Transmetuar më 27-11-2014, 16:15

Kukësi kërkon fitoren e parë ndaj rivalëve direkt këtë fundjavë, teksa në Zeqir Ymeri do të presë kampionët në fuqi, Skënderbeun.

Verilindorët kanë dështuar të marrin një pikë të vetme në përballiet me tre skuadrat e tjera të kreut, duke regjistruar dy humbje me Partizanin dhe nga një me Skënderbeun e Tiranën.

Por nënkampionët janë të bindur se kjo është një ecuri që herët apo vonë do të prishet, gjë që vjen nga fjalët e trajnerit Artim Shaqiri, i cili evidenton se skuadra ka prodhuar lojë në këto 4 humbje me rivalët direkt.

"Sigurisht që humbja me Partizanin nuk le një shije të mirë. Por duhet thënë që skuadra ka punuar mirë, ka krijuar volum dhe raste për shënim. Shpresojmë që gjithçka të rregullohet duke nisur me Skënderbeun".

Në fundjavë nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për Kukësin që ka përballë skuadrën për t’u mundur, Skënderbeun kampion që regjistron mbrojtjen dhe sulmin më të mirë deri më tani në kampionat.

Megjithatë për Shaqirin skuadra e tij është më e mirë dhe këtë do ta tregojë në 90 minutëshin e kësaj jave, citon Supersport.

"Skënderbeu ka ekip të mirë, por ne do të tregojmë se kush ka mbrojtjen dhe sulmin më të mirë në këtë sfidë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit