Transmetuar më 26-11-2014, 18:38

Mbetet të shohim nëse përgënjeshtrimi i Braçes do të jetë i vlefshëm pas shpalljes së vendimit, apo edhe për përgënjeshtrimin e tij mund të ketë një tjetër përgënjeshtrim

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe në një konferencë për shtyp sot nga Kuvendi, akuzoi ish kryeministrin Sali Berisha se gënjen kur thotë se çmimi i energjisë, do të shkojë 12 lekë/Kwh.

Braçe përgënjeshtroi Berishën, duke garantuar se çmimi nuk do të shkojë përtej 10 leke/KwH.

Sipas Braçes, vërtetë Berisha nuk e rriti çmimin e energjisë në 2013, dhe nuk ‘ua mori shqiptarëve këto lekë direkt në faturë, por e mori përmes taksimit të përgjithshëm duke e mbajtur kosto të drejtpërdrejtë në buxhet dhe duke rënduar mbi KESH-in’.

Më poshtë prononcimi i plotë i z.Braçe mbi këtë argument:

“E vërtetë është, Sali Berisha nuk e rriti çmimin e energjisë elektrike në 2013-n, siç është e vërtetë që Sali Berisha e mori prej nesh në vitin 2004 energjinë elektrike me fashën e mbrojtur prej 4.50 lekësh, dhe për fashën përtej 220 kilovatëve, me 9 lekë për kilovat. E hoqi fashën fare në vitin 2006 dhe e çoi çmimin e energjisë elektrike në 7 lekë, dhe e riktheu në vitin 2008 – 2008 me çmimin 7 lekë për fashën e mbrojtur. Pra, kini parasysh: nga 4. 50 në 7 lekë në fillim, dhe për fashën jo të mbrojtur në 12 lekë, ashtu siç e çoi më pas në 7.7 lekë çmimin për fashën e mbrojtur dhe në 13. 5 lekë. Një rritje nga 4. 50 në 7. 7 dhe nga 9 në 13. 50 lekë për kilovat/orë. Ky është trendi i këtij luftëtari të madh kundër ristrukturimit të çmimit të energjisë elektrike dhe e këtij luftëtari të madh të mbrojtjes së fashës. Ky që e ka hequr vetë më 2006, një vit pas zgjedhjeve.

Pavarësisht kësaj, pavarësisht edhe asaj të vërtete që ju thashë, që nuk e ka rritur çmimin e energjisë elektrike në 2013-ën e në 2012-ën, e ka mbajtur si kosto të drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, kur e rëndoi mbi korporatën elektro – energjetike shqiptare, që ka marrë pastaj financime dhe garanci të herëpashershme gjatë gjithë viteve në vijim nga buxheti i shtetit.

Pra, nuk ua mori drejtpërdrejt në faturë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë çmimin në 2012-ën e në 2013-ën, por ua ka marrë në faturë nga viti 2006 e në vijim, nga 4. 50 lekë në 7. 7 lekë, nga 9 në 13. 5 lekë, por jua mori përmes taksimit të përgjithshëm në buxhetin e shtetit. Kjo është e vërteta e këtij çmimi. Natyrisht, kjo është e vërteta e këtij çmimi në raport edhe me vendimet që ky njeri ka marrë për ta shkatërruar tërësisht sistemin elektro – energjetik dhe bilancin financiar të atij sistemi, që sot sjell këtë kosto mbi qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Por një gjë do t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë: Sali Berisha gënjen kur thotë se çmimi për familjarët do të shkojë në 12. 5 lekë. Gënjen haptas. Nuk do të ketë çmim jo mbi 12. 5 lekë, por për qytetarët nuk do të ketë çmim as mbi 10 lekë”.

Mbetet të shohim nëse përgënjeshtrimi i Braçes do të jetë i vlefshëm pas shpalljes së vendimit, apo edhe për përgënjeshtrimin e tij mund të ketë një tjetër përgënjeshtrim. /a.d/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit