

Tiranë, 27 nëntor 2014, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i PD Lulzim Basha priti në një takim një delegacion të Federatës Pan-Shqiptare "Vatra", të kryesuar nga kryetari, Gjon Bucaj.
Gjatë takimit Basha shprehu mirënjohjen e tij dhe të PD për kontributin e jashtëzakonshëm që “Vatra” ka dhënë për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare gjatë 102 viteve të ekzistencës së saj.
“Ndihma dhe kontributi i diasporës shqiptare në SHBA dhe i federatës Pan-Shqiptare “Vatra” është i pazëvendësueshëm në mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrëzimin e regjimit komunist dhe në konsolidimin e demokracisë”, u shpreh Basha.
Nga ana e tij Bucaj shprehu falënderimet për bashkëpunimin e që ka pasur gjatë këtyre viteve mes PD dhe kësaj organizate.
Si një ndër organizatat shqiptare në SHBA që u investua fuqimisht kundër regjimit komunist në Shqipëri, “Vatra” shprehu gjatë takimit shqetësimin për përpjekjet për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha.
Kryetari i “Vatrës”, Bucaj dënoi ashpër shfaqjen e fotografisë së diktatorit Hoxha, duke e konsideruar këtë si përdhosje të gjakut të mijëra viktimave të regjimit komunist.
Nga ana e tij Basha ka mirëpritur propozimin e “Vatrës” për të emërtuar disa rrugë në kryeqytet me emrat e personaliteteve të shquara të kësaj organizate të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për çështjen kombëtare./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





