

Komisioni i Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit pas shqyrtimit të provave për dhunën në stadiumin “Elbasan Arena”, vendosi që të dënojë ekipin e verdhebluve me 6 ndeshje pa tifozë, në stadiumet përkatëse si dhe me gjobë deri në 200 mijë lekë të reja. Masat janë marrë për hedhjen e sendeve të forta dhe flakadanëve në fushën e lojës, duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës.
Gjithashtu detyrohet të zhdëmtojë dëmet e kryera nga tifozeria e saj, në sektorin përkatës. Komisioni dënoi me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti, futbollistin e Elbasanit, Xhulio Jaupi, për provokim të publikut.
E njëjta masë dënimi është dhënë edhe për ekipin e Tiranës dhe situata është rënduar si pasojë e rasteve të përsëritura. Masa ndëshkuese janë dhënë edhe për ekipin “Naftëtari”, për hedhje të sendeve në fushën e lojës, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës. Komisioni e dënon me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa tifozë në stadiumin përkatës.
Lojtari e kësaj skuadre Endri Koroveshi dhe lojtari i klubit “Sopoti”, Pinto Junior, akuzohen se kanë goditur me grusht lojtarët kundërshtarë, dënohen secili me nga 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Lojtari i “Skraparit” , Eliner Duro, për sjellje jo sportive të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





