Transmetuar më 26-11-2014, 20:36

Qeveritë dhe kompanitë e cigareve janë përfshirë në një betejë të ashpër për territor, që në vetvete është hapësira e vogël e një pakete. Por teksa paralajmërimet shëndetësore shtohen, kompanitë po gjejnë mënyra të tjera për t’i dhënën produktit një pamje dhe ndjesi tjetër

Të shtunën e 1 dhjetorit 2012, Australia prezantoi paketat e cigareve me kufizimet më të ashpra në botë. Në atë ditë, pamja që mbizotëronte sipërfaqen e vogël të një pakete nuk ishte as logo dhe as emri i kompanisë. Pjesën më të madhe të pjesës së përparme, 75 për qind, e zinin paralajmërime për pasojat shëndetësore të duhanpirjes. Pjesa e pasme kishte në 90 për qind të sipërfaqes, paralajmërime të tilla.

Por përpara se të përfundonte muaji, duhanpirësit filluan të vinin re një ndryshim te cigaret. Sipas ligjeve të reja, nuk do të kishte më marka, por në to dukej një shenjë e përbërë nga tre shkronja pranë filtrit. Kompanitë e duhanit po përpiqeshin të linin shenjën e tyre.

Ndonëse këto nuk u gjobitën, episodi tregoi sesa të etura ishin kompanitë për t’u dhënë cigareve të tyre një karakter të veçantë, që klientët e tyre të mund t’i përgjigjeshin, por tregoi gjithashtu sesa e vendosur ishte qeveria australiane për t’i luftuar.

Australia po merret ende edhe sot me ligjin e paketimit të cigareve. Kompanitë që thanë se kjo shkel të drejtat e pronës intelektuale, hapën gjyqe dhe humbën. Një markë e njohur i zhvendosi degët e saj në Hong-Kong, menjëherë pasi u bë i ditur lajmi për të marrë masa më të ashpra ndaj duhanit.

Veç e veç, pesë vende që prodhojnë duhan apo përpunojnë cigaret e kanë çuar çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke argumentuar se ligji çrregullon tregun.

Ndërsa proceset gjyqësore ndalojnë disa shtete, si Zelanda e Re të ndjekin shembullin e Australisë, të tjera vende po e peshojnë mirë mundësinë e ndryshimit të paketimit të cigareve.

Vitin e ardhshëm, Britania do të prezantojë një legjislacion lidhur me këtë çështje. Franca dhe Irlanda kanë shprehur gjithashtu vendosmërinë për t’u përshtatur me idenë e paketave të zbrazëta.

Dr. Crawford Moodie i Universitetit Stirling, parashikon një efekt të mundshëm domino në Europë, sapo shtetet e para të bëjnë lëvizjet e tyre.

“Do të jetë interesante të shohim nëse paketimi i bardhë i cigareve do të ndjekë një rrugë të ngjashme si paralajmërimet e shëndetit”, thotë ai. Këto të fundit u prezantuan për herë të parë në Kanada, në vitin 2000, dhe pas pesë vitesh u bënë të detyrueshme në vetëm pesë shtete. Por në vitin 2016, kjo gjë do të ndodhë në të paktën 95 shtete.

Përmasa e imazhit varion dhe po ashtu imazhet që shfaqen në to. BE-ja ka një librari prej 42 fotosh, që fokusojnë rreziqet e shëndetit, por vendet e tjera ndonjëherë i paralajmërojnë duhanpirësit rreth ndikimit të vesit tek ekonomia e tyre, ose të ashtuquajturat mesazhe “fitimi” – inkurajime pozitive te duhanpirësit, duke i shpjeguar se ata mund ta largojnë veten nga varësia.

Një set i ri fotosh, i projektuar për vendet afrikane, përfshin imazhe gazmore që lidhen me impotencën, por ka edhe foto të tjera më të vështira për t’u parë.

“Ne po përpiqemi t’i trembim duhanpirësit dhe t’i bëjmë ata të rimendojnë varësinë që kanë”, thotë Rebecca Perl, nga Fondacioni Botëror i Mushkërive, që është angazhuar prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të krijuar imazhet në fjalë.

David Hammond nga Universiteti Vaterlo në Kanada, argumenton se disa nga paralajmërimet më të fuqishme nuk janë vetëm të frikshme, por tregojnë një histori të vërtetë.

“Është një mënyrë shumë e dobishme për të ndryshuar konceptin se këta njerëz po sulmohen nga qeveria, ndaj kur tregon historinë e një njeriu të vërtetë që e ka pësuar nga duhanpirja, gjërat perceptohen ndryshe”, thotë ai.

Një fytyrë shumë e njohur në Kanada është Barb Tarbox, një ish-modele që vdiq në moshën 42-vjeçare. Gjatë muajve kur vuante nga kanceri në mushkëri dhe tru në vitin 2003, ajo bëri biseda antiduhan me fëmijët dhe adoleshentët. Fushata e saj ishte aq e madhe, saqë imazhet e rënda të saj shfaqen ende në paketimet e sotme.

Mes shteteve që ende nuk po arrijnë të gjejnë një rrugë mes kufizimeve të paketave të cigareve është edhe SHBA-ja. Pavarësisht se ishte vendi i parë që prezantoi paketat e cigareve me paralajmërime për shëndetin në vitin 1965, tani është mes vendeve të pakta që nuk e kanë ratifikuar Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit dhe që nuk i ka detyruar kompanitë të vendosin shenja paralajmëruese përpara dhe në pjesën e pasme të paketave.

Një dekret federal që kërkonte vendosjen e një fotoje paralajmëruese, u kthye në ligj në vitin 2009, por kompanitë e cigareve e çuan çështjen në gjyq dhe një gjykatës vendosi se ligji shkelte të drejtën kushtetuese të lirisë së fjalës të kompanive të cigareve.

Përdorimi ose jo i paketimeve të veçanta të cigareve nuk mund të zhbëjë dy të vërteta të mëdha: cigaret vrasin rreth gjysmën e njerëzve që i pinë ato dhe paketat luajnë një rol të ndryshëm nga ai i shumicës së paketimeve të tjera. Kjo, për shkak se nëse shumica e paketimit të produkteve të tjera hidhet përpara konsumit të produktit, paketimi i cigares ruhet deri në cigaren e fundit. /BBC/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit