Transmetuar më 27-11-2014, 13:00

Tiranë, 27 nëntpor 2014, NOA.al- Deputeti demokrat Luçiano Boçi denoncoi emërimin në krye të OSHEE të Lushnjes, të një personi që ka abuzuar me biznesin e tij dhe ka miliona lekë energji elektrike të papaguar.

Në një dalje për mediat nga selia blu, Boçi tha se Qeveria mbron vjedhjen që i bën vetë energjisë, me gënjeshtra të ulëta.

“Ne denoncuam me prova faktin se administratorët e qeverisë, të emëruarit e Edi Ramës, janë hajdutë të energjisë. Rasti i drejtorit të OSHEE në Lushnje, që vidhte energji me biznesin e tij, dhe nuk e paguante duke qenë debitor me 1 milionë e 600 mijë lekë, është emblema e keqqeverisjes.Të pamundurit, ata që nuk paguajnë dot 10 mijë lekë drita se nuk kanë punë, se nuk kanë mundësi të ushqejnë fëmijët, kjo qeveri i con në burg. Ndërsa hajdutët e mëdhenj me biznese nga pas, Edi Rama dhe Ilir Meta i bëjnë drejtorë të energjisë. Në vend të ndjesës dhe nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve të këtij skandali, Edi Rama sulmoi opozitën”, u shpreh deputeti demokrat, duke thënë se Edi Rama mashtroi kur tha se drejtori i Lushnjes ishte shkarkuar nga puna një javë më parë.

Sipas Boçit, mediat zbuluan se drejtori i energjisë për Lushnjen, vjedhësi i 1 milionë e 600 mijë lekë energji, vazhdon detyrën, dhe është në punë edhe sot.

Në këtë linjë ai shtoi se Edi Rama nuk mjaftohet me emërimin e hajdutëve të energjisë si drejtorë të energjisë, por për ti mbrojtur kur kapen me presh në duar ai është gati të gënjejë, të mashtrojë dhe të shpifë.

Deputeti demokrat tha se nuk ka reforma, por represion për qytetarët dhe favore për hajdutët dhe shkelësit e ligjit si dhe nuk ka shtet ligjor, por pashallëk të Ramës që i ndan shqiptarët në të nënës dhe të njerkës.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë, “Ndaj shqiptarët janë të revoltuar. Ndaj protesta nuk do të ndalet”./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit