Transmetuar më 27-11-2014, 16:46

Walter Sabatini i del në mbrojtje Romës. Futbollistët e skuadrës verdhekuqe u kritikuan shumë nga mediat italiane për faktin se menjëherë pas barazimit 1-1 me Cska-në, u panë të hynin në klub striptizmi që ndodhej afër me hotelin ku ata po qëndronin në Moskë.

“Ne jemi një klub liberal. Në atë moment skuadra kishte nevojë të shpërqendrohej disi nga gjërat rutinë.

Futbollistët e Romës e bënë diçka të tillë të gjithë si grup, dhe në këtë mes nuk ka asgjë të keqe. Nuk ndodhi asgjë në atë klub nate, madje unë jam i lumtur që futbollistët tanë përpiqen të bëjnë diçka të bukur të gjithë si skuadër”.

Në vijim drejtori sportiv i Romës foli për ndeshjet e ardhshme që ka skuadra kryeqytetase, me verdhekuqtë e Garcias që do të përpiqen të lënë pas barazimin zhgënjyes në Moskë.

“Duhet të mendojmë për ndeshjen me Interin. Më pas vëmendja jonë do të shkojë te Sassuolo dhe tek Manchester City. Nëse Roma do të fitojë tre ndeshjet e ardhshme atëherë unë kam besim se nuk mund të ndalemi.

Ndaj Interit nuk do ta kemi të thjeshtë, Mancini e njeh shumë mirë ambientin zikaltër dhe unë jam i bindur se shumë shpejt se do ta ngrejë skuadrën në vendin ku i takon”.

Në fund të intervistës së tij Sabatini foli edhe për merkaton, edhe pse Roma momentalisht ka një grup të konsoliduar futbollistësh.

“Jemi duke menduar që prej Korrikut të kaluar për merkaton e ardhshme. Do të përforcohemi në ato pozicione ku kemi nevojë dhe aty ku kemi ndonjë lojtar të dëmtuar. Strootman jashtë forme? Kritikat kundrejt tij janë të ekzagjeruara.

Strootman vjen pas një dëmtimi shumë të gjatë dhe ne duhet të presimin për të parë në Kevin-in më të mirë, citon Supersport.

Ai është një lojtar thelbësor për skuadrën dhe shpresojmë ta kemi në gjendjen optimale sa më shpejt të jetë e mundur”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit