë nivelet e duhura. Punën do të fitojnë në bazë të rezultateve që do të marrin pas testimit. Një tjetër risi në arsim është edhe licencimi i mësuesve për mësimdhënien.
“ Çdo mësues do ketë licencën e tij. Ky do jetë një dokument që do përmbajë kuotat që dalin nga testimet. Ky do jetë një dokument që nuk do e shkelë asnjë drejtor e burokrat, pasi sistemi do u garantojë atyre vendin që meriton. Shkolla nuk do jetë më një magazinë militantësh. Shtatorin e ardhshëm do hapet shkolla për drejtorët”,-ishte njoftimi që dha Kryeministri i vendit.
Zbulohet skandali, seks në zyrat e shtetit në Lushnjë
Gjykata jep arrest me burg për drejtoren e Arsimit Lushnjë
Korrupsion, arrestohen Drejtoresha e Arsimit në Lushnje, i biri dhe një mësues
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





