

Tiranë, 27 nëntor 2014, NOA.al-Mazhoranca e pranishme në seancën parlamentare të ditës së sotme miratoi nen për nen buxhetin e vitit 2015 me 81 vota pro dhe tre kundër. Ky buxhet u shoqërua me debate dhe propozime, por në momentin e hedhjes në votim shumica e majtë votoi pro tij.
Gjithashtu u votua edhe për ngritjen e Komisionit për Reformën në Drejtësi me 84 vota pro të maxhorancës dhe 4 vota kundër të deputetëve të Patrisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Më herët u votuan edhe projektligjet “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, “Për Avokatin e Popullit”, “Për tatimin mbi të ardhurat”, “Për taksat kombëtare”, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se nuk ka rritje taksash. Duke komentuar projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2015, ai tha se ky është viti i parë i uljes së taksave, duke shtuar se me buxhetin e ri 97% e shqiptarëve do të përfitojnë nga ulja e taksave.
Sipas tij kush flet për rritje taksash bën propagandë, ndërsa kush ankohet për rritje taksash, janë ata që nuk paguajnë taksa.
“Një taksë është rritja me 10 lekë në qarkullimin e naftës, si rezultat i nevojës për të mos cenuar asnjë qindarkë xhepin e gjithë kategorive që mbrojmë e përfaqësojmë, si nevojë për të përftuar një tjetër kontribut të drejtëpërdrejtë nga qytetarët, për t’i rikthyer në projekte për rilindjen urbane dhe mjedisore.Qytetarët po i prekin këto zhvillme duke nisur nga sheshet kryesore. Më lejoni t’ju kujtoj se në këtë sallë kur u vu taksa për natën, u fol për pragun e një klatakizmoje, për fundin e lundrimit që do na mbeteshin anijet e botës në port, u fol dhe për fundin e prodhimit të bukës. Kjo klatakizmo, të cilën do e sillte rritja stratosferike jo vetëm nuk u provua, por çmimi i naftës krahasuar me atë më parë ka rënë nga 10-60 lek. Kjo taks nuk do ketë asnjë lloj impakti në ekonomi, por një impakt real. Kemi rritur taksën e duhanit, do ta rrisim prapë, deri kur dhe sa të mundemi. Jemi kundër konsumimit të duhanit sepse jemi pro shëndetit. Kemi rritur një taksë për të cilën 97% e popullsisë duhet ta përshëndesë, taksën për depozitat sepse është një taksë që rritet me synimin që paratë që flenë në banka të investohen në ekonomi dhe të kthehen në financim për projekte për zhvillimin ekonomik”, u shpreh Rama, duke thënë se vetëm këto janë tre taksat e rritura.
Në vijim ai shtoi se janë ulur 15 taksa që ndikojnë në vazhdim, në nxitjen e prodhimit që lehtësojnë sipërmarrës dhe fermerë, taksa që nxisin eksportet dhe çlirojnë frymëmarrjen e vendit.
Lidhur me rritjen e çmimeve, ai e cilësoi si një propagandë të pavërtetë, duke shtuar se nga rënia e çmimeve ka një rrezik nga deflacioni. Kreu i qeverisë tha se lista e ushqimeve që nga bazët e deri tek ilaçet, nuk rezulton me rritje por me ulje.
Sa i takon punësimit, Rama tha se punësimi është kryefjala e koalicionit që ai drejton. Kryeministri deklaroi se nga investimet e reja janë hapur vende të reja pune, gjë që sipas tij shumjë punonjës janë shkëputur nga puna e zezë dhe janë regjistruar 81 mijë punonjës të rinj.
Në vijim, mazhoranca e pranishme në seancën parlamentare miratoi ngritjen e Komisionit për Reformën në Drejtësi me 84 vota pro të maxhorancës dhe 4 vota kundër të deputetëve të Patrisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
PËRMBLEDHJE/ Kuvendi miraton në tërësi projektbuxhetin 2015
Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta dhe miratoi në tërësi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2015 dhe paketën fiskale.
Në fillim të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit njohu deputetët me nismat e reja të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.
Të ftuar për të ndjekur punimet e seancës plenare ishin edhe një grup studentësh të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës dhe Universitetit Mesdhetar.
Pas miratimit të procesverbalit të seancës së kaluar, deputetët diskutuan në lidhje me projektligjin “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”.
Në emër të mazhorancës, relatori Anastas Angjeli deklaroi se ndryshimet në ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit janë të domosdoshme dhe në funksion të luftës ndaj korrupsionit
“Projektligji përcakton procedura më të qarta për përzgjedhjen e audituesve të pavarur që do të auditojnë veprimtarinë e KLSH-së. Këta persona përzgjidhen nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat. Forcon bashkëpunimin e KLSH-së me Kuvendin, veçanërisht me Komisionin për Ekonominë dhe Financat, etj. KLSH-ja do të ketë pavarësi funksionale, pavarësi strukturore dhe pavarësi financiare. Duke shprehur vullnetin e plotë të mazhorancës për një qeverisje më të mirë në shërbim të qytetarëve, transparente dhe të vendosur për përmirësimin e vazhdueshëm të menaxhimit të financave publike dhe luftën kundër korrupsionit, mashtrimit dhe evazionit, vullnetin e plotë për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga angazhimet për integrimin evropian,ju siguroj se ky ligj është plotësisht në funksion të këtij qëllimi”, tha z. Angjeli.
Ky projektligj u votua me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më pas anëtarët e Kuvendit vijuan me diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit” të ndryshuar.
Relatorja Vasilika Hysi prezantoi disa prej risive të këtij projektligji. “Me miratimin këtij projektligji, zgjerohet roli i Avokatit të Popullit. Ligji gjithashtu zgjeron rrethin e subjekteve ndaj të cilëve do të zbatohen dispozitat e ligjit për Avokatin e Popullit, duke i shtuar krahas kategorive ekzistuese në ligj, si të huajt, refugjatët, personat pa shtetësi, edhe kategoria e azilkërkuesve. Po ashtu, përmes ligjit të ri sigurohet vazhdimësia më e mirë në rastet e mbarimit të mandatit pesëvjeçar të Avokatit të Popullit, duke parashikuar qëndrimin e këtij të fundit në detyrë deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, parashikohet zëvendësimi i tij nga Komisioneri më i vjetër, deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në rast se Kuvendi s’ka pasur më parë një afat për shqyrtimin brenda afatit të raportit, tashmë nëse Kuvendi nuk i shqyrton brenda afatit, ato do të botohen automatikisht në faqe”, tha znj. Hysi. Projektligji u miratua me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi diskutoi për projektligjin për buxhetin dhe për paketën fiskale. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nga ulja e taksave vitin e fundit kanë përfituar 97 për qind e shqiptarëve.
“Ka një ngulmim propagandistik se në Shqipëri po rriten taksat, por në Shqipëri është viti i parë, që 97 për qind e shqiptarëve kanë përfituar nga ulja e taksave, krahasuar me shumë vite të shkuara që kur hyri në fuqi taksa famëkeqe e sheshtë, mbi të ardhurat personale. Nga kjo ulje taksash një polic ka përfituar 262 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e mëparshme; një mjek ka përfituar 238 mijë lekë më shumë; një infermier 313 mijë lekë më shumë; një mësues 265 mijë lekë më shumë, ndërsa një punonjës administrate ka përfituar 257 mijë lekë më shumë se sa nën qeverisjen e shkuar”, tha z. Rama.
Kryeministri komentoi dhe reformën në sistemin energjetik duke vlerësuar rezultatet e saj. “Kjo rrugë është intensive. Një arritje e parë konkrete e operacionit për ta ndarë Shqipërinë nga hajdutët e energjisë. Kemi futur në vijë një bashkërendim forcash me bankat e nivelit të dytë për të shlyer një borxh dramatik që nuk është përfshirë në listën e borxheve të cituara më lart. Është borxhi ndaj sipërmarrësve dhe prodhuesve privat të energjisë. 60 milionë euro. Bankat e nivelit të dytë kanë ardhur kanë takuar Ministrin e Energjisë dhe kanë kërkuar konfirmim nga qeveria për mos ndalojnë këtë operacion dhe në këtë mënyrë të disbursojnë 30 milionë euro për të shlyer prodhuesit privat. Është fillimi i uljes së çmimit nga prodhimi vendas dhe vendosja e prodhimit vendas në funksion të liberalizimit të tregut. Shqipëria plaçkë e madhe o burra, kush të marrë ndonjë copë dhe të pushtetërojmë duke e pushtetëruar. Kjo epokë ka marrë fund. Nuk jemi këtu për ta kthyer mbrapa, por jemi këtu për ta udhëhequr,” tha z. Rama.
Duke folur për paketën fiskale, Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe tha se nisma synon marrjen e të gjitha masave për mbështetjen e prodhimit vendas në industrinë e rëndë, në manifaktura, në bujqësi, në peshkim dhe në përpunim të mineraleve dhe të produkteve të tjera për industrinë vendase.
Duke folur për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, z. Braçe tha se projektligji krijon disa lehtësi për pensionet vullnetare, si shtylla e dytë e rëndësishme e reformës së pensioneve.
“Janë 36 milionë dollarë më tepër në skemën e sigurimeve shoqërore, pikërisht për shkak të rritjes së personave të regjistruar si të punësuar”, u shpreh z. Braçe. Deputeti i PS-së informoi Kuvendin se komisioni propozon të mos hiqet akciza për pijet energjike, por ulja e nivelit të saj nga 50 në 30 lekë/litri.
Lidhur me projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr 9981, datë 8.9.2008,”Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar, z. Braçe tha se do të ketë një impakt shumë të madh në të gjithë sektorin e blegtorisë në vend. “Përjashtohen nga tarifat doganore të gjitha kafshët do të përdoren në blegtori qoftë për mbarështim, qoftë për edhe për prodhim të qumështit e kështu me radhë. Komisioni bëri edhe një shtesë ku përjashton nga tarifa doganore edhe shpendët që importohen pikërisht për të favorizuar këtë industri në Republikën e Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha dua të theksoj se me këtë projektligj çlirohet nga tarifa doganore i gjithë ushqimi që do të përdoren për blegtori dhe natyrisht edhe për shpendët brenda territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim që të ndikojmë sado mundemi edhe në vlerën përfundimtare të produkteve që vijnë nga blegtoria”, tha z. Braçe.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar u miratua me 83 vota pro dhe 5 kundër. Po me kaq vota u miratuan dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare” të ndryshuar. Me 82 vota pro dhe 5 kundër u miratua projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.61/2012,“Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ndërsa me 83 vota pro dhe 5 kundër u miratua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr 9981, datë 8.9.2008,”Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2015” u miratua me 81 vota pro dhe 3 kundër, asnjë abstenim.
Kuvendi diskutoi dhe për projektvendim “Për krijimin e komisionit të posaçëm “Për reformën në sistemin e drejtësisë”. Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatmir Xhafaj, u shpreh se reforma e sistemit të drejtësisë nuk është një hap i vonuar, por një hap i madh që po ndërmerret tani.
“Me vendimin e sotëm për të ngritur Komisionin për Reformën e Drejtësisë hedhim hapin e parë për përmirësimin e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Mund të konsiderohet si një hap i vonuar, por unë jam i bindur se është hap i madh që ne po ndërmarrim. Nëse reforma kushtetuese e 2008-s pati ndikim te sistemi i drejtësisë, kjo tregoi se shpejtësia në konsensus nuk garantoi sukses të reformave”, theksoi z. Xhafaj.
Nisma u miratua me 84 vota pro dhe 4 kundër.
Projektvendimi “Për ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr.166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar siguroi 88 vota pro.
Pas përfundimit të procesit të votimit dhe para se ta deklaronte seancën të mbyllur, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festave të 28-29 nëntorit dhe në veçanti familjet e dëshmorëve të atdheut.
“Dua t’i uroj gjithë deputetëve dhe në veçanti gjithë popullit shqiptar, dhe akoma më në veçanti familjet e dëshmorëve të atdheut dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, familjeve të gjithë partizanëve, të gjithë veteranëve, gëzuar 28-29 Nëntorin, 70-vjetorin e çlirimit të atdheut”, përfundoi z. Ilir Meta.
Seanca mbylli punimet rreth orës 13:26 minuta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





